Veliaj, takim me Arifin: Tirana do ngrejë zërin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifin, me të cilin diskutoi çështjet dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Kryebashkiaku theksoi se Tirana do të jetë gjithmonë një derë e hapur për secilin prej tyre.
“Kjo është shtëpia juaj, një derë dhe një zemër e hapur. Duam që zëri ynë të bashkohet me zërin tuaj për disa çështje shumë kritike dhe shqetësuese, siç është pasivizimi apo humbja e disa të drejtave prej marifetesh administrative, që përjashtojnë një qytetar nga marrja e shërbimit apo mundësia për të shfrytëzuar dhe investuar në pronën e tij, apo për të qenë sipërmarrës”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se e ardhmja e Ballkanit në Evropë nuk duhet të shihet si një katapultim në Bruksel, por si një mënyrë evropiane për të zgjidhur këto çështje.
“E shoh me keqardhje që jetojmë në një situatë kur Shqipëria dhe Kosova i gëzohen abetares së përbashkët, por abetaren na duhet ende ta kontrabandojmë në Preshevë. Kjo duhet zgjidhur! Ne nuk mund të kontrabandojmë idetë progresive, ato janë universale, duhet t’u shërbejnë të gjithëve. Nuk besoj se duhet të ketë gëzim Shqipëri-Kosovë, nëse s’kemi gëzim edhe në Preshevë, edhe në Tuz, edhe në Tetovë. Për të gjitha këto arsye, na konsideroni një zë të shtuar në korin e mbështetësve të Preshevës dhe që advokon të drejtat e qytetarëve aty. Ne do ta ngremë zërin kudo ku kemi mundësi ta bëjmë”, shtoi Veliaj.
Me theks të veçantë, Veliaj dhe Arifi diskutuan mbi vënien në funksion të Fondit Kombëtar të Solidaritetit, si dhe për projekte të rëndësishme për qytetin e Preshevës.
Veliaj vlerësoi edhe vendimin e shqiptarëve të Preshevës për t’u bërë bashkë.
“Mezi pres që në mbledhjen e ardhshme të Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit të miratojmë vendimet për të dhënë gjithë këto kontribute. Nëse po e bëjmë këtë për miqtë tanë në Ukrainë, në Kharkiv, që është qyteti ynë binjak i adoptuar, për Preshevën, që është qyteti ynë binjak prej gjaku, duhet ta bëjmë më të lehtë. Jam shumë krenar për punën që keni bërë, për faktin se Presheva drejtohet nga një skuadër e re. Ndonjëherë mezi e gjejmë gjuhën, por fakti që kemi shkuar nga 15 parti në 4, do të thotë se po krijohet një lloj kohezioni”, nënvizoi Veliaj.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen dhe e përgëzoi atë për punët dhe sukseset në Tiranë.
“Kënaqësi dhe nder të jem sot tek vëllai im Erioni, si çdo herë, me të cilin kemi një marrëdhënie e veçantë. Nuk është as politike, nuk është as kolegjiale, sa është vëllazërore dhe shpirtërore, dhe në këtë kontekst është për mua, dhe për ne nga Presheva në përgjithësi, jo vetëm një nder, por edhe kënaqësi shpirtërore të jemi këtu me ty, me stafin tuaj, në vendin më të të dashur për preshevarët, Tiranën. Ju urojmë për punët, ju urojmë edhe për sukseset të cilat po shihen qartazi dhe ti Erion je i dashur dhe i mirëseardhur në Preshevë”, deklaroi Arifi./ata