21 vjet nga sulmi i 11 Shtatorit 2001 në Qendrën Botërore Tregtare
Sot mbushen 21 vjet nga sulmi i 11 Shtatorit 2001 në Qendrën Botërore Tregtare në New York, ngjarja më e rëndë në tokën amerikane, kur katër terroristë të grupit al-Kaeda morën peng katër avionë pasagjerësh dhe i përplasën duke vrarë rreth 3000 njerëz.
Dy avionë goditën kullat binjake në New York, ndërsa dy të tjerë në Virginia e Pennsylvania pak më vonë. Dhjetë vjet pas tragjedisë ushtria e SHBA bastisi kompleksin në Abbottabod, Pakistan, dhe vrau kreun e Al Kaedas, Osama bin Laden.
Sulmi ndryshoi përgjithmonë Shtetet e Bashkuara dhe pas-goditjet e tij ndjehen edhe sot, jo vetëm nga të plagosurit dhe të afërmit e viktimave, por dhe të gjithë ata që e dëshmuan direkt në ekranet e televizioneve nëpër botë.
Shumë njerëz kujtuan sot ngjarjen dhe momentin kur dëgjuan lajmin. Maria de Souza shkruante: “Isha shtatzënë me më të voglin tim kur dëgjova lajmin. Më shumë njerëz binin ose hidheshin sesa digjeshin. Më është fiksuar në mendje foto e njeriut që binte nga Qendra Tregtare.”
Komentuesi Bart tha: “Më kujtohet si të ishte dje. Erdha në shtëpi nga shkolla dhe prindërit po shikonin televizionin pa bërë asnjë lëvizje.”
Storm Harris tha: “Familja ime dhe unë jetojmë në Maryland. Fëmijët e mi shkojnë në shkollë me fëmijët e pilotëve të ushtrisë. Jemi vetëm dhjetë minuta larg bazës ajrore Andrews. Unë humba një mik në përplasjen në ndërtesën e Pentagon dhe disa të tjerë u plagosën. Ishte një ditë që asnjë nga ne nuk do të harrojë.”
Linda Gruenberg Petrillo tha: “Isha në spital dhe u zgjova në mëngjes me këtë lajm në televizion. Nuk do të harrojmë kurrë 9/11”.
“Ne vazhduam për nga Lincoln Tunnel. Kur arritëm në Port Authority, njerëzit largoheshin pa objektiv. Kjo ishte dhe pasoja e dytë më shqetësuese, nisi kaosi total. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë dhe falë Zotit nuk isha në zonën e shpërthimit dhe arrita të dal nga qyteti po atë ditë. Ishte e pabesueshme.”
Bekah Adkins thotë se ishte në shtëpi prapa një stacioni zjarrfikësish: “Kur u godit kulla e parë shtëpia ime nisi të tronditej nga avionët që ngriheshin nga zona e Hampton Roads”.
Theresa Dwulit ishte në mësim në një universitet në Manhattan kur avionët goditën, ajo thotë: “Nuk do ta harroj kurrë sesi përpiqesha të arrija në shtëpi atë ditë, duke kaluar mes tymit dhe rrënojave të kullave”.
Holli Harris tha: “Isha në mësim në universitet. Një student që ishte me vonesë erdhi e na tregoi çfarë kishte ndodhur. Profesori doli menjëherë nga dhoma, djali i tij do të shkonte diku me avion atë ditë, por nuk rezultoi i prekur”.