Shqiptarja përplaset për vdekje nga makina në Nju Jork
Një aksident i rëndë ka ndodhur në qytetin e Nju Jorkut, SHBA, ku viktimë ka mbetur një 59-vjeçare shqiptare. “Nypost.com” raporton se viktima është identifikuar si Paulina Ndrecaj, e cila jetonte në Bronx. Shqiptarja u përplas nga një makinë shumë pranë shtëpisë së saj, ndërsa ajo kishte dalë për të blerë pica. Sipas raportimeve, mësohet se 59-vjeçarja ishte duke ecur në trotuar kur makina ka humbur kontrollin dhe e ka përplasur atë. Mjeti, i cili hipi mbi trotuar, e përplasi gruan në një gardh metalik dhe për pasojë Ndrecaj mori plagë të rënda nga një shufër hekuri. Ajo ndërroi jetë në spital, në momentin kur po operohej.
I pari që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka qenë 32-vjeçari Sall Arobye, një shofer Uber, i cili jetonte në rrugën tjetër. Ai e ndihmoi Paulinën duke e larguar nga gardhu, ndërsa lajmëroi dhe mabulancën. Ai ka zbuluar dhe bisedën e fundit me të, para vdekjes.
“Më tha: Mendon se do t’ia dal?” dhe unë i thashë, ‘patjetër që mund t’ia dalësh, qëndro e fortë’.Është e tmerrshme. Më duket sikur e kam gënjyer. Ajo nuk ia doli dot. Ndihem i trishtuar”, u shpreh ai.
Miq dhe të afërm të viktimës ndezën qirinj dhe vunë lule në vendin ku ndodhi ngjarja. Paulina ishte nënë e tre fëmijëve dhe kishte një nip.