Ismail Xhaferi: Tani në shtëpi mungon babai dhe nëna
Tani në shtëpi nuk është më as babai as nëna,
Dhe lulet të gjitha janë tharë,
Është ndryshkur brava e derës së jashtme,
(O pragu i portës si duron pa u çarë)!
Mbi dritare mungon prej shumë kohësh,
Një degë e vjetër hardhie,
Nuk ndjeu frymë njeriu brenda shtëpisë,
Ja bëri krak dhe u thye.
Nga tubi i sobës nuk del më tym.
Nuk ndihen më as hapa brenda avllisë,
Me një daltë kujtimesh mbledhur nëpër vite,
Malli grryen muret e shtëpisë.
Por në netët e gjata të verës,
Asnjëherë tek shtepia nuk mungon hëna,
Troket në dritare dhe largohet trishtuar,
Si s’ka më njeri ta ftojë hënën brenda!
… Tani në shtëpi mungon babai dhe nëna.
Please follow and like us: