Albspirit

Media/News/Publishing

Marta Macaj: Letër vetvetes!

 

21 vite frymëmarrje, rrahje zemre, hapa…

Për ty kam një letër vetja ime,

Mos ndrysho edhe kur do ta marrin sinqeritetin për dobësi, edhe kur do të marrin ndjenjat për naivitet, edhe kur do të thonë si duhet të bësh. Më mirë se ti askush nuk e di se kush do të bëhesh, më mirë se ti asnjë nuk njeh limitet e tua, më mirë se ti asnjë nuk njeh ndërgjegjen tënde dhe me këtë të fundit mos bëj kurrë kompromise, sepse më shumë se ti askush nuk do vuajë pasojat e zgjedhjeve të tua. Sado të thonë se duke qëndruar kjo që je s’do ecësh para se bota moderne ka nevojë për njerëz ‘të shkathët’ me tjetër vizion; kujto që pastërtinë e shpirtit dhe mendjes nuk e blen me asgjë në botë. Ji mirënjohëse për çfarë ke, për kë ke pranë dhe për kë je…

Mos harro kush je, nga je dhe kush do të jesh. Mos harro kush ka qeshur e qarë me ty, kush t’ka dhënë dorën e këshilluar, kush t’ka dhuruar një buzëqeshje…

Jam krenare për ty vetja ime, për vajzën që je, edhe kur mbyllesh e s’do të flasësh, pak nga pak do përmirësohemi bashkë, pak nga pak do përparojmë në rrugën e shkruar për ne. Sa shumë hapa kemi bërë dhe sa shumë kemi perpara… sa shumë do mësojmë, qeshim, qajmë, lumturohemi dhe lumturojmë të shtrenjtët tanë bashkë.

Vazhdo përpara Martë se Zoti të ka dhënë njerëz të mrekullueshëm pranë vetes, vazhdo me po të njëjtën zemër, ndjenja dhe qëllime, të bëhesh vajza, motra, shoqja, individi që ti do të jesh.

Please follow and like us: