Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: ARTI FLET EDHE PA FJALË

Nuk ka botë shpirtërore më interesante sesa ajo e aktorit. Në shpirtin e tij nuk vlon vetëm pasioni për të shprehur shumëanshmërinë e ndjenjave njerëzore, por edhe dëshira e flaktë për të polemizuar me kohën. Arti i aktrimit është një nga dhuntitë e rralla të një elite njerëzore e cila ka vetinë të inprovizojë jetën e të tjerëve aq sa në ato orë të shfaqjes ai e harron jetën e vet.
Pikërisht “kjo polemikë me kohën” më sugjeroi rikthimin e vëmendjes sime në një festival të monodramës në Korçë 15 vite të shkuara, kur aktori nga Kosova Mentor Zymberaj interpretonte pantomimën “Kronisti i të vrarëve” dhe aktorja e Teatrit të Beogradit Rada Djuriçin e shihte nga pas kulisave lojën e aktorit shqiptar, me dridhmat e shpirtit të saj, në po atë jehonë lufte, genocidi e tymnajë të pazakontë që kishte ndodhur. Si një konflikt i egër ndëretnik që shqetësoi mbarë botën e la pas tensione e dialogje të pafundme!Teatristat,-këta qytetarë të së vërtetës sublime e të humanizmit,-po i binin edhe ata “kambanave”të genocidit serb të viktimave e po i përjetonin ato rishtazi e me dhimbje të thellë, përmes skenës. Se arti i teatrit është e mbetet si një pasqyrë e ngjarjeve të historisë, kronikë e vërtetë dhe e fuqishme e të gjitha kohrave e do të shkëlqejë edhe pa fjalë, në të tilla pantomima të pazëshme e në të tjera vepra të zëshme. Artistët e shkrimtarët, me veprat e tyre me vlerë i paraprijnë kohës e politikës. Aktori i Teatrit Kombëtar të Prishtinës dhe njëherësh pedagog në fakultetin e Arteve, Mentor Zymberaj, me origjinë nga Peja, ka një aktivitet të dendur skenik, filmik e pedagogjik dhe është interpretues i shume roleve të rëndësishme në skenë e në ekran që kulmojnë vitet e fundit me rolin e Hamletit të Shekspirit, me të cilin ka fituar edhe disa çmime ndërkombëtare. Ndërkohë ai është edhe regjisor, me spektakle të zëshme si vlerë, po edhe si kontribute për lirinë e pavarësinë e Kosovës, si njeri prej misionar i saj.
U ndodhëm pra, përpara një spektakli të tillë. Vëzhguar me emocione tronditëse nga salla e hapët, në mesin e një natyre biblike, po edhe nga pas perdeve anësore të një skene të improvizuar, prej artistes serbe, për t’i thirrur më pas shpirtit e llogjikës, ndaj jetesës së përbashkët së mëpastajme, me këta njerëz që janë përbuzur, prerë e vrarë ndër vite e dekada, me “fitilat e urrejtjes e të barutit”. Ndërkohë që aktorët e politikës së sotme janë duke zhvilluar bisedime që s’kanë të sosur(?)!, ndërsa aktorët e teatrove të të dy shteteve të përfolura, lozin teatër së bashku, ulen në të njëjtën tryezë për të ngrënë bukën e pirë gotën me verë, po (pse jo), edhe duke folur e duke kënduar e vallëzuar së bashku. Si këtu në Korçë. Ashtu sikundër do të ndodhte edhe 10 vite më pas në Festivalin Ballkanik të Teatrove, që e organizonte ish studenti im Gëzim Kame, me artistë nga të gjitha trevat e këtij gadishulli të zjarrtë, të ashtuquajtur si “FUÇIA E BARUTIT”…
Po le të rikthehemi përsëri te “Kronisti i të Vrarëve” të aktorit Zymberaj e tek vështrimi anësor i Zonjës Rada Djuriçin të Teatrit të Beogradit…
Kjo pantomimë tragjike, që “ulërinte” edhe pa fjalë, e konceptuar, e interpretuar, si edhe me regjinë e shqiptarit nga Kosova Mentor Zymberaj, u shfaq fillimisht në skenën e Teatrit Kombëtar të Prishtinës, për të marrë pastaj “udhë të gjata” në Oslo të Norvogjisë, ku zhvillohej Festivali Antiracist “Arti Kundër Dhunës” i vitit 2000 e për të mbërritur këtu në Korçën tonë disa vite më mbrapa. Shfaqia u dha në Voskopojë, në një shesh përrallor, midis një pylli të dendur, para një publiku artistësh ballkanas e vendas. Efekti ishte tronditës. Monodrama-Pantomimë kishte përmasat e një tragjedie, derisa bënte fjalë, përmes veprimeve e gjesteve, jo thjeshtë mbi vrasjet e ushtarëve serbë, të bëra ndaj popullsisë shqiptare të pambrojtur e të pafajshme, por edhe me rivrasjen dhe masakrimin e kufomave. Me plaçkitjen e të vrarëve, zvarritjen e kufomave, prerjet e gjymtyrëve, pastaj me përdhunimet e grave e të vajzave. Aktor-regjisori i vendos dhe i shpreh tani në skenë si tablo të mëdha surrealiste, por gjithsesi drithëruese, për t’u seleksionuar njëra pas tjetrës nga dora e xhelatit sadist. Aty pranë, skenografi e piktori Zeni Ballazhi, ka vendosur një trekëmbësh ku varet një kafkë e mbushur me ujë, si për të plotësuar imazhin e kampit ushtarak, ku edhe kryhen autopsitë.
Një makabritet që demonstrohet artistikisht, duke i’u shmangur natyralizmit, sa qe e mundur! Aktori lëvizte përmes kufomaave, i veshur me një mushama të përgjakur, që zbret në atë mugëtirë njerëzore si nga ferri. Me etjen cinike të një vampiri. Dhe në grumbullin e kufomave të sapo vrara do të gjente trupin e një foshnje që përpëlitej ende në grahmat e fundme të jetës, së cilës xhelati do t’i marrë edhe frymën e fundit! Fare qetësisht. Për të arritur te trupi gjysmë i vdekur i një vajze të ritur, që lëngonte ende nga plagët, për të rrënë mbi të, me etjen seksuale të një kafshe. Spektarorët u ngitën në këmbë me të njëjtën ofshamje tmerri. Dhe një klithmë erdhi e u ngritë drejtë qiellit nga perdja anësore. Unë u ndodha pak më tej e do të vija re sesi ajo mbuloi fytyrën me të dyja duart që i dridheshin. Ajo, aktoria e Teatrit Serb të Beogradit, Rada Djuriçin,,,
Ajo qe gati të bine sheshit, pran atyre pishave të dëndura që kishin shtrirë degët si duart e gjysmë të vrarëve edhe ato. Djuriçin kishte interpretuar dikur në skenën e Beogradit edhe Ana Frankun e vrarë nga nazistët gjermanë dhe për të parën herë shihte një shëmbëlltyrë ca më të tmerrshme. Ajo kishte interpretuar mbi 50 role në teatër e 12 role në kinema. Si edhe 30 role të tjera në filmat televiziv serbë. E krenohej që, me aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu kishte interpretuar “Zonjën Kollontaj”… U ul të merrte veten diku nga fundi i rradhës së karrikeve, me fytyrën e zbehtë dhe ndjente sesi vibronte dhimbja. E mbërthyer e tëra nga një dilemë tronditëse. Nën peshën e një masivi akulli polar, si të ishte rasa e varrit të saj. Atëhere, kur asaj i dhuronin tufa lulesh në skenë dhe i pat shtrënguar duart edhe Milosheviçi. Me buzëqeshjen e tij fatale. E, ja se ç’kishte kryer ky njeri, që kishte përfunduar aty në Hagë, që të përgjigjej për krimet e tij! Po duhej të mbaronte kjo shfaqje e pazakontë e aktorit Prishtinas, për të parë më qartë dramën e vërtetë edhe nga sytë e aktores serbe…
Disa orë më vonë ne do të hynim në sallën e brendshme të kishës më të vjetër të Voskopojës, në atë të “Shën Kollit”, për të parë edhe interpretimin e Rada Djuriçinit në veprën e Dostojevskit “Krim e Ndëshkim” që tingëllonte si një pendesë e mëpastajme traumatike. Duke komunikuar shpirtërisht me ikonat murale të shenjtorëve të pikturuar me plot gjallëri e realizm prej David Selenicës që në vitin 1721… Aktrimi të lejon të interpretosh edhe përball veprash të tilla të ikonografisë e nën kupola kishash të lashta, për të përcjellur mesazhe të përafërta, humane e paqeje, që kanë të bëjnë edhe me genocide të tilla shekuj më voë. Artisti proteston edhe përmes veprës s tij, kur krimet përfshijnë, jo më orbitin e një politikani të çmendur, po edhe të krejt një shoqërie të molepsur…. Artistja nga Beogradi do të irritohej e nuk mund të pajtohej me këtë subjekt pantomime, edhe sikur ta bënte një pantomimist i famshëm si Marsel Marso i një kombi tjetër të civilizuar… Se aty vërtitej diçka kanibaleskke, e interpretur nga një artist i Kosovës martire. Tronditja e saj sikur hynte edhe përbrenda kësaj kishe, që ajo e zgjodhi për të interpretuar Dostojevskin e zymtë të Rusisë… Dhe i gjithë monologu i saj, në atë komunikim shpirtëror me autoportretin ëngjëllor të Davidit –që aq shumë i afrohej me atë të artistit prishtinas, jepte atë kataklizm shfajësimi, pendese, po edhe proteste, ndaj atyre që ajo kishte mbi krye e që kishin mbushur me kufoma tokën e Kosovës e të Bosnjës. Edhe pse nëpërmjet Dostojevskit, krimi anatemohej, po aty, midis shenjtorëve dhe të atyre pak spektatorëve që ishim ngurosur nën atë kupolë kishe dhe e duartrokitëm tanimë qytetaren serbe Rada Djuriçin. Duartrokiti edhe Ai, interpretuesi i Kosovës.
Disa ditë më pastaj, kur do të mblidheshim në sallonin e madh të Hotel “Kristalit”, sipër në kodër,nga ku e gjithë Korça shihet si në “pëllëmbë të dorës” dhe ne u mblodhëm aty të festonim arritjet tona e të gëzonim vlerat e artit, Zonja Djuriçin erdhi andej nga fundi, me elegancën e një balerine,-sikundër edhe ishte, si edhe me hapin e saj të lehtë, u ul gjithashtu me delikatesë, po andej nga fundi i sallës që ndriste prej llampadarëve të njëhershëm, tek zhurmimi i zërave dhe akordimi orkestral qenë në atmosferën më të lartë të kënaqesive. Mentori i’u afrua fisarmoniçistit e diçka foli me të. Mandeje u ulë i kënaqur afër meje. Ishim miqësuar që në Pejë qysh atëhere kur edhe ai krijoi Festivalin e Monodramës, me sugjerimin e artistes Ukrainase Nina Mazur që kryesonte “Forumin e UNESKOS”. “A më bëni një nder miku im,- mërmëriti ai pranë veshit tim,duke vazhduar më tej fjalën, pas miratimit tim,-sapo i kërkova orkestrinës ta “hap mbrëmjen” me valsin “Valët e Danubit”. Më keni thënë se u pëlqen së tepërmi ky valcer që në Shkollën e Aktrimit, apo jo?A mundesh ta kërceni ju të parët me Zonjën Djuriçin?”… Stepa e i thashë se nuk isha aq i zoti, sa ajo, se koha kishte bërë të saja, se isha mplakur tashmë dhe se frigohesha mos më dridheshn gjunjët para saj e do të rëzohesha për dreq!,”Mos ,-he burr,-tha ai,-mos ma prish! Ajo është edhe balerinë e dëgjuar e ka me t’fluturue për krahi e përmes valëve të valsit”… Nuk fola më… Ndërkohë që tingujt magjepsës të valsit të Shtrausit mbushën sallën… Askush nuk u ngrit!… Mentori më shihte me bishtin e syrit… Atëhere sikur mora hov, u ngrita e pas disa sekondash u gjenda përpara aktores serbe… Qe ajo që stepi paskëtaj… Pa rreth saj e befas i dha shtatit përpjetë, duke hapur krahët, si fletë fluture… E na rëmbyen tingujt e valsit, si të na rrëmbenin vetë valët e Danubit të Kaltërt, që bashkonin të dyja brigjet…
Rishkruar në Piqeras këto ditë shtatori të 2022-it, sipas librit tim”BISEDË ME MUZAT” të vitit 2008.
Please follow and like us: