Ardit Bido: Mbi harresat me dashje
Për 45 vite me radhë u kremtua si një ndër festat më të rëndësishme kombëtare nga shteti shqiptar dhe si festa më e rëndësishme jofetare nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Çdo vit, në Berat, Korçë, Gjirokastër e Tiranë, zhvilloheshin aktivitete, shërbesa fetare dhe fjalime për të kremtuar shpalljen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse. Pas marrjes së Tomosit nga Patriarkana e njohjes së autoqefalisë, 12 shtatori vijoi të trajtohej si pikënisja e rrugëtimit të vetëqeverisjes së Kishës Shqiptare dhe teologët më të rëndësishëm të saj, Dr. Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi, Dhimitër Beduli, etj., e veçonin këtë datë. Me ardhjen e regjimit komunist në pushtet, vetëm klerikët do vijonin kremtimin teksa regjimi ateist nuk donte më të atashohej mr aktivitete të bashkësive fetare, pavarësisht rëndësisë së tyre historike kombëtare. Pas vitit 1967, heshtje. 23 vite ateizmi dhe 30 vite demokracie e lanë në heshtje këtë datë të shënuar, teksa politika u fut në zullumin e debatit shterpë të ditës, bota akademike u mënjanua dhe kleri vendosi që të shkëputej nga interpretimet e teologëve më të mëdhenj që kishte historia e saj, prej faktit se rreknin kombëtarisht. Doktori i shkencave teologjike të Universitetit të Athinës, elbasanasi Visarion Xhuvani, i diplomuari i shkollës së Halkit, beratasi Kristofor Kisi, doktori i shkencave teologjike i Universitetit të Bukureshtit, minoritari (më shqiptar se shqiptarët) Dhimitër Beduli, do të injoroheshin në interpretimet e tyre teologjike nga një tufë të keqdiplomuarish me bursa të dyshimta.
Ndaj, sot, isha mëse i lumtur që isha krah mikut tim Ervin Demo, i cili pati idenë e shkëlqyer të përjetësonte Kongresin e Beratit përmes një pllakate përkujtimore që do të qëndrojë përjetë në ish shkollën e Mangalemit, ku u mbajtën punimet e kongresit që i dha fund, qoftë edhe provizorisht, ndërhyrjeve të huaja në një bashkësi fetare që është pasuri kombëtare.
Faleminderit Bashkia Berat.
Please follow and like us: