Albspirit

Media/News/Publishing

Shuhet ikona e filmit, e magjishmja Irini Leleku

Shuhet ikona e filmit, e magjishmja Irini Leleku (Irena Papas) (3 shtator 1926 – 14 shtator 2022)
Si fëmijë më tërhiqte si rrallë ndonjë aktore Irena Papas, si e njihnim më shumë. Ende isha fëmijë, kur në debatet për shqiptarët e famshëm nuk hezitonim ta fusnim emrin e saj. Nuk ishim të sigurtë, por duke u nisur nga fakti se ajo thuhej se ishte me origjinë nga Greqia apo një greke, ne e zhvendosnim tek shqiptarët, pak nisur nga ideja, se shqiptarët atje gjithnjë ishin një shumicë, duke i shtuar kësaj, edhe pamjen, e cila mua më dukej një zonjë magjike, e gërshetuar me çiltërsinë, melankolinë dhe bukurinë, ajo të bënte të mendoje sikur ajo e jetonte jetën tonë të dhimbshme!
Kur luante ajo në ata filma që shfaqte TV Prishtina, ne mburreshim se tashmë luante një shqiptare. Vëllai im Sabriu, e kishte lexuar tashmë këtë të dhënë, por natyrisht si gjithmonë kishte ndonjë që kundërshtonte, se ishte një përpjekje për të shqiptarizuar thuajse në çdo mënyrë, heronjë apo aktorë!
Por, nuk ishte më një sekret se ajo kishte luajtur bashkë me aktorin tjetër të shquar shqiptar Bekim Fehmiun, në filmin “Odisea”, serial italian! Edhe pas 20 vitesh do ta luante një film të dytë me Bekimin, duke qenë protagonist sërish!
Shumë më vonë, në kohën e internetit dolën gjithnjë e më shumë prova, dhe mundësi njohje, por edhe të gjetjes së deklarimeve të saja, se ajo ishte vërtetë shqiptare!
Ajo edhe pse nuk mori çmimet kryesore të filmit si Oskar, ajo ishte protagoniste në filma me sukses të madh, dhe kishte për partner po ashtu aktor të shquar si: Antoni Kuin, Riçard Barton, james Cagney, Don Dubbins, Bekim Fehmiu…
Alejandro Valverde García rolin e aktores shqiptare Papas në “Gruaja e Trojës” (The Trojan Women) e përshkroi si “Helenën kinematografike më bindëse që është përfaqësuar ndonjëherë”, ‘duke vënë në dukje se skenari ishte shkruar me të në mendje’.
Pas një numër rolesh në teatër dhe filma në Greqi dhe Europë, ku më së shumti e bëri të njohur roli në filmin “Qyteti i vdekur” (Dead City) 1952, ajo ia doli të debutojë në Hollivud me një rol të pjesshëm në filmin “Njeriu i Kajros” (The Man from Cairo, 1953).
Edhe vikipedia në anglisht edhe pse me dyshim, e jep thënien e saj të qartë për origjinën e shprehur shqiptare: “Ndoshta unë jam shqiptare ose gjysmë shqiptare. Peloponezi është plot me shqiptarë”.
Pra, ajo shkon përtej çdo dyshimi se është shqiptare, duke thënë se “Peloponezi është plot me shqiptarë”!
Filmat që vlerësohen më të njohur ku ajo luajti janë:
The Guns of Navarone
Zorba the Greek
The Trojan Women
Iphigenia
Antigone
Electra
Por, pa dyshim për shqiptarët, ajo mbahet mend për filmin serik “Odisea”, ku luan rolin e Penelopës, heroinës së lashtësisë, që nuk u martua kurrë derisa u kthye heroi i luftës së Trojës, burri i saj Odiseu!
Sipas Fahri Musliut, aktorja Papas ka luajtur me Bekimin edhe në filmin “Sa tokë i duhet njeriut”, (1983) 15 vjet pas serialit të parë dhe 20 vjet pas filmit të parë, në serialin tjetër italian “Fëmia me emrin Jezus” më 1988.
Kritiku i filmit Roger Ebert kishte vërejtur se kishte shumë “vajza të bukura” në kinema “por, jo shumë gra”, dhe Irena Papasin e quajti një aktore të shkëlqyer.
Enciclopedia Italiana e përshkruan Papasin si një bukuri tipike mesdhetare, me një zë të mrekullueshëm si në këndim ashtu edhe në aktrim, shumë të talentuar dhe me një shpirt aventuresk.
Ndërsa, Olga Kourelou thoshte se kineastët nga Cacoyannis e këndej e kanë përdorur sistematikisht pamjen e saj: “Lëkura e saj e bardhë si shkumës dhe flokët e zinj të gjatë, sytë kafe të errët, vetullat e trasha të harkuara dhe hunda e drejtë e bëjnë Papasin të duket si ideja thelbësore e Bukurisë…”, shkruan në vikipedia.
Nga faqja aktorët shqiptarë:
Ndërron jetë aktorja e madhe me origjinë shqiptare, Irini Papas.
Ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në moshën 96-vjeçare.
Gjatë xhirimeve të filmit legjendar “Odisea” në vitin 1968, në momente pushimi, Irena Papas dhe shqiptari tjetër i madh Bekim Fehmiu kanë qenë duke biseduar në një gjuhë që nuk ishte e askujt tjetër nga trupa e filmit.
Të pushtuar nga kureshtja, njëri prej tyre i pyet:
-“Më falni, por cila është gjuha që ju po e flisni”?
Irena Papas (Irini Leleku) e prek në dorë Bekim Fehmiun, që ta linte të përgjigjej:
-“Është gjuha e nënës”.
-“Gjuha e nënës? Po cila mund të jetë ajo gjuhë e nënës kur ju jeni greke e Bekim Fehmiu jugosllav” – pyet gazetari?
-“Unë jam shqiptare nga Greqia kurse Bekimi shqiptar nga Jugosllavia, por më e rëndësishmja është se ka qenë vullneti i vetë Zotit që ne të dy t’i luajmë këto dy role sepse dikur edhe vetë Penelopa dhe Odiseu kanë folur po të njëjtën gjuhë që e flasim unë e Bekimi sot”, tha Irena.
-“Por historia thotë se ata ishin grekë”, ia ktheu gazetari i habitur!
-Po mirë pra, edhe ti tani je duke më konsideruar greke edhe pse origjina ime fare nuk është greke”, i ishte përgjigjur Irena.
Vetë aktorja në një intervistë tjetër, e pyetur se përse ishte kaq ezmere, është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Ajo ishte ezmere si unë. Ajo vinte nga Epiri, ndërsa im atë vinte, sipas gjasave, nga Shqipëria.
Nga Vikipedia disa të dhëna por, të përshtatura sipas realitetit të historisë së vërtetë, jo asaj të shkruar me imponim:
Papas lindi si Irene Lelekou (Ειρήνη Λελέκου) në fshatin Kiliomidi, jashtë Korintit, në Greqinë e sotme, ku jetonin prej mijëra vitesh paraardhësit e shqiptarëve, të njohur nga mesjeta si arvanit.
Nëna e saj, quhej Elen Preveza (ndërsa, zyrtarisht grekët ia shtonin sufiksin –nou) (Ελένη Πρεβεζάνου), ishte mësuese shkolle, ndërsa babai i saj, Stavros Leleku (-os) (Σταύρος Λελέκος), i cili kishte mësaur dramën klasike në shkollën Sofikós në Korinth.
Është interesant se në vikipedia jepet një sekuencë e shfaqjes së dramave-tragjedive, por që momentet e përshkruara janë tipike me doket e shqiptarëve, gra që shkulin flokët në momentin e vdekjes së më të dashurit.
“Një teatër lëvizës vizitoi fshatin e saj, dhe shfaqte tragjedi greke me gratë që grisnin flokët, ndërsa ajo lidhte një shall të zi rreth kokës dhe performonte për fëmijët e tjerë”.
Familja u shpërngul në Athinë kur ajo ishte shtatë vjeç. Ajo u arsimua që në moshën 15-vjeçare në Shkollën Mbretërore të Artit Dramatik në Athinë, duke ndjekur kurse kërcimi dhe këndimi. Ajo e gjeti stilin e aktrimit të mbrojtur nga Shkolla të modës së vjetër, formale dhe të stilizuar, dhe u rebelua kundër tij, duke bërë që ajo të përsëriste një vit; ajo përfundimisht u diplomua në vitin 1948.
Please follow and like us: