Miho Gjini: TRE LIBRA ME FABULA NGA YMER NURKA
Pa e njohur Ymer Nurkën dhe duke pirë kafe në Tiranë me një poete, ajo shprehte entusiazmin e saj pas çdo gllënkë kafeje për vjershat me karakter popullor të Ymer Nurkës dhe me dialogun poetik që ai bënte me Timo Mërkurin nga Piluri. Me “hidh e pritë”, vjersha pafund përmes celularëve të tyre, që atë çast bëheshin edhe pronë e të tjerëve. Si të ishin “gjerdane këngësh shpirti”. Aq fort të bukura saqë harroje jo vetëm kafen që kishe përpara, po edhe andrallat e ditës…
Për të mësuar diçka më tepër për këtë bohem që shkruante edhe vargje poetike pë dashurinë në faqen e tij elektronike, poezi të ëmbëla për vajzat cigane që dridhnin belin në vallzim, për shoqet e rinisë që i shkelnin syrin, për fshataret e veta të reja që mbushnin ujë ndër burime e lanin llërët e gjiret e bardhëllyera, si edhe për ato vështrime epshndjellëse të vallzueseve të gjimnazit, tek i kishte në krahët e tij e u çikte trupin lozonjareve të përvëluara për duar burrash… Ymer Nurka quhej ky, një poet lirik, që na vinte si papritur nëpër faqe celularësh, ekranesh kompjuterike e “tek-tuk” ndër cepa gazetash letrare të ralla… Më pyet ti ç’është dashuria,-shkruan ai në njerin varg dhe përgjigjet në vargun tjetër: Është pjesa jote e munguar”. Apo kur thoshte: Shkrepa pak prush/Më fale një zjarr që më djeg!
E do ta kërkoja ta njihja edhe unë e ta bëja mik nëpërmjer Aqif Hysës, Rexhep Shahut e Izet Durakut, (njerëz të letrave edhe ata), tek pinim nga një gotë me verë, pas panaireve të librave e pas ndonjë botimi të secilit, kur festat e promovimet ishin kaq të pakta e që bëheshin si shpesh, me rekomandimet e ndonjë botuesi, edhe pa i lexuar fare asnjeri ato. Po ja që, ne të katërt i lexonim librat e njëri-tjetrit e i festonim veçmas, me lëngun Dionisiak përpara, me diskutime të çiltëra, me sugjerime e kritika të hapëta dhe pa u zemëruar asnjëherë me njëri-tjetrin. E në këtë “Rreth letrar” miqsh do të afronim edhe Ymer Nurkën pe Korçe që jetonte në Durrës e që kishte filluar të na gëzonte me ato krijimet e veta të ndjera, prej djaloshi të dashuruar… Rasti do ta sillte që të bëheshim bashkë të pesë miqtë në Panairin e Librave të Durrësit që e organizoi poeti Aqif Hysa më 2016-ën, i cili do ta linte Italinë ku kishte emigruar e të merrej këtu me botime e panaire libri. Dhe pikrisht në këtë panair libri, Ymeri, i pesti, do ta ‘pagëzonte’ veten edhe si FABULIST me tre libra njëherësh, botuar prej Aqifit në Sh.B. ADONIS,-të themeluar po prej tij e redaktuar nga Rexhepi me Izet Durakun…
Kanë kalur gjashtë vjet qysh atëhere dhe mua tani më erdhi mbarë të shkruaj për to (“Kuvendi i qenve”, “Marshi i Lukunisë” dhe “Zbori i Zbatharakëve”), ku Ymer Nurka e prezanton veten edhe si lëvrues i fabulës, si gjini e veçantë letrare,-nga të parat fare- që nga kohët e Antikitetit Grek, me Ezopin e famshëm, babain e fabulës, i cili,-si skllav që ishte- i krijonte vjershat e tij të mënçura nga jeta e bota e kafshëve, për të sfidur veset e padrejtësitë e skllavopronarëve, që i kishin zaptuar jetën, me këmbë e duar “të lidhura”, pa kurrfarë lirie njerëzore. Duke folur për cenet e kafshëve, Ezopi u drejtohej njerëzve, duke krijuar simbolikën më të fuqishme, si një ALARM për shoqërinë e rendin egzistues… Për të mbetur më pastaj si njera prej gjinive letrare që do të kultivohej ndër shekuj, krahas gjinive të tjera të atyre kohërave, sidomos përmes teatrit, filozofisë e pikturave murale. E që do t’i jepte hov e zhvillim poezisë e gjinive të tjera letrare.
Në këto tre libra Ymer Nurka shfaqet si një fabulist, po në atë shtjellim Ezopian në “shigjetimin” e veseve të banorëve të pyllit e të oborrit shtëpiak, për të dalur tek njerëzit që ka përreth vetes, që nga shoku, miku, drejtori, ministri, deputeti e gjer tek Kryetari i Qeverisë a Presidenti i vëndit. Pra, ka një goditje gjithpërfshirëse e të shtrirë në gjithë realitetin shoqëror, nëpërmjet satirës, duke fshikulluar vese e fenomene negative të njeriut, -sikundër janë: grykësia, babëzia, lakmia, korrupsioni, mëndjemadhësia, hipokrizia, pabesia e tradhëtia, etja për pushtet e despotizmi, hajdutëria, dembelizmi e të tjera si këto, që e deformojnë karakterin e njeriut. Kur edhe fabulistët tanë i numëronim me gishtrinjë, si të ishin “specie” të rralla! Sepse nuk ishte e lehtë që të shprehje në pak vargje e strofa poetike esencën e mënçurisë dhe të vetë jetës që ndërlikohej parreshtur e që shpesh herë duhej t’i referoheshe “botës së kafshëve” për të dalur tek njerëzit zëmërakë e hakmarrës! Po, në këto libra, autori ka një fat të madh, se ështe bashkautor me Kosta Rakën, piktorin karikaturist të talentuar, që ka ilustruar këto libra, me figuarat e personazheve kafshë e shpendë që ngjasojnë aq shumë me fytyrat e personazheve njerëz. Jo thjeshtë si fizionomi e dyanshme, po edhe me psikologji, veçori, tipare dhe të dhëna si karaktere në lëvizje e në marrëdhënie. Ky paralelizm i bën librat e Nurkës mjaft të këndshëm për të vegjëlit dhe tërheqës për të gjitha moshat.
Njëherësh: ato lexohen me ëndje, sepse kanë rrjedhshmëri, larmi e variacione ndodhish, surprizash, ngjarjesh, personazhesh e kontradiktash, që jepen në një jetë të gjallë e dinamike, me pjesëmarrje nga të gjitha llojet e kafshëve të egëra e ato të buta që i kemi nëpër shtëpiat tona, që nga Mbretërit e Pyjeve: Tigri e Luani e deri tek miu i vërave, i kudondodhur. Se “Po morën pushtet/këta trima/do na bëjnë/një shtet me vrima”!Autori shtjellon fabula të reja, po ka aty edhe perifrazime titujsh e fabulash të njohura që trajtohen krejt ndryshe, me një tjatër vërtetësi, ide e imazhe. Kështu p.sh Fabula “Histori e Vjetër”, nuk trajtohet si në variantin klasik (“Korbi dhe Dhelpëra”), kur Korbin e mashtron Dhelpëra që të flasi dhe ta lëshojë djathin nga goja, po Korbi e kupton tanimë dredhinë e saj dhe e tallë dhelprën, duke i sajuar një dredhi tjetër, me një copë sapuni në gojë, duke ia lëshur dinakes mu në gojën e saj të shqyer nga lakmia! Se “Ma ka lënë/gjyshi amanet/të mos i besoj/skiles për jetë”. Një leqendisje edhe më e rafinuar e tallëse. Fabulat e tij kanë origjinalitet, si tek “Kulpra, Lisi dhe Hardhia”, ku ndëshkohet dëshira fatale për të jetuar vetëm e larg të tjerëve, duke u mburrur e i përbuzur që të gjithë, gjersa kulpra i ngjitet në trung e ia merr frrymën tërësisht. Se “Lisi që s’pranoi/hardhinë,/mban pa nder/kulpra mbi shpinë”. Shpesh ato, fabulat, kanë edhe moralin e tyre konçiz në vargjet e fundit, po jo gjithëheri është kështu, kur autori bën zgjatje e stërhollime që dëmtojnë masën e duhur, konçizitetin e krijojnë shtrirje e spjegime të panevojshme. Kështu p.sh në Fabulën “Greva” jepet bukur greva absurde e gomarëve në shtatë strofat e para, duke përfunduar tek vargu i kërkesës së tyre kryesore që “shteti të na heqë samarët” e fabula nuk ka nevojë fare të ketë edhe 40 strofa të tjera me vargje spjeguese e arsyetimesh të tjera… Mandej, edhe etja për pushtet, si tek Fabula “Epopeja e Leshit”, edhe pse e shkruar në natyrën e poezive satirike, nuk ka nevojë që të ketë një tejzgjatje gjer në 83 strofa(?!). Pa dhënë receta, mund të thuhet se, vetë natyra e fabulës nuk e pranon tejzgjatjen, spjegimin e tepërt dhe moralizimin direkt e të përsëritur. Përndryshe ja beh mërzia, lodhja e monotonia. Se të ikën nga dora edhe “kapistalli” e “hajde mbaje kalin që merr revan”. Aty ku autori paraqet fabulën e shkurtër, edhe morali bëhet më konçiz, më i qartë, edhe leximi më i këndshëm. Edhe përdorimet e të gjitha llojeve të metrikës së vargëzimeve, mund t’ia shtonin ca më tepër larminë këtyre fabulave të lezeçme të Nurkës, sidomos kur i “merr revan kali”, sipas katër rrokshit!…
Në këto libra me vlerë ndjehet fort bukur edhe aludimi me kohën e sotme, aktualiteti shoqëroro-politik, veçanërisht tranzicioni i gjatë dhe i lodhshëm, në një shoqëri pluraliste, me sensibilitete e kërkesa shpesh absurde partish e kontradiktash herë-herë frenuese, me etje partish të vogëla që ngecin në sokakun e tyre dhe mbeten të tilla, të vogëla, në vite e dekada, si edhe me një parlament ku nganjëherë “nuk e merr vesh i pari të dytin”! Ku, sipas fabulistit,-edhe minjtë duan të kenë partinë e deputetët e tyre, apo ku tigrat e luanët duan, me domosdo, që të jenë gjithëheri në krye të “trapezit”, për jetë të jetëve, si te “Kuvendi i qenve”, ku përsëri autori shprehet shumë gjatë, me 56 strofa. ”…Si në një tablo reale, të gjërë e të pafundme nga “BOTA E PYLLIT”: Kur “Mblidhen qentë/në një katund,/korrupsionit/t’i japin fund/….Me të katra/shkelen ligjet/edhe prapë askush/s’përgjigjet/… Harruan besën/dhe kuvëndin/dhe të gjithë/pas kockës rendin/Për të ziren/çirren, mbyten,/hahen, brehen,/kacafyten!…”.Duke e përfunduar moralin e fabulës së tij me këto dy vargje:”Soji ynë një jetë të tërë/Pronë s’ka patur e pronë ka bërë”!
Por edhe pse fabulistat shprehen me metafora nga jeta e kafshëve, ka edhe njerëz, zyrtarë e politikanë që gudulisen dhe që e kuptojne se për ta bie “kambana” dhe e helmojnë me fjalë Ezopistin e sotshëm. Prandaj edhe Ymer Nurka paraqet në fundin e tre librave (tek “Zbori i Zbatharakëve), Fabulën “Apologjia e Ezopit”, ku shkruan: ”Gjyq i ngrënë Ezopit thellë atje në ferr/Një nga një ia renditën çdo kokallë./Vërshuan akuzat për skllavin e ndjerë/Pse folur pat si “kafshë”, kur ishte gjallë”. Ndërsa Ezopi përgjigjet kështu në gjyqin e ngritur nga kafshët: ”Pra, më thoni, o njerëz të rinj e të lashtë,/Jepmani përgjigjen që as vetë s’e di./A qesh unë njeriu që fola si kafshë,/Apo qesh një kafshë që fola si njeri”!? Dhe do të mbetet si një thënie lapidare, esenca filozofike e tij: “Sa më e vogël mendja , aq më e madhe arroganca”!
Shkruar në Piqeras, në këto ditë vjeshte të motit 2022.
Please follow and like us: