Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Është shuar Hetem Qerimaj…

 
Është shuar Hetem Qerimaj. Lajmi i ikjes së tij vjen si një melodi me violinë virtuozi, nga ato që luajti deri pak para se të ikte. Ky lajm, që i ngjan kabasë, përcjell trishtim se ikën njeriu e s’vjen më, por gjithsesi mbetet një trishtim i shtrirë, që gradualisht bëhet ngashënjyes dhe i ajërt.
Dhimbje e bukur, plot ngrohtësi, ajër dhe dritë. Kështu mund ta quaje muzikën që interpretoi mjeshtri i madh, gati – gati autodidakt. Përzierja e dhimbjes me gëzimin, e vajtimit me këngën gufuese e ngazëllyese i bën interpretimet që na la Mjeshtri tejet të gjalla dhe, pas të gjitha gjasash, edhe jetëgjata.
Çaplini me violinë e pat quajtur dikur Vath Koreshi, se si rrallëkush Hetem Qerimaj i shtonte interpretimit të instrumentit edhe lojën e mimikës dhe gjuhën e trupit si për të dëshmuar se artistët e vërtetë shkrihen e bëhen një me veprën.
Lajmi i vdekjes së Mjeshtrit vjen si një dhimbje e bukur edhe ngaqë la pas vetes një trashëgimi tjetër të çmuar: një dinasti krijuesish në tre breza. Një arsye më shumë pse në këtë ditë përcjelljeje i ka hije thënia e Dritëroit: Punove mirë usta!
14 shtator 2022.
Please follow and like us: