Cikël poetik nga Rexhep Polisi
PULBARDHAT
U trembën pulbardhat
E ikën fluturim
Mbi liqenin e trëndafilave
Të egër,
E tash
Nga dhembja
Qajnë mëngjeset,
Gjithë trishtim…
* * *
Nëse më ikën si fllad ndër duar
Unë bëhem erë dhe të arrij,
Nëse më vjen si vesë mëngjesi
Bëhem borë e aty shkrij…
NJË QERSHIZË
Një qershizë e brishtë buzë rruge
Paska çelur pa pritur muajin maj,
Lodrojnë petalet në ditën e murrme,
Unë s’di pse ndjehem si i zënë në faj…
Harruar në shkresat mbi tavolinë,
Më ikën ditët krejt pa kuptuar…
Sot kjo qershizë më solli freskinë
E një stine që më kish munguar…
* * *
Ti vëren buzëqeshjen e çiltër në fytyrë
Dhe thua, “sa lumturi buron brenda tij”,
Por s’mund ta dish se dallgët në shpirt
Përplasen dhimbshëm me mënxyrë…
Ikën kërrusur nga pesha e dhembjes,
Ai që ti e sheh çdo çast fytyrëbleruar
Dhe askush nuk i kushton vëmendje,
As dielli s’ia ngroh shpirtin robëruar.
QAJNË PEMËT
Rrugët heshtin gjithë lëndim…
Asgjë s’pipëtin në motin gri,
As borë nuk bie në qytet.
Veç pemët qajnë:
Qajnë prej mallit tim
Për lulet, për zogjtë,
Për Njeriun
Gjithnjë në shtegtim…
* * *
Gishtat po më digjen
Si prushi i faqeve të tua.
Po më ndizet dëshira.
Afsh në të tuat buzë…
Dëshira, eh dëshira!
Lundron, fjetur në lumë,
Ëndrra e kahershme
Po më le pa gjumë…
Please follow and like us: