Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-drejtori i kundërzbulimit të FBI-së nën shqyrtim për lidhjet me qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës

Ish-drejtori i kundërzbulimit të FBI-së në New York City, Charles McGonigal ka përfunduar në radarët e prokurorëve federalë për lidhjet e tij me Rusinë dhe qeveri të tjera të huaja.

Mes tyre renditen Bosnjë dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.

Lajmi u bë i ditur nga kompania amerikane “Business Insider”.

Sipas thirrjes së dëshmitarit, prokurorët po shqyrtojnë nëse McGonigal ka lidhje me qeverinë e Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe ndonjë “pagesë apo dhuratë” që i është dhënë nga qeveritë e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Dy burime i thanë “Insider-it” se McGonigal ishte i afërt me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Sipas një e-maili të rishikuar nga kompania mediatike, McGonigal përdori adresën e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes Ramës dhe një firme amerikane.

Kjo e fundit, ishte menduar për t’u kontraktuar për një nismë kundër korrupsionit.

Por, kryeministri nuk i ka shkuar më tej kësaj tentative të zyrtarit amerikan nën motivimin e “marrëdhënies miqësore dhe jo të biznesit” duke mos pasur asnjë veprim.

Detajet u sqaruan nga një përfaqësues i kreut të qeverisë shqiptare për kompaninë amerikane.

“Ne nuk kemi asnjë ide për ndonjë juri të madhe dhe asnjë autoritet amerikan nuk na ka kontaktuar ndonjëherë për këtë. Nuk ka pasur kurrë takime me firma, dhurata, pagesa, rimbursime udhëtimi përpara ose pasi zoti McGonigal të largohej nga puna”, vëren zyrtari shqiptar.

Duke cituar Insider, FBI-ja gjithashtu nuk e kishte dhënë pëlqimin për këtë takim duke dhënë përshtypjen se McGonigal po përfundonte nën shqyrtim për veprimet e tij.

Hetimi

Ish-agjenti i nivelit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, ishte i përfshirë gjithashtu në hetimin për kontaktet e fushatës së Trump me Rusinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

Në fund të vitit të kaluar, sipas dokumenteve të brendshme të gjykatës të siguruara nga Insider-i, avokatët amerikanë mblodhën fshehurazi një juri të madhe që shqyrtoi sjelljen e Charles McGonigal.

Një thirrje dëshmitari e marrë nga kompania mediatike duket se tregon se qeveria, pjesërisht, po shqyrtonte marrëdhëniet e biznesit të McGonigal me një ndihmës të lartë të Oleg Deripaska-s, oligarku rus i cili ishte në qendër të akuzave se Rusia ka bashkëpunuar me fushatën e Trump për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016.

Thirrja, e lëshuar në nëntor, kërkon të dhëna në lidhje me McGonigal dhe një firmë konsulente në hije të quajtur “Spectrum Risk Solutions”.

Një javë pas lëshimit të thirrjes, një emigrant me origjinë sovjetike i quajtur Sergey Shestakov tha në një dosje të veçantë se McGonigal e kishte ndihmuar atë të “lehtësonte” një hyrje midis Spectrum dhe ndihmësit të Deripaska-s.

Në dosje thuhet gjithashtu se McGonigal ndihmoi në prezantimin e ndihmësit me Kobre & Kim, një firmë ligjore në New York që është e specializuar në përfaqësimin e klientëve që po hetohen me dyshimin për “mashtrim dhe sjellje të pahijshme”.

Shestakov, i cili është identifikuar në panelet televizive si një ish-zyrtar i ministrisë së jashtme sovjetike dhe ish-shefi i shtabit të ambasadorit sovjetik në Kombet e Bashkuara, raportoi se kishte marrë 33 mijë dollarë për referimet.

Detajet

Deripaska u sanksionua nga Departamenti i Thesarit në vitin 2018 për veprimin e agjentit të Kremlinit dhe është akuzuar për urdhërimin e vrasjes së një biznesmeni.

Nuk është e qartë nëse McGonigal është një objektiv i hetimit të jurisë së madhe, apo thjesht një subjekt, aktivitetet e të cilit janë disi të lidhura me të.

Dhe nuk ka asgjë në dokumentet e gjykatës apo diku tjetër që të sugjerojë se McGonigal u soll në mënyrë të papërshtatshme gjatë hetimit të FBI-së për fushatën e Trump.

Por materialet e kërkuara në thirrjen e dëshmitarit ngrenë pikëpyetje nëse një agjent i lartë i FBI-së mund të ketë përgjuar lidhjet që ai ka bërë gjatë viteve të shërbimit të tij publik për përfitime private.

Sipas një ish-zyrtari të lartë në Departamentin e Drejtësisë, i cili kërkoi të mos identifikohej, prokurorët pothuajse kurrë nuk i konsiderojnë akuzat kundër një rangu kaq të lartë në FBI.

“Është shumë e rrallë që ish-njerëzit e FBI-së, dhe sigurisht ish-njerëz të lartë të FBI-së, të përfundojnë si objektiva të jurisë së madhe”, tha zyrtari.

Shqyrtimi federal i McGonigal është veçanërisht i habitshëm duke pasur parasysh punën e tij në FBI.

Para daljes në pension në vitin 2018, McGonigal drejtoi hetimin e WikiLeaks ndaj Chelsea Manning dhe arrestoi këshilltaren e sigurisë kombëtare të Bill Clinton, Sandy Berger.

Në vitin 2016, kur u shfaqën raporte se Rusia kishte hakuar sistemin e postës elektronike të Komitetit Kombëtar Demokratik, McGonigal po shërbente si shef i seksionit të krimeve kibernetike në selinë e FBI-së në Washington. /Albanianpost.com

Please follow and like us: