Brikena Bogdo: ÇIZMJA PIKTORESKE E EDI RAMËS
Çizmja-qiell dhe diell është një karikaturë, të cilën e kam postuar, në faqen time në FB, pasi më ngacmoi një realitet dhe psikologji e thellë shqiptare. Karikatura tregon një piktor për të cilin, telajo ku ai po pikturon, është tabani i poshtëm i çizmes. Në tabanin e çizmes ai po ngjyros një qiell të kaltër dhe një diell. Nga piktori perceptohet qiell shumngjyrësh, ndërsa karikaturisti këtë këmbë e percepton në lëvizje, duke shkelur, nëpërkëmbur, shkatërruar gjithçka, poshtë saj.
A mundet të shndërrohet çizmja e dhunuesit, në një qiell të hapur shumëngjyrësh? Një piktor, edhe me shumë pak fantazi, mund ta shndërroje çizmen në qiell të qartë, të bukur. Por, si përjetohet çizmja shkatërruese, nga ai që e ndjen mbi kurrizi? A përceptohet e tillë, në një botë reale? Në fakt, këtë kanë tentuar shumë diktatorë, përgjatë kohërave, dhunimin ta përkthejnë, në një qiell të lirë, të hapur.
Jo rrallë, diktatorët janë adhuruar, apo vetadhuruar, janë dashuruar, apo vetdashuruar, janë hiperbolizuar, apo vethiperboizuar, janë hyjnizuar, apo vethyjnizuar. Dhe pikërisht ky dualizëm dashuri-narcizisëm, ka krijuar çrregullimin e psikës tek këta diktatorë. Për kryeministrin tonë piktor, dualizmi çizme-qiell dhe diell, është perfekte për psikën e tij dhe të këtij vendi. Me një popull, të familjarizuar me çizme shekullore, çizmen e tij, Rama nuk e percepton tepër të rëndë. Kjo, sigurisht, në sferën politike. Në sferën e psikologjisë, kjo njihet si sindroma e Stokholmit, ku i dhunuari, dashurohet me dhunuesin e tij.
Në një popull të nënshtruar, këta diktatorë kanë arritur të krijojnë iluzione të rreme, shpëtimtarësh. Shqiptarëve iu është dashur, të mësohen me çizmet e shumta shekullore, për t’i shndërruar, hera-herës, edhe në dashuri.
Shkrimtari i njohur italian, Dino Buzzati, në një nga esetë e tij, vë në diskutim deri guston e popullit gjerman, në pranimin, pa kushte, të një diktatori nga më të egrit e kohrave, pikërisht Adolf Hitlerin. “Gjermanët po të kishin patur pak gusto, nuk do e kishin pranuar Hitlerin, duke parë mustaqet e tij”, shprehet ai.
Shqiptarët nuk kanë, jo vetëm gusto, por edhe nuk po arrijnë të tregojnë inteligjencën për t’u shkëputur nga sindroma e Stokholmit, të dashurohen me dhunuesin e tyre të përditshëm. Jo vetëm po pranojnë brekushet e Ramës, por edhe humorin e tij të zi, për ta pranuar atë pa kushte, ashtu siç gjermanët pranuan dhe ndoqën verbërisht Hitlerin, paçka se ai po i drejtonte drejt humnerës, siç po i drejton, sot, Rama shqiptarët.
Rama është thjesht kryeministri i një vendi të varfër, me psikozën që, sa më të varfër t’i lërë shqiptarët, aq më tepër forcon pushtetin e tij personal, dhe aq më tepër rëndon çizmen e tij, mbi ta. Ai dominon lehtësisht këtë popull, madje edhe mund të tallet lehtësisht me të, duke u shfaqur me bipolarizëm, herë herë babaxhan (tipike enveriste), herë-herë arrogant, ofendues, fyes. Për kryeministrin shqiptar, populli duhet të shohë, qiellin, yjet dhe diellin, nën çizmet e tij. Në imazhin piktoresk të kryeministrit, tabani i çizmes së tij është thjesht liri, në një qiell të lirë, të hapur, të kaltër dhe me diell.
Por, kjo lojë që po luhet në kurriz të shqiptarëve, për t’i varfëruar, për t’i dominuar lehtësisht më pas, me shumë gjasa mund t’i kthehet si bumerang. Kjo varfëri, po i detyron shqiptarët të largohen masivisht dhe të kërkojnë azil, nëpër Europë.
Po jepen vazhdimisht sinjale nga Europa që, nëse nuk ndalohen azilkërkuesit nga Shqipëria, vihet në rrezik regjimi i vizave. Sapo ka ardhur një reagim negativ nga Tanja Fajon, e cila deklaron, se Shqipëria është në pikën kritike, për sa iu përket azil-kërkuesve. Ajo shprehet se, mund të rivendosin vizat, nëse shtetasit shqiptarë, në mënyrë masive, vijojnë të qëndrojnë ilegalisht, në shtetet europiane. “Qeveria duhet, menjëherë, të marrë masa per të kuptuar shkaqet, sepse jam e sigurt që, qytetarët shqiptarë nuk dëshirojnë, të rikthehen në situatën, që do u duhet të aplikojnë për vizë, për të udhëtuar në Europë. Mekanizmi i ndalimit të vizave ekziston, ndaj njerëzve duhet t’u krijohen kushtet, që të kenë një jetë normale, në vendin e tyre dhe për të mos u limituar në lirinë e tyre të lëvizjes”-thotë ajo.
Nëse shqiptarëve, tashmë, të mësuar me lëvizjen e lirë do t’u hiqet e drejta, këtë nuk do ia falin kurrë Ramës. Kryeministri, shumë shpejt, nuk do jetë liria e shqiptarëve, por burgosja sërish e tyre. Pak kohë më parë, zyrtari i lartë europian Jean Claude Juncker, deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk antarësohen në BE, për sa kohë do të jetë ai President i Komisionit Europian. Ai e mbaron mandatin, në fund të vitit 2019.
U diskutua me shumë pathos, sidomos në disa media, për çizmen e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, nëse duhet t’ia hidhte kokës, apo jo kryeministrit. Çizmja e Monikës vs çizmes se Ramës. Çudia është se, këto media, nuk diskutojnë aspak për çizmen që kryeministri i ka vënë këtij vendi. Nuk do të merrem, në këtë shkrim, aspak me çizmen e Monikës por, me çizmen që Rama u hedh, përditë mbi kurriz, shqiptarëve. Çizmen e tij, Rama nuk e paraqet vetëm me qiellin, diellin, por edhe me batuta, humor, karizëm, për të bërë shqiptarët, të paktën, të qeshin. Çizmja e Monikës është thjesht. pasojë e një shkaku shumë të thellë, çizmes së përditshme të Ramës.
I rrezikshëm është sulmi, ndaj fjalës së lirë. Vajzat që guxuan te flasin publikisht dhe të shprehin mendimin e tyre kundër, u masakruan u gjakosën dhe u burgosën. Një person në Shkodër, që guxoi t’a krahasonte këtë rregjim, të pushtetit të personalizuar Rama, me diktaturën e proletariatit, u burgos, në shkelje flagrante të kushtetutës së Shqipërisë, e cila sanksionon të drejtën e mendimit të lirë dhe të fjalës së lirë. Në psikën e kryeministrit, liria e shqiptarëve fillon dhe mbaron me çizmen e tij. Personi, thjesht shprehu mendimin e tij, për regjimin aktual, në Shqipëri, pa ofenduar personalisht askënd.
Çfarë po ndodh, pas protestave në Turqi, kundër pushtetit absolut të presidentit Rexhep Taip Erdogan, i cili ka sanksionuar pothuaj pushtet absolut dhe të trashëgueshëm (ndoshta) familjarëve të tij? Në Turqi, rezultojnë 50 mijë të burgosur politikë, të cilëve nuk u lejohen, as avokatët mbrojtës. Askush nuk di, asgjë, për fatin e tyre. Të shpresojmë që, kryeministrit tonë të mos i pëlqejë pushteti absolut, si mikut të tij Erdogan.
Të sharat dhe ofendimet, tashmë, janë eskluzivitet i parlamentit. Për fat të mirë, apo të keq, nuk kanë se çfarë t’i bëjnë çizmes së Monikës. Shqipëria ka standard të dyfishtë. Për njerëzit e thjeshtë ekziston dera e burgut, ndërsa për parlamentarët, që rrihen, shahen ofendohen, deri edhë qëllohen me grushta, çizme e armë, nuk hyn gjëmb në këmbë. Tentativa e individit, për ta shkëputur përditshmërinë, në Shqipëri, nga politika, është gabimi më fatal i këtij vendi. Çdo përditshmëri e çdo individi është e lidhur direkt, me politikën, që të fundos në skllavëri, ose të jep realisht, qiellin e kaltër, jo në tabanin e çizmes.
31 janar 2018.