Edmira Xhaferi: Kumbim ndjenjash
Skicë
Realitetit i piva dhimbjen dhe thellësive të ëndrrave të mia humba në hapësirë të të kërkoj, të të prek e të të ndjej në kraharor. Më shfaqeshe ti, ashtu i gjithi, duke rrëshqitur nën lëkurën time të bardhë e të butë, shoqëruar nga kori i zogjve të pyllit të dashurisë, formuar nëpër gjymtyrë njerëzore që përcillnin atë melodinë e jetës së rrokur nga limite kohe të pashmamgshme. Rendje të më përqafoje fort, me afshin e dashurisë së pavdekshme, si nëpër legjenda të lashta. Nën kumbimin e zërit tënd melodioz ngjizja embrionin e jetës së ëndërruar, atë jetën që adhurohet, sakrifikohet dhe luftohet fort për ta fituar. E atëherë kuptova që zëri yt i dashur më prekte në faqe, në buzë, gushë dhe në gjithë kurmin tim të ndezur flakë. E ndjeva se ai zëri yt hyri ëmbël e qetë-qetë në kraharorin tim duke u shkrirë e bërë njësh me pulsin dhe çdo qelizë të trupit tim. E ndjeva se po bëheshe njësh me mua. Në aq pak çaste dhe ti u ktheve në një domosdoshmëri të jetës dhe frymëmarrjes sime. Kufiri midis nesh, sa hap e mbyll sytë, u fshi i tëri dhe nuk ekzistonte më, ishte zhdukur. Kisha prekur Parajsën. Dhe tek dorën zgjasja në errësirë, ndjeja që dridhjet trupore ishin të zëshme si tela violine, ato shkrinin dimrin e acartë dhe sillnin pranverën në shpirtin dhe zemrën time. Është prekje ndjenje e tëra, më beso. Dhe nëpër kapilarët më depërtoje ti i tëri, i frymuar nga perënditë dhe i lartësuar nga personaliteti mashkullor. Dhe dora e zgjatur në errësirë përcjell ritmin e zemrës sime të vuajtur në kohë të caktuara, nëpër përmasa jete të çmuara dhe të papërsëritshme. Dhe dora e zgjatur kërkon kohën e mohuar, atë kohë që poetët e kanë derdhur vargjeve për të depërtuar në hire vajzash dhe në ritme zemrash. Dhe dora e zgjatur është tashmë pranë… Ndjeje se zemra ime rreh për ty në akorde kohe të anashkaluara nga mohime çasti dhe nxitimi… Ndjeje i dashur se i përket femrës që më shumë se çdo gjë të dha përkushtimin, të dha gjithësinë dhe të dhuroi parajsën. Ndjeje se ajo dorë e zgjatur, dhuruar nga perënditë, e zbritur si nga qielli, të sjell lutje shpirti dhe jete të lumtur…. Ndjeje dhe dije se ende rri zgjatur, duke pritur yllin e mëngjesit, vetëm për Ty. Je gjithësia ime…