Albspirit

Media/News/Publishing

KUSH ISHTE SARA BLLOSHMI, BASHKËSHORTJA E SELAHUDIN BLLOSHMIT?

Sara ka lindur në Stamboll, në vitin 1904. Ajo ishte fëmija i tretë i kolonelit Vehab bej Serdar, djalë i gjeneralit të famshëm Abdyl Kerim Pasha dhe i Mevedet H. Vlorës, vajzës së madhe të Ismail Qemalit. Pas shpalljes së Pavarsisë, pasi kishte kaluar fëmijërinë në Stamboll, Sara u vendos bashkë me familjen në Francë e më pas në Shqipëri. Nga fotot që kanë ngelur, nga tregimet familjare e kujtime të ndryshme, Sara ka qenë një grua shumë e bukur dhe mjaft inteligjente. Sa herë diskutohet për Sarën, unë imagjinoj një ikonë të bukurisë dhe e krahasoj me ato femra që, falë inteligjencës dhe përgatitjes së tyre, këtë dhuratë të natyrës jo që nuk e shpërdoruan, por ditën ta vlerësojnë. Sigurisht një femër e bukur dhe shumë e civilizuar, rritur në ambjentet e aristokracisë së lartë të Stambollit e Parisit, në Shqipërinë e fillim shekullit XX, nuk kishte si të mos kthehej në objekt adhurimi, por edhe diskutimi. Por Sara kishte një natyrë që nuk u jepte aspak rëndësi diskutimeve të kota.
Sara u martua e re më ushtarakun Selahedin Blloshmi, i cili kishte kryer Akademinë Ushtarake franceze të Sent Sirit. Martesa u dha një vajzë, Verën (1923-1998), e cila më vonë do njihej për artin e bukur të saj, pikturën. Për një kohë të gjatë Sara jetoi në Bukuresht, ku Selahedin ishte ambasador i Shqipërisë, e më pas u kthyen në Tiranë.
Sara, pas vdekjes së Selahedin Blloshmit, u njoh me ushtarakun anglez Vandeleur Robinson, i cili ishte atashe shtypi në Misionin Britanik në Shqipëri, me të cilin u martua më 1945-n (“Forthcoming Marriages/ Major V.D.V. Robinson and Mme. Blloshmi”, “The Times”, Londër, 10 shtator 1945, f.7).
Në shtator të vitit 1945, një avion amerikan që vinte nga Sofja, ndaloi në Tiranë për të vazhuar më pas për Napoli. Midis pasagjerëve, përveç Sarës dhe Robinsonit, ishte edhe Vera. Se si arriti Sara të siguronte një leje kalimi edhe për vajzën, kjo nuk dihet. Gjithsesi, thuhet se Vera hipi në avion për t’u përshëndetur me nënën dhe, sapo u ndodh brenda, dyert u mbyllën dhe piloti u urdhërua të nisej. Në nëntor të po atij viti, Sara u kthye përsëri në Shqipëri, si shtetase angleze, dhe gjatë gjith qëndrimit Sigurimi i Shtetit i ndiqte të gjitha lëvizjet, duke raportuar rregullisht për çdo gjë, ku shkonte e me kë takohej. Sipas këtyre raporteve, Sara dhe Vandeleur Robinson takoheshin me miq të veçantë, “të gjithë bejlerë dhe përsonalitete në kohën e Zogut… simpatizanë të imperializmit anglez”, të cilëve “u ipnin revista dhe gazeta politike të së djathtës”.
Midis emrave të përmendur në disa raporte që datojnë fundvitin 1945 dhe vitin 1946, ndeshim Qamil Ismail Vlorën dhe djalin e tij Ismailin, Xhemal Frashërin ish shef i ceremonialit në Oborrin Mbretëror, Jusuf Vrionin, Myqerem Janinën, Skënder Konicën, etj (“Materiale agjenturalo-operativo mbi agjenten angleze Sara Blloshmi”/ AMB Dosja 102). Edhe pas largimit të Sarës nga Shqipëria, Sigurimi vazhdoi të kontrollonte korrespondencen e saj me Shqipërinë, me nënën dhe motrën që vazhduan të jetojnë në Tiranë. Fillimisht Sara me Robinsonin u vendosën në Romë e më pas në Londër. Vera, pasi u martua me një ushtarak anglez, James Avery Mellet, fillimisht qëndroi ne Romë e më pas shkoi edhe ajo në Londër pranë nënës. Në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, ndër të tjera, gjenden edhe disa foto dhe një letër e Sarës dërguar nënës së saj, e cila vazhdonte të jetonte në Tiranë, foto dhe letra që nuk shkuan në destinacion, por mbetën në duar të Sigurimit.
Please follow and like us: