Albspirit

Media/News/Publishing

Rozafa dhe e përbashkëta e kalave tona

Vita BLLOSHMI-KOZELI

Ato ngrihen kryeneçe dhe madhështore. Diku mbi shkëmbinj të thepisur e diku buzë detit apo ishuj të vetmuar, por kudo që janë ato dëshmojnë historinë tonë. Kam qenë gjithmonë e mahnitur nga kalatë që në vogëli kur i studionim në shkollë. Mundohesha të imagjinoja çfarë mund të kishte ndodhur aty shekuj më parë.

Imgjinata prej fëmije, por edhe më vonë e rritur, më çonte te Rozafa, e cila u bë kurban për të ngritur muret e kalasë, por në të njëjtën kohë ajo përjetësoi edhe detyrën e saj të mëmësisë. A është kjo vetëm histori?! Me gjirin e saj kjo grua naive i dha jetë një fëmije dhe me sinqeritetin e saj i dha jetë një qyteti. Ajo ishte aty para lindjes së Krishtit dhe vazhdon të jetë akoma edhe sot.

Nuk di pse, por në çdo kala, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo, është gruaja ajo që dominon. Çdo kala është ndërtuar në funksion të një gruaje apo i është kushtuar asaj. Jo të gjithë burrat mund të na dhurojnë një kala siç bëri Ali Pashai me Vasiliqinë e tij. Ndryshe quhet edhe kalaja e dashurisë dhe ai e ndërtoi posaçërisht për të bukurën e tij. Gjiri i nuseve ku lahej Vasiliqia, taraca e bukur mbi det, kisha e ndërtuar jashtë kalasë bëjnë të mendosh se aty vërtetë ka qenë një ambient shumë tërheqës dhe çlodhës.

Në të vërtetë të gjitha kalatë e vendit tonë kanë diçka të përbashkët; sakrificën! Princesha Argjiro që u hodh nga bedenat e kalasë sëbashku me djalin e saj për të mos rënë në duart e zaptuesit, nga ku morì emrin edhe kalaja e Gjirokastrës, më e madhja e vendit tonë. E, si mos të përmend kalanë e Kepit të Rodonit ku thuhet se Gjergj Kastrioti kishte kaluar muajin e mjaltit me bukurinë mahnitëse dhe vendin e saj strategjik në det e në mal.

Kalaja e Petrelës më ka mbetur në zemër aq sa madhështore edhe mistike. Ajo dukej sikur të fuste në gjirin e saj dhe me shumë delikatesë të shpaloste gjithë bukurinë natyrore dhe historinë e fshehur në gji të saj sëbashku me simotrën e saj, kalanë e Prezës, që ndër të tjera thuhet që ishte dhuratë nga Gjergj Kastrioti për motrën e tij të vogël, Mamicën…

Nuk i kam harruar aspak kalatë e tjera të mëdhaja e të rëndësishme si ajo e Durrësit, Krujës, Beratit, Elbasanit, Tetovës, Prizërenit, Ulqinit etj., ku çdo gur flet për historinë tonë. Sopotit të Arianitëve ku sopotaret u hodhën nga shkëmbi për të mos rënë në duart e turqve, Populli këndon: Sopotare moj të ngrata, rrokni thika, rrokni shpata. A do ikim të shpëtojmë? A do rrimë të luftojmë?

Ato ngrihen herë epike e herë dekorative, herë janë rrënoja e herë rrethojnë qytetin, por të gjitha kanë një emërues të përbashkët; mbartin historinë tonë. Aty çdo gur është histori…

Jam grua, kam gjak Argjiroje, Rozafe e Donike në këtë vend të bukur ku Perëndia i dha diell, i dha male, fusha, lumenj e dete. Kemi shumë për t’i treguar botës, jo vetëm histori, por edhe mikpritje, tradita e besë!

Please follow and like us: