Mijëra rusë braktisin atdheun pas agresionit të Putinit në Ukrainë
Ndërkohë që pretendon se ekonomia vendase është e balancuar p[avarësisht sanksioneve të marra nga perëndimi, presidenti rus Vladimir Putin është duke u përballur me një skenar makthi. Express.co.uk, ka raportuar se mijëra qytetarë janë larguar nga vendi, ndërsa Rusia është gati të bjerë në prag të kolapsit ekonomik. Dhjetëra mijëra rusë janë larguar nga vendi nga frika e arrestimit, shërbimit ushtarak të detyruar apo problemeve ekonomike, ku shumë prej tyre janë zhvendosur në Turqi, Armeni apo Gjeorgji. Armenia raportohet se deri tani ka mirëpritur 100.000 rusë. Çështja është aq e rëndësishme sa që tani janë ngritur iniciativa për të mbështetur shtetasit rusë që ikën nga vendi. Si në Stamboll ashtu edhe në kryeqytetin armen të Jerevanit, organizatat mbështesin rusët që janë larguar nga vendi. Eva Rapoport, një vullnetare në një nga këto organizata me qendër në Stamboll tha se qëllimi i saj është të sigurojë strehim për njerëzit që iu desh të iknin me nxitim nga frika se mos arrestoheshin. “Ne përpiqemi të ofrojmë çdo lloj ndihme në mënyrë që ata të mund të qëndrojnë falas për të paktën disa kohë dhe të zbulojnë se çfarë ndodh më pas për ta. Organizata ndihmon të sapoardhurit të marrin me qira apartamente”, tha ajo. Ndërsa qeveria turke nuk ka publikuar shifra se sa rusë kanë hyrë në vend që nga fillimi i luftës, vetëm në Stamboll, organizata “Arka” njofton se ka organizuar strehim për më shumë se 200 persona. Sipas zonjës Rapoport, shumica e atyre që ikën nga Rusia janë të arsimuar mirë, me disa prej tyre që janë larguar për shkak të perspektivës së dobët ekonomike përballë sanksioneve të ashpra të vendosura nga Perëndimi.