Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Mato: Mësohu!

 

Fillimisht mësohu me dritën e diellit,

me fytyrën e nënës

dhe të dashurve të tu.

Mësohu më këpucën në këmbën e zbathur,

me urdhërat e mësuesve dhe të eprorëve të tu.

Mësohu për t’i pritur fatkeqësitë qetësisht

dhe çastet e lumturisë t’i vlerësosh seriozisht.

Mësohu me fytyrën tënde në pasqyrë,

dhe me udhëtimet, si në një tren pa kthim.

Mësohu me vdekjen e të dashurve të tu,

me pakohësinë e kohës,

të sendeve dhe njerëzve.

Mësohu me dështimet dhe fitoret e përkohshme,

mësohu me gjithçka dhe kur zemra të dhëmb

dhe ndihesh i vetmuar, i poshtëruar dhe i braktisur.

Mësohu me frikën dhe mposhte atë.

Mësohu me lirinë që s’i duhet askujt

e që njëkohësisht na duhet të gjithëve.

Mësohu të jetosh pa kujtime dhe shpresë,

si gurët dhe drurët që s’ndejnë  asgjë.

Mësohu që  dhe në çastet e vështira të qëndrosh si burrë

Se ai që s’ka frikë nga vdekja nuk vdes kurrë.

17 korrik 2013.

Please follow and like us: