Radoje Stefanoviq: Pyetje mbi Kosovën dhe NATO-n
Në qendër të vëmendjes janë ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999. Ndoshta do të kuptonim më mirë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh me ne, nëse kthehemi prapa në kohë dhe kërkojmë përgjigje të drejta për temat e përmendura.
Çfarë (nuk) dimë për Kosovën dhe marrëdhëniet serbo-shqiptare?
Përse fshehet libri i Dimitrije Tucoviqit “Serbia dhe Shqipëria” në të cilin pasqyrohet trajtimi i shqiptarëve nga autoriteteve ushtarake dhe civile serbe pas luftërave ballkanike në vitet 1912 dhe 1913?
Përse nuk janë të disponueshme për publikun informacionet për pozitën e shqiptarëve në Mbretërinë e Jugosllavisë dhe për kolonizimin e atëhershëm të Kosovës me vendosjen e serbëve dhe malazezëve?
Përse në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore Kosova e kishte statusin e krahinës autonome në kuadër të Republikës së Serbisë me pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa me Kushtetutën e vitit 1974 ishte në të njëjtën kohë element konstituiv i Federatës Jugosllave të njohur ndërkombëtarisht?
Përse dhe si, me Kushtetutën e Republikës së Serbisë të vitit 1990 Kosova u reduktua në njësi të vetëqeverisjes locale, pa kompetenca legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore?
Përse dhe si prej vitit 1989 shumica e shqiptarëve të Kosovës u pushuan nga puna në organet shtetërore dhe në ndërmarrjet publike, përse fëmijët e tyre, së bashku me mësuesit shqiptarë, u ndanë nga nxënësit dhe mësuesit serbë dhe u caktuan në klasë të veçanta të pasditës dhe mbrëmjes, dhe shqiptarët u detyruan të marrin shërbime mjekësore te mjekët shqiptarë privatë?
Përse rezistenca e padhunshme shqiptare ndaj represionit dhe aparteidit të autoriteteve serbe në periudhën 1989-1995 u shndërrua në vetëmbrojtje të armatosur nga e cila më pas u formua UÇK-ja?
Përse në periudhën prej vitit 1995 deri në vitin 1997 SHBA-të dhe vendet e Evropës Perëndimore e konsideruan UÇK-në organizatë terroriste, ndërsa në vitin 1998 e ndërruan qëndrimin dhe e njohën UÇK-në si formacion çlirimtar të popullatës shumicë në Kosovë?
Përse autoritetet e RS të Jugosllavisë i refuzuan propozimet që ushtria dhe policia jugosllave të shoqëroheshin nga forca ndërkombëtare, me qëllim të qetësimit të tensioneve e konflikteve në Kosovë, gjë që çoi në dështimin e negociatave në Rambuje e pastaj në bombardimin e Serbisë e Malit të Zi dhe në Marrëveshjen e Kumanovës?
Përse iu morën dhe u shkatërruan dokumentet personale me të dhëna për vendbanimet e tyre në Kosovë shumicës së mbi 800 mijë shqiptarëve, para se ata të deportoheshin në Shqipëri dhe në Maqedoni?
Përse në mediat serbe përmenden krimet e kryera kundër serbëve në Kosovë, ndërsa heshten krimet e shumta të kryera ndaj shqiptarëve dhe shpërfillet fakti se shumica e kriminelëve ndaj shqiptarëve jetojnë të pandëshkuar në Serbi?
Përse publikut në Serbi i mohohen informacionet se disa qytetarë të nacionalitetit serb në Kosovë u kanë ofruar shqiptarëve mbrojtje nga represioni dhe krimet dhe se disa shqiptarë u kanë ofruar mbrojtje serbëve?
Përse autoritetet kompetente gjatë 23 vjetëve të fundit nuk përcaktuan se kush ishte përgjegjës për vrasjen brutale të vëllezërve Bytyqi në robërinë serbe?
Përse kufomat e qindra shqiptarëve – civilë, fëmijë, gra dhe pleq – u morën fshehurazi nga Kosova dhe u varrosën në varreza masive në Serbi, dhe përse nuk u përcaktua ende deri më sot përgjegjësia e atyre që urdhëruan dhe i kryen ato operacione speciale?
Përse, në vend që të inkurajohen të bashkëjetojnë me shqiptarët dhe të integrohen në bashkësinë shumëkombëshe të Kosovës, serbët e Kosovës orientohen drejt izolimit, mosbesimit dhe konflikteve me popullatën shumicë të Kosovës?
Përse propaganduesit e kthimit të Kosovës në kornizat e Republikës së Serbisë nuk paraqesin pikëpamje të qarta se si do të organizohej një shtet i tillë, si do të funksiononte dhe në çfarë mënyre autoritetet serbe do të përballeshin me rezistencën e popullatës shqiptare shumicë, e cila pas dekadave në diskriminimit, veçanërisht pas aparteidit të periudhës 1989-1997 dhe krimeve masive të periudhës 1998-1999, refuzon të pranojë t’i nënshtrohet përsëri Serbisë, të cilën ata nuk e konsiderojnë shtet të tyre?
Çfarë (nuk) dimë për NATO-n?
Përse, pas Rezolutës së Informbyros së vitit 1948, Jugosllavia lidhi një pakt trepalësh me Greqinë dhe Turqinë, në bazë të të cilit iu bashkua sistemit të mbrojtjes të aleancës së NATO-s?
Përse në fund të shekullit të 20-të, si objektiva të sulmeve ajrore të NATO-s u zgjodhwn Republika Srpska e pastaj Serbia e Mali i Zi dhe jo shtetet tjera të formuara në territorin e ish-Jugosllavisë apo ndonjë shtet tjetër evropian?
Përse vendimi i NATO-s për bombardime u mor në fund të vitit 1998 dhe u realizua në vitin 1999 e jo gjatë periudhës 50 vjeçare të ekzistencës së Jugosllavisë?
Përse 19 vende anëtare të NATO-s ranë dakord për sulme ajrore ndaj Serbisë e Malit të Zi në mars të vitit 1999?
Përse u ndërprenë bombardimet e Serbisë e Malit të Zi në qershor të vitit 1999 dhe jo më herët apo më vonë?
Përse, me pranimin e Marrëveshjes së Kumanovës për tërheqjen e ushtrisë e të policisë jugosllave nga Kosova, në qershor të vitit 1999, autoritetet e RF të Jugosllavisë vepruan në kundërshtim me rezultatet e referendumit të shkurtit të vitit 1999, në të cilin, sipas raportit zyrtar, pothuajse 100 për qind e qytetarëve u deklaruan kundër hyrjes së formacioneve të huaja ushtarake në Kosovë?
Përse Serbia, në kundërshtim me vullnetin e shprehur të qytetarëve të saj, viteve të fundit pati një bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm me NATO-n?
Përse Estonia, Lituania, Letonia, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Shqipëria kërkuan të pranohen, morën vendime të anëtarësohen dhe u anëtarësuan në NATO?
Përse ish-republikat jugosllave të Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi kërkuan të pranohen, morën vendime të anëtarësohen dhe u anëtarësuan në NATO?
Përse, pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Finlanda dhe Suedia, shtete tradicionalisht neutrale ushtarakisht, kërkuan të pranohen dhe morën vendime për anëtarësim në NATO, ndërsa Danimarka hoqi dorë nga kufizimi i pjesëmarrjes së saj në aktivitetet e NATO-s?
Përse me rastin e shprehjes së mospajtimit për anëtarësimin e Serbisë në NATO, heshtet se kusht i parë dhe themelor për anëtarësim në këtë aleancë është kërkesa e vendit që dëshiron të anëtarësohet dhe jo ftesa e NATO-s?
(Autori i këtij shkrimi është avokat. Marrë nga gazeta Danas)