Çmimi i Madh i Jeruzalemit: Kadare, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX dhe XXI
Motivacioni i Çmimit të Madh të Jeruzalemit
Ismail Kadare, autor shqiptar me talent të rrallë, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX dhe XXI. Shumë prej librave të tij janë ndërtuar rreth të shkuarës historike dhe kujtesës kolektive të popullit shqiptar, si dhe denoncojnë shtypjen e regjimeve totalitare që vazhdonin në Shqipëri.
Historitë pasionante që rrëfen Ismail Kadareja janë servirur me një shkrim thumbues, të rrethuara nga një bukuri e madhe poetike dhe stil mbresëlënës. Karakterizohen nga personazhe të pasura, me shumë zëra, me përshkrime të bollshme peizazhezh, me një mendjehollësi të fuqishme, rrëfim që endet shpesh midis ndërgjegjes së brendshmes dhe të jashtme të personazheve. Ismail Kadareja përdor perspektiva të ndryshme, ikje dhe kthime të ndryshme në kohë dhe hapësirë, dhe zbulon pa ndërprerje kufijtë e depërtueshëm të realitetit dhe imagjinatës, të komikes e të tragjikes.
Ismail Kadareja shkruan mbi fajin kolektiv e në veçanti mbi kërkimin e të vërtetës. Ai kërkon të zbulojë, duke e mbuluar qasjen e tij nëpërmjet miteve e metaforave, pyetje të mbetura pa përgjigje e krime të pafalshme. Edhe pse subjektet dhe heronjtë e preferuar të Kadaresë janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre janë pa dyshim universale.
Struktura mahnitëse e veprave të tij karakterizohet nga larmia e zërave, një bashkim kontradiktash e paradoksesh që ndikojnë fatin e kolektivit dhe shprehin mjerimin e individit. Duke qenë të ndërgjegjshëm për karakterin unik të angazhimit e tij humanitar, vendosëm t’i japim këtij autori Çmimin e Jerusalemit, për të vlerësuar lirinë e njeriut, e cila është nën kërcënim të vazhdueshëm në shoqërinë bashkëkohore.