Ismail Xhaferi: Një copëz vjeshte
Një copëz vjeshte kemi përbrenda,
Një vjeshtë që s’ikën asnjëherë,
A s’janë shpirtrat tanë trazuar,
Si gjethe vjeshte nëpër erë?!
Një copëz vjeshte e ka një vajzë,
Sepse është ndarë me vajzërinë,
Një copëz vjeshte e kanë ca pleq,
Që s’mbushin dot gjoksin me frymë.
Një copëz vjeshta e kanë gjithë nënat,
Të fshehur thellë tek psherëtimat,
Një copëz vjeshte e ka kjo grua,
Tek ngjyen flokët të fsheh thinjat.
Një copëz vjeshte e ka kjo shkollë,
Që buzëqeshja i ka ngrirë,
Kjo shkollë pa nxënës e mësues,
E kyçur si një manastir.
Një copëz vjeshte e ka kjo portë,
Kjo vatër ku s’ndizet më prush,
Një copëz vjeshte e ka kjo rrugë,
Sepse mbi të s’kalon askush.
Një copëz vjeshte ka mëkatari,
Sa hèrë që shkon në kishë të falet,
Një copëz vjeshte e ka atdheu,
Që sheh si vdesin idealet.
Një copëz vjeshte kemi përbrenda,
Një vjeshtë që s’ikën asnjëherë,
A s’janë shpirtrat tanë trazuar,
Si gjethe vjeshte nëpër erë?!
Një copëz vjeshte…