Albspirit

Media/News/Publishing

Lulzim Tafa: Sllavisha me Yugo të Kuqe

SLLAVISHA ME YUGO TË KUQE

Zotëri Gjykatës

Betohem në kry t’vargut

se do ta flas të vërtetën,

të vërtetën dhe vetëm të vërtetën

Sllavishen e njoh,

ka jetu n’Magure

Ka pas një Yugo të kuqe

Me targa PR

Në dakikun e ligë

Të ditës kritike

Ka ardhë me Yugon e kuqe

Bashkë me Saven.

Sava ka pas sy të kuq e

mjekër të zezë.

A ishte edhe dikush?

Ishin edhe do ushtarë të zinj

Dhe?

Zotëri Gjykatës

Ma dogjën shtëpinë

(Pardon, para se të ma digjnin zemrën,

ma dogjën shtëpinë)

Shtëpia kishte një bibliotekë

E biblioteka plot libra

Ju thatë se ju dogjën zemrën?

Në fakt zemrën nuk ma dogjën

Por kur m’i dogjën librat

Për hir të së vërtetës

Zemra u dogj vet

Zotëri Gjykatës

Unë po i fali

Fali edhe ti

Se edhe këta e kanë një Zot

E ndoshta i vret

***

Morali estetik i poezisë: “gjykon” dhe gjykohet

Nga Halil Matoshi

1.

Kallëzuesi “estetik” mund të cilësojë shumë lloje të ndryshme gjânash: gjykime, përvoja, koncepte, veti ose fjalë. Autori Tafa gjykon poetikisht, sepse përvoja dhe humanja brenda tij, nuk e lejon me thirrë për hakmarrje, pra në konceptin e tij poetik dhe etik ekziston nji fuqi vis major, që e ka të drejtën absolute të gjykimit (gjyqi hyjnor) të njerëzve duke e përjashtuar të drejtën e njeriut për me e gjyku tjetrin.

Dhe në fund autori përdor fjalët artistike në funksion të gjykimit të tij poetik, të dikujt që ka shkrumu biblioteka, sëkëndejmi edhe zemra sepse në gjykimin e Tafës, nji libër âsht nji zemër!

Ju thatë se ju dogjën zemrën?

Në fakt zemrën nuk ma dogjën

Por kur m’i dogjën librat

Për hir të së vërtetës

Zemra u dogj vet

Gjykimi estetik pas kësaj bâhet edhe rreth vetive shqisore, të tilla si ngjyrat dhe tingujt.

Lexuesi sheh flakën tue i lëpi e kaplu librat (ngjyrat e jetës) dhe digjon krakëllimën e kopertinave tek digjen (njifarë klithme e personazheve!?) apo tek kris zemra!

Porse, simas filozofit britanik Nick Zangwill, nocioni bashkëkohor i një gjykimi estetik zakonisht përdoret për me karakterizu nji klasë gjykimesh që përfshin gjithashtu gjykime të budallallëkut, delikatesës dhe elegancës.

Gjykimi bashkëkohor estetik në këtë aspekt, shkon përtej Kantit, i cili përqëndrohej vetëm në gjykimet e së bukurës dhe të shëmtisë.

2.

Tafa në gjykimin e tij estetik i vë në siklet ish fqinjtë Slaviša dhe Savën, sepse ata nuk i janë personazhe imagjinare, por reale, të cilët i njeh, janë nga anët e poetit. Realiteti shpesh di me tejkalu imagjinaren në shfaqjen e bizares në këtë rast, siç thojke Garcia Marquez, nuk ka mâ magjike së realiteti.

Ka ardhë me Yugon e kuqe

Bashkë me Saven.

Sava ka pas sy të kuq e 

mjekër të zezë.

… sepse me kallë sh’pia e sidomos libra, ma parë së mizori âsht budallallëk, por poeti këtë e thotë me delikatesë dhe elegancë.

Kështu, kjo poezi e përmbushë nocionin e gjykimit estetik, në të gjitha dimensionet e saj.

Në këtë poezi, që në titull, përmes nji emni të përveçëm Slaviša dhe nji objekti Yugo e kuqe,  sapo e ka ravijëzu kronotopinë e zânit ligjërimor, përmes nji veture jugosllave (Serbia) në epokën e kuqe (postkomuniste) që në thelb ishte fashiste. Poashtu, autori përmes metonimisë i karakterizon edhe personazhet e tij…

Sava ka pas sy të kuq e 

mjekër të zezë.

A ishte edhe dikush?

Ishin edhe do ushtarë të zinj

Sytë e kuq janë të nji zjarrvumsi e vrasësi, kurse njëjta e zezë karakterizon çetnikët serbian. Kurse ‘ushtarët e zi’ rreshtin fashist.

3.

Autori e subliminal hakmarrjën në nji lutje nji Zoti që në emër të drejtësisë hyjnore, tue is lânë gjyqin në dorë atij.

Poezia “Slaviša me Yugo të Kuqe” mësyn arritjen edhe të naltësisë supreme, tue qenë së nji trup gjykues qëndron në nji tribunë, domosdo nji Zot âsht ma s’nalti, e atij i drejtohet poeti si pika ma e naltë referentiale, paçka se poetit nuk i intereson nëse ekziston apo jo, ai mësynë ta arrijë qëllimin sublim, ndëshkimin hyjnor të te keqes njerëzore!

Zotëri Gjykatës

Unë po i fali

Fali edhe ti

Se edhe këta e kanë një Zot

E ndoshta i vret

Simas filozofit britanik Nick Zangwill, naltësia vjen në varietete të ndryshme. Kanti dallon “matematikisht” dhe “dinamikisht” sublimen, që korrespondojnë me ndjenjën tonë për përmasat ose fuqinë e gjânave.

Nga kjo pikëpamje, bukuria dhe e nalta, sublimja, nuk janë të kundërta me njâna-tjetrën. Në vend të kësaj – thotë Zangwill, sublimiteti âsht nji lloj bukurie madhështore ose nji mënyrë spektakolare ose e jashtëzakonshme për të qenë e bukur.

Edmund Burke e lidh sublimitetin me dhimbjen si dhe kënaqësinë, ndoshta duke u mbështetur në idenë e Aristotelit për “katarsisin” (Burke 1757). Poeti  Tafa shpalosë  përmes vargut dhimbjen (i âsht djegë zemra) por edhe kënaqësinë që i jep falja në nji anë dhe râmja e ndëshkimit hyjnor mbi të keqen.

Richard Wagner simas Zangwill-it, pohonte se kishte sublimitet muzikor në Simfoninë e Nândë të Beethoven-it dhe kjo ishte risia e saj e madhe, për të na çue përtej të bukurës muzikore në sublime (Wagner 1870, kontrast Hanslick 1950, 1986.)

4.
Poezia e Tafës e përmban sëkëndejmi edhe dimensionin e moralit estetik. Ajo “gjykon” dhe gjykohet!

Nëse i përmbahemi teorisë estetike të Zangwill-it, roli i gjykimit poetik duhet me u shërby  gjykimeve estetike, verdiktive të së bukurës dhe të shëmtisë. Poezia e Tafës i mbrrin në vete të dy nocionet parësore estetike.

Një “gjyq” poetik, pa gjak por ku digjen sh’pi e libra (digjen dhe autorët, porse Tafa në këtë rast e lë “të gjallë” autorin, për me ngritë gjyqin poetik!?).

Pra digjet zemra njerëzore (poetikisht banon njeriu/Heidegger); Por në këtë “gjyq” s’ka hakmarrje por falje!

E gjykimi i mbetët nji Zoti, cilido koftë ai. Nji Zot e di!

/Gazeta Express

Please follow and like us: