Albspirit

Media/News/Publishing

Pier Haski: Europa e kërcënuar nga ekstremi i djathtë

Sondazhet e kishin paralajmëruar. E megjithatë rezultati është sërish tronditës:Demokratët e Suedisë (jo dhe aq të denjë për emrin që mbajnë), trashëgimtarë të ekstremit të djathtë të një grupimi neo-nazist, u klasifikuan të dytët në zgjedhjet e fundit parlamentare, pas Partisë Socialdemokratike, e cila ka pasur për shumë vite një hegjemoni në politikën suedeze.

Kryeministrja në largim, Magdalena Anderson, e pranoi humbjen duke i hapur rrugë një shumice të re të përbërë nga e djathta dhe e djathta ekstreme, konturet e së cilës mbeten për t’u parë. Rritja e ekstremit të djathtë, nga 5 në 20.6 për qind të votave brenda 12 vitesh, ngre pikëpyetje serioze në një vend me një traditë të fortë socialdemokrate.

Pas disa ditësh në Bashkimin Evropian do të zhvillohet disa zgjedhjeve të tjera që janë po ashtu shumë të rëndësishme, dhe që mund të fitohen nga e djathta dhe e djathta ekstreme.

Por flasim për zgjedhjet në Itali, ku Xhorxhia Meloni, drejtuese e partisë Fratelli d’Italia, një formacion neo-fashist, mund të bëhet kryeministrja e ardhshme e vendit.

Edhe gjithashtu në këtë rast Meloni ka kaluar brenda disa vitesh nga periferia në qendër të skakierës politike italiane. Pra brenda pak ditësh, dy vende të mëdha të Bashkimit Evropian – njëri në veri, dhe tjetri në jug – po anojnë drejt së djathtës ekstreme.

Secili nga këto 2 shtete ka një kontekst të veçantë historik. Për shembull në Itali, partia e Melonit ishte e vetmja që nuk ishte pjesë e koalicionit të madh në mbështetje të Mario Dragit, ish guvernator i Bankës Qendrore Evropiane. Sot Meloni po korr frytet e këtij distancimi nga pjesa tjetër e klasës politike, edhe sepse qeveria Dragi nuk ka qenë në lartësinë e kërkuar.

Në Suedi, e djathta ekstreme e ka shfrytëzuar rritjen e ndjeshme të kriminalitetit vitet e fundit duke e lidhur atë me nivelin e lartë të emigracionit.

Në një shkallë evropiane, kjo dukuri nuk është aspak e re. Edhe në të kaluarën disa parti të ekstremit të djathtë kanë qenë pjesë e qeverive evropiane, si në Austri apo në Itali, me LEGA-n e Mateo Salvinit. Deri më sot Evropa i ka mbijetuar këtij fenomeni, por konteksti aktual është i ndryshëm nga e kaluara, midis pandemisë së Covid-19, pasojave të luftës në Ukrainë dhe rritjes së madhe të çmimeve të energjisë.

A është e mundur që këto zgjedhje të kenë një ndikim në nivel evropian? Kjo është një çështje kyçe në një kohë kur Evropa është e vendosur në mbështetje të Ukrainës dhe përshpejtimin e integrimit të saj. Më 15 shtator, Lorenc Bone, Ministër për Evropën në qeverinë franceze, shprehu “shqetësimin” e tij për përparimin e së djathtës ekstreme.

Po më 15 shtator, në Parlamentin Evropian, u miratua me një shumicë të gjerë një raport që e përkufizon Hungarinë e Viktor Orban si një “regjim hibrid dhe me autokraci elektorale”. Ai ilustron më së miri marrëdhëniet e tensionuara midis Budapestit dhe Brukselit mbi çështjet që lidhen me sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Kjo situatë është aq shqetësuese, sa Bone thotë se ndër përparësitë e tij është përgatitja për zgjedhjet për në Parlamenti Evropian që mbahen në pranverën e vitit 2024, pra 18 muaj më vonë. Pra edhe një herë, ashtu si në vitin 2019, partitë e ekstremit të djathtë do të përpiqen që të forcojnë veten për të ndryshuar politikat e unionit.

Zgjedhjet parlamentare në Suedi dhe Itali nuk mjaftojnë për ta bërë kontinentin të lëkundet, por ato paralajmërojnë betejat e ardhshme. Dhe konteksti i luftës së Rusisë në Ukrainë vetëm sa i shton tensionet.

Please follow and like us: