Albspirit

Media/News/Publishing

DED GJON LULI DEDVUKAJ – STRATEG I SHQUAR I KOMBIT SHQIPTAR

 

(Përgatitur në kuadrin e 110 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, kushtuar Dedë Gjon Luli Dedvukaj (25.11.1840-24.9.1915), i cili ka qenë prijës e strateg i shquar i Malësisë së Mbishkodrës në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të truallit arbëror. Është i shpallur  me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe Dëshmor i Atdheut me Vendim mr 129 datë 3.11.1969 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Shkodrës, si dhe është dekoruar më 28.11.2015 nga Presidenti me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”. Ai ishte bir i denjë i një trevë me atdhetari të spikatur, i lindur për komandant, luftatar i vendosur për çështjen kombëtare shqiptare, pjesëmarrës në LSHP më 1878, në Kuvendin e Greçës në 23.6.1911, jetën e lidhi me fatet e Shqipërisë në periudhën kritike të viteve 1911-1912. Prandaj Ismail Qemal Vlora gjatë vizitës së Heroit tonë në Vlorë pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e quajti atë me të drejtë “pushkë e ngrehur për Shqipërinë”. Udhëheqës dhe luftëtar në Vermosh dhe në krejt veriun e trojeve shqiptare, ku e kërkonte interesi i kombit shqiptar, luftëtar për Hotin dhe Grudën, kundërshtar i vendimeve të traktatit të Shënstafanit dhe të Kongresit të Berlinit, luftëtar për bashkim kombëtar. Në qendër të Tiranës përveç memorialëve të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Hasan Prishtinës më 27 Nëntor 2015 është vendosur një shtatore në qendër të Tiranës, në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar me plot meritë edhe shtatorja e heroit Ded Gjon Luli simboli i trimërisë, mençurisë dhe mbrojtës të idealëve të kombit shqiptar. At Shtjefen Gjeçovi e portretizon kështu Ded Gjon Lulin: “Shih i herë at’ me flok t’bardhë,/Që përpara u ka pri,/Ai asht ora e ksaj Malci,/Ai asht Ded Gjon Luli,/Që ma i fortë nuk bahet burri..”. Dedë Gjo Luli mbetet simboikë nga më madhoret të historisë sonë, strateg popullor i Malësisë në luftën për mbrojtjen e trojeve nga sulmet e fqinjëve veriorë, flamurngritës i Pavarësisë, në majë të Bratilës në Deçiç të Alpeve shqiptare flamurin e Gjergj Kastriotit, më 6.4.1911.)

                        Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

*

VATRA QË LINDI HERONJ TË SHQUAR TË KOMBIT SHQIPTAR

Ded Gjo Luli është futur në kujtesën kombëtare të shqiptarëve si prijës, si luftëtar, si hero si dëshmor, si udhëheqës i Kryengritjeve të Malsisë së Madhe, i ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiç, për mbajtjen e Kuvendit historik të Greçës, ngjarje madhore që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë. Ded Gjon Luli nuk i përket më vetëm Malësisë, trevë simbol të atdhedashurisë dhe qëndresës, legjendë e lëvizjeve patriotike për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Fshati Traboin në atë përiudhë i përkiste Sanxhakut të Shkodrës dhe Vilajetit të Shkodrës, ndërkohë që aktualisht i përket Komunës së Tuzit në Mal të Zi. Deda i përkiste oxhakut Dedvukaj të fisit të Hotit, ku në atë periudhë Hoti ishte i pari i bajrakëve të trevës së Malësisë së Madhe. Në këtë mjedis atdhetar do të lindëtete Ded Gjon Luli. Të shkruash për këtë tribun popullor është më shumë se përgjegjësi. Oxhaku i Gjon Lulit Dedvukaj më 25.11.1840 u shtua me djalë dhe për këtë nuk munguan krismat e pushkëve. Djalin e quajtën Ded, si gjyshi, një traditë mbarëshqiptare, emrin e gjyshit të tij të mirënjohur Dedës, që edhe ky njihej për trimëri dhe për fjalën peshërëndë në kuvendet e malësorëve. Gjon Luli kishte grua Lulë Keqen nga Vrithi i Shkrelit. Por fatkeqesisht babai i tij Gjon Luli kishte jetuar vetëm pak vite pas lindjes së djalit të vetëm që e kishte pagëzuar me emrin e gjyshit tij Dedë. Pas vdekjes së Gjonit nëna e Dedës, Lula ishte e detyruar të martohet, ndërsa Dedën e mitur do ta rriste pa i lënë gjë mangut xhaxhai (axha) i tij. Sipas zakonit malësoret Dedë Gjon Luli martohet i ri me të bijën e Gjelosh Marashit nga Gruda, Prenën me të cilën patën katër femijë: dy vajza Naren e Mrinë si dhe dy djem: Gjergjin e Kolën. Babai i Dedës ndonse kishte vdekur i ri kishte lënë një trashëgimi të pasur atdhetarie. Ded Gjon Luli i kishte dëgjuar dhjetra herë fjalët e babës së tij, Gjon Lulit prej bashkëfshatarëve se, “..as drita nuk shkëlqen dhe as dielli nuk ngroh në këto troje deri sa të sundojë turku apo shkjau tokën shqiptare”. Deda i rujati si një amanet të shenjtë, jo vetëm për vete e femijët e tij, por u mundua t’i kultivojë edhe te bashkëkohësit e tij me mjaft sukses. Deda e hodhi pushkën krahëve pushkën, nuk ka betejë, kryengritje apo kuvend, ku nuk merr pjesë ky trim si zana, që nuk i shkonte një plumb kotë per armikun,dhe nuk i binte një fjalë në tokë per mikun. Ded Gjon Luli Dedvukaj shumë shpejt u bë një nga luftëtarët më të papajtueshëm ndaj pushtuesve osmanë dhe dha maksimumin për ruajtjen e e trojeve shqiptare të veri-perëndimit jashtë orekseve të fqinjëve të uritur për të grabitur tokat e shqiptarëve. Ded Gjon Luli në pamje fizike ishte trup vogël, por me zemër të madhe, trim dhe me zgjuarsi natyrale që buronte nga mençuria e kultivuar brezave në Traboin të Hotit. Mjedisi i trevës malësore, vatrat e qëndresës janë malet-kështjella ku u lind, u rrit dhe burrërua, por edhe u mbrujt me idetë e lirisë dhe mëvetësisë Ded Gjon Luli. Ai mësoi kuptimin themelor të detyrimit kombëtar të përbashkimit, të vetëmbrojtjes, të luftës për liri e vetësundimin e Shqipërisë prej shqiptarëve. Kur i patën thënë Plakut të Flamurit, Ismail Bej Vlorës, i cili ishte ngritur në këmbë dhe e kishte përcjellë personalisht Ded Gjo Lulin vetë deri tek dera, “pse i bëtë kash shumë nderime këtij katundari malësor?”, ai me mençurinë karakteristike të labit ishte përgjigjur: “Ded Gjo Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”.

AKTIVITETI LUFTARAK – PUSHKA E PARË PËR SHQIPTARINË DHE FIRMË E PARË NË NË MEMORANDUME

(Kryengritja malësorëve e identifikuar me emrin “Kryengritja e Ded Gjon Lulit”)

Aktivitetin atdhetar dhe luftarak Dedë Gjon Luli e filloi, që në moshë të re, ku spikati në Luften heroike të Vraninës, ku trimi legjendar Oso Kuka, me aktin e tij heroik “paralajmronte” fqinjët: “..Mos t’i lakmojnë tokës s’Gjergj Kastriotit,/se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit..”. Ndërsa pushtimi ishte ulur këmbëkryq në trojet shqiptare, Ded Gjon Luli do të ishte pushkë e parë edhe në luftën e Kërnicës më 1862, në luftën te Mulliri i Vrakës më 1871, në tre luftrat e Shpuzës  më 1870-1877, në luftrat për mbrojtjen e Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë, Ulqinit etj., që u zhvilluan nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 deri më prill 1881. Gjatë viteve të LSHP Ded Gjon Luli ishte komandant i ushtrisë vullnetare të Lidhjes shqiptare të Prizrenit për Malësinë e Madhe dhe Zëvendëskomandant i ushtrisë të Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën. Por madhështia e gjeneralit popullor Ded Gjon Lulin spikati në vitet 1911-1912 në kryengritjet e mëdha popullore antiosmane që çoi në ngritjen e flamurit kombëtar më 6 prill 1911 në Bratilë të Deçiçit. Deda ishte udhëheqesi i malësorëve kryengritës dhe që identifikohet edhe me emrin tij, si “Kryengritja e Ded Gjon Lulit”. Urtësia e plakut të urtë dhe të mençur të Traboinit, bëri që baca Dedë të ishte dhe të ndihej si pushkë e parë dhe udhëheqës i parë edhe në luftrat per mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmit e shoveneve serbo-malazeze të viteve 1912, 1913, 1915 dhe vitet që pasuan. Në kujtesën popullore dhe jo vetëm viti 1911, ka hyrë në histori si viti i një betejë shumë e rreptë dhe e përgjakshme pothuaj katërmujore në male, pati udhëheqës ushtarak malësorin 71-vjeçar Ded Gjon Lulin, i cili materializoi gjithë eksperiencën e shqiptarëve. Dedë Gjon Luli ishte pushkë e parë e mbrojtjes të trojeve të bashkuara shqiptare, por edhe firmë e parë në memorandume, kërkesa dhe protestat e 8.5.1878, 13 qershorit 1878, 15 qershorit 1878, 16 qershorit, 2 korrikut, 7 korrikut, 7 tetorit, 22 tetorit, 8 nëntorit 1878, 21 shtatorit 1879, 1 marsit 1880, 12 marsit, 4 prillit, 2 majit, 18 majit, 16 korrikut, 7 gushtit, 15 shtatorit, 19 shtatorit 1880, 26 prillit 1883, 9 qershorit e 26 qershorit 1883, të majit 1903. Malsia e mbishkodrës dhe jo vetëm e njohën Ded Gjon Lulin si organizator kryesor i Kuvendit të Greçës të 23 qershorit 1911, bashkëpunues themelor në formuloimin e pikave të memorandumit të Greçës, që në fakt ishte një programi politik për pavarësinë e trojeve shqiptare, për të vijuar me kërkesat e datës 9 shkurtit 1912. Por kërkesat dhe protestat me shkrim Ded Gjon Luli dinte t’i mbështeste edhe me zjarrin e armëve. Është fakt i dokumentuar se më 10 prill 1911. zbret në Shëngjin fuqia ushtarake osmane nën Komandën e Turgut Pashës e përbërë 34 bk, 20 mitraloze të rëndë e 24 topa malorë. Ishte koha kur të dy palët po përgatiteshin, osmanët për mësymje të përgjithshme, ndërsa malësorët për qëndresë tepër aktive. Pra momentin e zgjedhur nga Deda për fillimin e kryengritjes e përligjin fakte konkrete. Malësorët bëjnë organizimin e shkathët të mbrojtjes aktive. Turgut Pasha në Tuz vuri në rendim luftimi 11 mijë këmbësorë, 8 mitralozë të rëndë dhe 8 topa malorë me detyrë: të bllokojnë daljen e malësorëve në Mal të Zi, të pushtojnë Deçiçin dhe marshojnë drejt Rapshës. Në Koplik gjithashtu 11 mijë këmbësorë, 4 mitralozë të rëndë e 8 topa malorë: me detyrë të mos lejojnë ndihmën e Dukagjinit në të djathtë, të pushtojnë Kastratin e Shkrelin dhe të dalin në Rapshë. Nga veriu kryengritjes së malsorëve ju kundërvu Etem Pasha me 5 mijë këmbësorë, 8 mitraioza të rëndë e 12 topa malorë. Gjithë forca osmane përbëhej nga 27 mijë askerë, 20 mitralozë të rëndë, 28 topa malorë. Ndërsa Ded Gjon Luli shkëlqeu kur organizon luftimet duke i vendosur përballë armikut: 380 luftëtarë grudianë, 900 hotjanë, 100 luftëtarë të ardhur në ndihmë, 500 kastratas e shkrelas, 500 shaljanë në jug dhe 900 kelmendas në veri, pra gjithsej 3280 vetë. Raporti i forcave ishte 8:1 në favor të pushtuesve osmanë. Drejtuesi osman Turgut Pasha ishte arsimuar ushtarakisht në Turqi e Gjermani, ndërsa Dedë Gjon Luli e prijësat e tjerë kishin kryer vetëm akademinë e drejtimit në malet e veta. Turgut Pasha parashikonte operacionin e tokës së djegur dhe pat deklaruar se “do t’ju jap arnavutëve/shqiptarëve një mësim që të mos e harrojnë për shtatë breza”. Por morën kundrpërgjigjen shqiptarçe, që u shkrua në histori si triumf i Malësorëve luftëtarë të paepur për lirinë e trojëve arbërore. Dedë Gjon Luli i mbrojte me gjak trojet e të parëve të trevës së Hotit, Grudës, Kelmendit, Trieshit, Kojës, Tuzit, Plavës, Gucisë, Ulqinit e të tjera troje që Europa dhe europianët kishin vendosur t’ua jepte Malit të Zi, Serbisë etj. Në këto momente tragjike edhe pushtuesi shekullor osman ishte dobësuar tërësisht, sa ishte i gatshëm të lëshonte pa mëshirë territore shqiptare. Malësia e Madhe u shndrua në vatër e madhe kryengritjeje, e luftëra mbrojtëse dhe e qëndresës. Emri i burrit kreshnik të maleve Ded Gjon Lulit si udhëheqës i malësorëve kryengritës, detyroi jo vetëm pushtuesin osman, por edhe kralnitë europiane ta njohin këtë malësor si tribun popullor të shqiptarëve liridashës. Nuk ka shqiptar sot që nuk është i bindur se mjedisi që e rriti dhe burrëroi, qëndrimi i Dedës si ushtarak prijës në beteja, qëndrimi politik, lidhjet me atdhetarët bashkëkohës e bëjnë Ded Gjon Lulin si personifikimi i maleve shqiptare, në kuptimin organizativ vetëmbrojtës, ushtarak i fjalës së prerë dhe energjik në veprime edhe pse me moshë madhore. Shumëkush e krahason me malet shqiptare, si vatra qëndrese kundër pushtuesve. Vlerësimet për heroin tonë nuk kanë munguar edhe nga historianë të njohur të Europës. Kështu Profesori gjerman, Dr. Ferdinand Huepe shkruan: “Vetëm në malet shqiptare u zmbraps furia e valës sllave”, ndërsa francezi Ciprion Robert theksonte: “Malësitë janë nervi kryesor i Shqipërisë”. Nga ana tjetër e shquara Dora d’Istria do shkruante: “…në malësitë e veriut ka gjetur strehë shpirti i pavarësisë së shqiptarëve”, që janë vlerësime në radhë të parë për prijësin dhe luftëtarin Ded Gjon Luli. Vlerësimet i referohen pikërisht diturisë dhe zgjuarsisë natyrale të Dedës si ushtarak, që krahasohet me gjeneralë të shkolluar në akademitë ushtarake evropianë dhe ua tejkalonte gjeneralëve osmanë. Si ushtarak, gjeneral me aftësi të shquara, si në fushën e organizimit e mobilizimit ashtu edhe të komandimit, të shfrytëzimit me mjeshtëri të cilësive taktike e operative të terrenit të thyer malor, Deda dallohet si askush tjetër. Duke i njohur këto cilësi në vitin 1879-1880 Dedën e shohim në detyrën e komandantit të forcave të Malësisë dhe zëvendës komandantit të përgjithshëm në Jug, ku komandant ishte Preng Bib Doda e për qytetin e Shkodrës e rrethet, Hodo Sokoli. Deda kishte aftësi të rrallë që ndjenjën fetare ta përdorte fort në shërbim të çështjes kombëtare. Duke qëndruar disa kohë në llogore, malësorët luftëtarë kërkuan të shkonin në kishë për të pasë meshë në një rast, por përgjigjia e Dedës ishte “Jo. Do të vijë prifti në llogore e të t’jua thotë meshën. Kështu edhe detyrën nuk e braktisim, edhe meshën e shohim”. Kështu duke tërhequr mbi vete forcën goditëse kundërshtare, viset e tjera kishin mundësi të shpërthenin kryengritje dhe në fund të fundit të realizonin qëllimin me lehtësi dhe pa humbje. Deda kujtohet si një udhëheqës i shquar i Malësisë së Mbishkodrës në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut.

NGRITJA E FLAMURIT KOMBËTAR NË DEÇIÇ NGJARJE KULMORE NË VEPRIMTARINË E DED GJON LULIT (Pushtimi i Bratilës dhe ngritja e flamurit)

Garnizonet ushtarake të Portës së Lartë nuk mundën të ndalonin veprimtarinë e luftëtarëve dhe trimave shqiptarë në Jug dhe në veri të vendit. Një prej ngjarjeve më kulmore të vitit 1911, një vit para pavarësisë ishte pikërisht Kryengritja e Malësisë së Madhemga 24 marsi deri më 6 Prill 1911 ditë kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe me urdhër të Dedë Gjon Lulit. Ngritja e flamurit u la me gjakun e shtatë dëshmorëve: Dokë Preç Kercaj, Tomë Uc Ivanaj, Marash Lucë Gjokaj, Cak Uc Ivanaj, Gjeto Tomë Kolçaj, Kolë Dokë Marashaj, dhe Gjeto Gjekë Ivanaj, të cilet ranë heroikisht në fushën e nderit për flamurin kombëtar, dhe sot ata janë të përjetsuar në një memorial në Kojë. Nikë Gjelosh Luli vendosi Flamurin shqiptar kuq e zi në Bratilë në afërsi të majës së Deçiçit. Ngritja e flamurit ishte pikë kulmore e Kryengritjes dhe treguesi më i qartë se qëllimi e Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911 ishte luftë me qëllime të qarta për liri, komb dhe shtet shqiptar të përbashkuar, një betim ky i prijësave të shtatë bajraqeve të Malësisë, Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Shkrel, Triesh, Kojë por edhe fiset tjera jashtë Malësisë së Madhe. Malësorët me prijësit e fiseve që udhëhoqën Kryengritjen e Malësisë, në krye me kryeprisin e Kryengritjes Ded Gjon Lulit luftuan energjikisht për këtë flamur. Hotianëve u prinë: Ded Gjon Luli (i Traboinit te Hotit), Nikë Gjelosh Luli, Gjekë Marash Gjeloshi, Gjon Nikë Plluci, Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Kolë Marash Vata, Dedë Gjoni, të gjithë nga bajraku i Traboinit. Nga Rapsha e Hotit, Gjeto Marku, Lucë Muça, Zef Marashi, Luc Marku, Gjon Pllumi dhe Tomë Nikolla (vojvodë;“Vojvodë” është një term historik nga koha e sundimi osman, dhe do të thotë “i ngarkuar i qeverisë për një krahinë të caktuar në Shqipërinë e Veriut në shekullin XIX, i cili ndiqte zbatimin e urdhrave të qeverisë sidomos pas reformës së Tanzimatit). Grudës i prinë: Ded Nik Martini (bajraktar i Grudës), Sokol Baci (vojvodë), Kolë Zefi, Tomë Zoli, Marash Dashi, Marash Ujka, Lucë Gjeloshi, Kolë Deda (vojvodë), Tomë Gjoni si dhe Prenk Ujka e në disa dokumente përmendet edhe e bija e Smajl Martinit (bajraktarë i parë i Grudës), Tringë Smajlja. Kastratit (Selcës) i prinë: Dodë Prëçi (bajraktarë i Kastratit), Nikollë Doda, Mark Dashi, Mirash Luca, Gjelosh Gjoka (vojvodë), Pjetër Gjoka, Dedush Marashi dhe Lulash Dashi. Kelmendit i prinë: Palë Luca (vojvodë), Lucë Marku, Vocërr Preçi, Lucë Gjoni dhe bajraktari Gjon Voci. Vuklit i prinë: Gjon Uci (bajraktarë), Dosh Prenka, Zef Uci (vojvodë) dhe Lul Rapuka. Nga Nikçi: Gjon Sokoli dhe Lulash Kolë Shyti. Nga Shkreli: Tomë Nika, Prelë Prëka dhe Zef Mali. Nga Shala: Mehmet Shpendi (vojvodë), Marash Delia, Mark Alia. Në Kryengritje morën pjesë edhe Trieshi e Koja që e printe bajraktari Prëtash Zeka edhe pse në atë kohë ishin nën administrimin e Malit të Zi. Prej Deçiçit e më tej Vlorës së flamurit u përforcua urimi “Për flamur kombëtar”, “Flamuri valoftë, në duart  e shqiptarëve qëndroftë!”, urim, që shpreh esencën e shpirtit, të identitetit dhe të idealit kombëtar. Ded Gjon Luli thoshte se, “Flamuri i ka të gjitha, ai ka besën, pushkën, ai ka brenda gjithë Shqipërinë.. atij i falen, atë e ndjekin mbrapa të gjithë, çka janë shqiptarë të vërtetë..”. Ditët heroike kryengritëse të Malësisë Madhe i përshkruan mrekullisht edhe poeti pogradecar, Lasgush Poradeci me vargjet: “Malësia që bënë sulm në zjarr,/Porsi dragojë me fletë/Siç bënte sulm ngadhnjimtar,/Gjergj Kastrioti vetë..”. Ato ishin ngjarje madhore për kombin, ku kalitej ndërgjegjia kombëtare dhe farkëtohej liria, prandaj prijësit legjendar dhe trimit Ded Gjo Lulit i këndohen këngë. Ded Gjo Luli, e justifikoi plotësisht jetën plot dinjitet dhe atdhetari si dhe nuk u përzhit kurrë prej flakëve të luftrave, por doli ngadhënjimtar mbi to duke ngelur flakadan lirie në historinë e kombit shqiptar. Nëse i referohemi Gjergj Fishtës në “Lahuta e Malësisë” gjithë krerët e maleve i jep të përbashkuar, në luftë me pushtuesit: Oso Kuka, Mic Sokoli, Ded Gjon Luli, Çun Mula, Mehmet Shpendi, Marash Uci, Prengë Markola si “yll drite” etj., një kastë e klasë unike të urtisë, aristokracisë së maleve dhe qëndresës shqiptare. Dhe në këtë kontekst padyshim Ded Gjon Luli mbeti përjetësisht një atdhetar i kulluar, që kur ishte fjala për  trojet e veta nuk bëri kompromis me hasmin as për një fije bari. Për paralelizëm historik Ded Gjon Luli dhe dy djemtë e tij, Gjergji e Kola, janë dëshmorë të Atdheut, siç është dëshmor i flamurit dhe Nikë Gjelosh Luli, katër luftëtarë të përjetshëm të një oxhaku, që të sjell në mendje familjen heroike të Prekazit “Jashari” në Kosovë.

NË VLORËN E FLAMURIT, SI FIGURË E QËNDRESËS SË MADHE SHQIPTARE

Historianë, gazetarë, analistë, studiues të fushës së historisë ushtarake dhe jo vetëm pyesin: “Ku ishte Ded Gjon Luli në ditë e shpalljes së pavarësisë. 28 nëntori 1912 në Vlorë është shenjtëria e pavarësisë së Shqiperisë, ditë që edhe pse mungoi fizikisht Ded Gjon Luli, që kishte gjysëm shekulli që mbante ndezur zjarrin e lirisë në trojet e Malësisë Madhe dhe më gjerë. Armët e Ded Gjon Lulit nuk u ndryshkën korrë, por “kënduan” fuqishëm për lirinë e shqiptarëve. Fletët e historisë mbartën e transmetuan prushin e ndezur të malësorëve kryengritës. Ded Gjon Luli ishte edhe frymëzues dhe që trimëroi Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin e korifenj të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Ded Gjon Luli, mungoi mungoi fizikisht në Vlorë në ditën e flamurit, por me veprën e tij atdhetare ishte prezent, ishte dhe është në krye të vendit, sepse pa Ded Gjon Lulin dhe luftën e tij me trimat malësor, ajo ditë nuk do të kishte ardhur. Mosha 72 vjeçare, dhe jeta si kaçak duke jetuar më shumë jashtë më male e shpella. Këto kushte Dedës ja kishin rënduar moshën e paksuar fuqinë për të shkuar atë ditë të flamurit në Vlorë. Por e kishte të pamundur edhe pasi rruga nga do të kalonte ishte plot rreziqe e erë baruti ku përlesheshin dy armiq shekullor të malësorve e shqiptareve, Shkaju i Malit Zi që kërkonte të pushtonte Shkodrën e rrethuar prej tij dhe osmaneve, që kishte mbetur me një pjesë të ushtrisë së tij si trofe lufte, por që së bashku me shkodranë e shqiptar të tjerë po mundoheshin të mbronin veten e Shkodrën, ku në krye kishin Hasan Riza Pashën. Nga ana tjetër vështirësitë lidheshin me propogandën mashtruese të Kral Nikolla të Malit të Zi, që propogandonte se “më ndihmoni të shporrim turqit nga Malësia e deri përtej Shkodrës, e ju kudo në këto vende që do t’i çlironi do të ngritni flamurin tuaj, dhe do të jeni zot të trojeve tuaja dhe ne nuk do t’ju biem më në qafë..”. Mashrimi malazes bëri që shumë malsorë të binin pre e mashtrimeve. Kur malësorët e kuptuan se çfar po bënin ishte vonë. Trimëria e dhjetra malësorëve kishte shkuar në dëm të tyre dhe në këtë gjendje të vajtueshme që kishin rënë një pjesë e Malsisë, Dedë Gjon Luli nuk kishte si ja kthente shpinen trojeve të Malësisë Madhe. Në fakt ishte Dedë Gjo Luli ai që ndezi gjakun e malësorëve për ta ngjallur qëndresën malsore kur malet gjëmonin, ndërsa Evropa bënte sehir. Frytet e kryengritjeve vileshin në Vlorë. Kështu Dedë Gjon Luli pas shpalljes së pavarësisë do të sfidonte moshën mbi 72 vjeçare dhe rrethanat e vështira të kohës dhe do të shkonte të takonte shpallësit e pavarësisë me në krye Ismail Qmal Bej Vlorën, me të cilin ishte takuar edhe gjatë kryengritjes antiostomane të Malsisë së Madhe në vitin 1911. Dedë Gjon Luli e siguroi Ismail Qemalin se te Malsia e Madhe do të kishte një mbështetje besnike dhe të palëkundur per qeverinë e Vlorës, si e para qeveri legjitime e shqiptarëve. Ka autorë që mosprezencën e trimit të Malsisë Ded Gjon Lulit në Vlorë e lidh me zinë familjare për vrajen e të birit  22 vjeçar Gjergj Dedë Lulit. Megjithatë takimi u zhvillua se burri i Malsisë besnike nuk mund të mungonte në Vlorë pak kohë pas pavarësisë, dhe pas takimit Ismail Qmali do të deklaronte fjalët lapidar se: “Ded Gjon Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”, duke e pritur dhe përcjellë si rrallëkush.

HEROI DED GJON LULI NUK VRITET, POR QËNDRON NË PIEDESTAL TË KOMBIT

Vrasja e Dedë Gjo Lulit që prej vitit 1915 e deri më sot është trajtuar në shkrime të ndryshme në disa varjante dhe shpesh edhe kontradiktore. Por vrasja e këtij patrioti të madh është ndër më të rëndat e shekullit të kaluar dhe ndër vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar. Ishte 24 shtatori i vitit 1915, kur Deda ballafaqohet me një pritë në Sheshëz afër Oroshit, e ku vritet pabesisht nga hordhitë serbe, që i printe kapiteni serb Gjura dhe që gjendej jo rastësisht, në Mirditë me një kompani ushtarësh serbë. Ai edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëruan miqtë që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Ai nuk njihte “çaste fundore” edhe në moshën 75 vjeçare, edhe kur i organizuan kurthin në Orosh. Deda kur nuhati kurthin dhe përpara i doli kapiteni serb, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin: “paskemi mbarue!”. Megjithatë nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me pesë mirditorët, nuk e lëshoi veten, por e priti vdekjen trimërisht. Dora gjakatare serbe por dhe e bashkëpuntorëve esadistë vepronin rreptë mbi prijësat dhe luftëtarët shqiptarë në ato ditë të trazuara dhe në shtetrrethim të Oroshit të Mirditës. Duke i bërë analizë situatës gjykojmë se serbët ishin mjeshtra të ngatërresave dhe intrigave për të eleminuar shqiptarët, duke organizuar plane për të lënë përshtypjen që edhe vetë shqiptarët të ngatërrohen me njëri-tjetrin. Kapedani i maleve dhe prijësi i sprovuar në luftra Ded Gjon Luli kishte shkuar në Orosh të Mirditës për të realizuar një beslidhje të madhe me parinë e Mirditës, por edhe më gjerë, për të kordinuar luftën çlirimtare e mbrojtëse të trojeve shqiptare nga pangopësia shekullore e fqinjëve të Ballkanit. Lufta e Parë Boterore që filloi më 1914-ën kishte rrezik që të realizonte vendimet famkeqia të traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, për të coptuar edhe atë Shqipëri që kishte vendosur Konferenca e Londrës më 1913 nga Fuqitë e Mëdha. Prandaj burri i mençur Ded Gjon Luli si zemra, mendja dhe pushka e parë e Malësisë Madhe dhe shqiptarisë, për më shumë se gjysëm shekulli, kishte sfiduar moshën, por edhe përbuzur rrezikun për jetën, duke u shndruar faqja e bardhë e përjetësisë së Hotit, krejt Malësisë e Shqiptarisë. Të dhënat se serbët pasi i lidhin i kontrollojnë nëpër xhepa, për ti vjedhur më parë. Deda e kupton këtë kontroll dhe nuk mungon të thotë “…kini kujtue se unë kam luftue tan jetën për pasuri? Po kjo asht marre. Burri i Shalës lufton veç për vatan o shkja të ndymë!” Krismat e armëve presin në mes fjalën e trimit në mes por nuk mundën të presin frymën atdhetare dhe prushin e shqiptarizmës për të drejtat e tyre legjitime. Bashkë me Dëd Gjon Lulin u vranë dhe shtatë burra oroshas shoqërues të Malsorit të madh. Shoqëruesit ishin nga fshati Lajthizë, ose sic quhen ndryshe “Shtatë Lajthizakët”, që ishin Mark Llesh Doda (1876-1915), 39 vjeç, Llesh Ded Margjini (1874-1915), 41 vjeç, Mark Llesh Lleshi (1877-1915), 38 vjeç, Ndue Kol Pjetri (1875-1915), 40 vjeç, Ndue Kol Kola (1875-1915), 40 vjeç, Preng Çup Deda (1890-1915), 25 vjeç, Preng Çup Skania (1881-1915), 34 vjeç, që të shtatë janë dëshmorë të kombit shqiptar. Fakt është se, për asnjë figurë tjetër shqiptare nuk janë sakrifikuar kaq shumë burra dhe kjo tregon rëndësinë që Mirdita i jepte një personaliteti të madh si Ded Gjon Luli, duke iu bërë vetë mburojë njerëzore një figure madhore të kombit. Nuk do të vononte dhe rapsodi mirditor gdhendi në vargje vrasjen e shekullit: “Në bjeshkë të Oroshit na u derdh zani,/se ç’ban me ne serbjani,/Si ata trimat kanë rrethue,/me vargonj na i kanë shtrëngue,/Zana e malit t’jam ankue,/curril gjaku tue u shkue,/Mu në Sheshëz burrit të botës,/pa iu tremb qerpiku i lotës,/Serbi thikën i ngul në krahnuer,/Ded Gjon Luli burrë malcuer,/Po i thotë këto fjalë açik:/Gjaku em të shkojë fli,/Për me pshtue të shkretën Shqipni”. Ishte dita kur nga qielli shqiptar ishte shuar një yll i lirisë kombëtare. Pas vrasjes së Ded Gjon Lulit, falangat serbe, por dhe ato esadiste trupin e tij të pajetë e kishin mbuluar me landë drusore e gjethe në Malin Shejtë. Kanë qenë barinjtë e zonës që e kanë zbuluar pas dy javëve. Më datën 8 tetor 1915 famulltari i Oroshit të Mirdites e varrosi pranë borrit të kishës. Tri vite pas me 1918, djali i tij Kola do ndërronte jetë si pasojë e helmimit, sërish nga armiqtë e shqiptarisë. Më 1920, në verilindje të Shkodrës do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit, i djathti i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë, e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdhe të këtij fisi. Dedë Gjo Luli na mësoi se gjaku shqiptar nuk shuhet. Më 29 maj 1924 eshtrat e Dëdë Gjon Lulit u rivarrosen me një cermoni madhështore në Shkodër, me prani të mëse tremijë vetëve që vajtonin heroin e kombit dhe bijtë e tij. Pjesëmarrës ishte edhe delegati Apostolik imzot Ernesto Kozi. Në ketë cermoni një ligjeratë brilante mbajti At Anton Harapi: “Sikurse Athina e Roma mbi gjak e eshtna të fatosave ngrehen ndërtesën e Lirisë, ashtu për të mëkamunit e Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikeve të sterpikë krepat e Maleve tona.. mbas 400 vjetësh Dedë Gjon Luli me çeten e vet lufton per të parën herë nën Flamurin e Shqipnisë, për lirinë kombëtare. Ai ka qenë tre here fatos se i fali Atdheut dy djemtë dhe veten, …në të vërtetohet fjala e popullit se, ndihma e Zotit dhe pushka e Hotit e shpejtoi lirinë kombëtare të shqiptarëve..”. Atë ditë nuk po varrosej Ded Gjon Luli, nuk shuhej ideali i tij, përkundrazi lartësohej një figurë madhore e kombit shqiptar, që mijëra shkodranë dhe jo vetëm shoqëronin trimin të mbuluar me flamur kombëtar në rrugëtimin në banesën e fundit, në një përcjellje solemne. Mbarë shqiptaria po përcillte një hero të papërsëritshëm. Nga Tirana, mbriti dhe telegrami i deputetëve të Shkodrës, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi, në të cilën pos të tjerave thuhej: “Bashkohemi me zemër në nderimet e që Shkodra po i kushton kujtimit të Ded Gjo Lulit, tue krye detyrën e mirënjohjes ndaj fatosit të pavdekshëm që nga më të parët ngrehi Flamurin e lirisë së atdheut, mbi shkrepat e përgjakura të Malësisë së Madhe”. Historia e përqafoi, populli e hedhi në bronz për mos tu larguar kurrë nga memorja e kombit shqiptar.

DED GJON LULI PËRJETËSISHT NË MEMORIEN E LAVDISË SË KOMBIT

Penat për Ded Gjon Lulin janë të shumta, sepse e tillë ishte veprimtaria e tij mëmëdhetare Prof. Shaban Demiraj, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë 85-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe, që më 13 prill 1996 mbajti një fjalë të rëndësishme për heroin në një simpozium kushtuar atij, po kështu dhe Pal Doçi e shumë të tjerë. Ded Gjon Luli është objekt i vlerësimit, fotografimit, nderimit, gdhëndjes në bronz, pasi i tillë ishte ai vetë, kishte gdhendur një copëz të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Edhe në librin “Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar”, të Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi më 2021, figura e Ded Gjon Lulit, nuk përfaqëson një emër heroi e dëshmori por një epokë dhe një epope trimërie, mençurie e lavdie të birit të Traboinit të Hotit në komunën e Tuzit. Profesorë të tjerë të spektrit historisë ushtarake si Proletar Hasani, Shahin Leka, Bernard Zotaj, Bashkim Qeli, Dorian Koçi, etj, kanë evidentuar në shkrime të veçanta nderimin e një figure të lartë të kombit shqiptar. Pena të tjera e që e kanë nderuar veprën e Dedë Gjon Lulit kanë qenë Lasgush Poradeci, Zef Gjeta, At Bernardin Palaj, Ndue Bacaj, Xhevair Shtupa etj. Piktorë të shumtë janë frymëzuar nga vepra e Ded Gjon Lulit sikurse është piktura e piktorit Agim Zajmi “Ngritja e flamunrit në Deçiç në vitin 1911” dhe dhjetra piktura të tjera. Ai me meritë të plotë është shpallur me titullin më të lartë në Shqipëri që është titulli “Hero i Popullit” si dhe me titullin e lavdishëm “Dëshmor i Atdheut” me Vendim mr 129 datë 3.11.1969 të ish Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Shkodrës. Për meritat e tij në lufterat dhe përpjekjet e popullit shqiptar për pavarësi, liri e përparim, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar Ded Gjo Lulin “Për veprimtari patriotike të klasit të Parë” në kuadër të 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë më 28.11.1962. Emri dhe vepra e Ded Gjon Lulit është në tekstet e historisë dhe të letërsisë shqiptare, në monumente dhe në libra, në filma dhe emërtime rrugësh e shkollash, përjetësisht i gdhendur në memorien e kombit shqiptar. Ded Gjon Luli është dekoruar si Hero i Popullit dhe është i 24 në listën e Heronjve të Popullit nga 158 Heronj të Popullit të akorduar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë. Për Dedë Gjon Lulin është shkruar dhe do të shkruhet e vlerësohet sepse figura e gjeneralit popullor, malësorit atdhetar të kulluar, është përmendur fort në histori dhe është e njohur dhe e nderuar në mbarë shqiptarinë sepse për gjysëm shekulli jetë në shërbim të Atdheut i kanë vënë vulën me prush atdhetarie. Për të përkujtuar këtë figurë madhore të historisë së kombit shqiptar janë shkruar nga më shumë se 120 autorë, historianë, shkrimtarë, poetë nga më të mirët e kombit shqiptar.

*

Kronologjia e jetës dhe veprës së Ded Gjon Lulit:

25.11.1840. Lindi Dedë Gjon Luli. Ai kishte lindur me pushkë dhe për pushkë. Lindja e djalit u përcoll me batare pushkësh, siç edhe asht kenë zakoni. Por prova e parë trimërisë së djemve të Malsisë përcaktohej nga pjesëmarrja në betejë, që në fakt u zhvillua në ndihmë të Oso Kukës, kur ishte në moshën 21 vjeç. Epopeja që shkroi Oso Kuka në Vraninë, që luftoi deri në fymën e fundit, nuk u dorëzua i gjallë, por i vuri zjarrin kullës ishte një shembull heroizmi dhe qëndrese për gjithë shqiptarët.

Shkurt 1842. Ded Gjon Lulit i vdes i ati, Gjoni dhe ngelet, pa baba, por rritja dhe edukimi i tij vijoi sipas traditave malsore. Jeta nuk e lëkundi Dedën aspak në djepin e ngrohtë. Pas vdekjes së babait Gjon Lulit, tre muaj më pas e ëma e la Dedën e vogël në shtëpi, në kërkim të një fati më të mirë për veten dhe nuk mundi ta merrte Dedën me vete.

  1. Dedë Gjon Luli Dedvukaj ishte ndër luftëtarët që i shkuan në ndihmë Vraninës, sikurse shumë hotianë dhe malësorë të Grudës, në atë kohë Dedë Gjon Luli ishte pjekur plotësisht për të luftuar pushtuesit. Që prej kësaj kohe kudo ku kërciste pushka për “komb” e “Shqipni” në krye për krahinën ishte trimi i Gjon Lulëve. Në të gjithë malësinë e Shqipërisë së Veriut, Hoti ishte bajrak me emër, bajrak i parë, prandaj ai përfaqësohej në të gjithë kuvendet e mëpasme.
  2. Edhe në Lidhjen e Prizrenit, Hoti pati përfaqësuesit e vet, prijësin e ardhshëm Ded Gjon Luli i frymëzuar nga betejat skanderbegiane të lirisë dhe e vetësundimit ishte trupëzuar në mendjen e Dedës. Kjo duket qartë në kërkesat e vijueshme të tij. Në kuvendin me konsullin osman në Cetinë, pyetjes se atë “Librin e kuq” e duan për vete, a për gjithë Shqipërinë, Deda i përgjigjet: ”ma parë për vedi e mandej për Shqypninë mbarë”! Që Deda e kishte të qartë detyrën për të cilën luftonte, kjo është shprehur fort bukur në këtë këngë popullore: “Dedë Gjo’ Luli shkruen një letër:/Pashës s’Shkodrës me ia çue,/Se Shqypnia nuk do’ tjetër,/Veç do vedin me e sundue!..”.

1.3.1880. Malësorët i shkruanin ambasadorit të Austrisë: “..Të jeni të sigurtë se po të ndodhë kjo padrejtesi që nuk e besojmë, do të ndodhin medoemos gjana të papëlqyeshme…” Në letër malësorët përcjellin mendimin e tyre se ata ishin të vendosur që të jetonin të patundur në viset e të parëve. Por në fakt fuqitë e Mëdha e kishin shitur Shqipërinë dhe trojet e saj.

4.4.1880. Malsorët e prirë nga Ded Gjon Luli, kishin dërguar letër edhe konsujve tjerë europianë në Shkodër, në të cilat u bënin të qartë betimin se asnjë copë tokë nuk do të lëshonin pa luftë, duke ua bërë të qartë se nuk i pranonin vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit dhe ishin betuar që tokat e tyre, mos me i lëshua pa luftë.

29.1.1886. At Agostini, frati i Brigjës, në një relacion që i dërgon Arqipeshkëvisë të Shkodrës shkruan: “Shumë i ndershmi Dedë Gjon Luli, i pari i arratisun, gjendet në kushte shumë të vështira jetese, i mungon deri buka ..shtëpinë e tij të djegun sapo e kanë mbuluar në një qoshe. Të ndihmohet se është ma i ndershmi dhe ma i dashtuni në këto male”.

5.3.1899. Ded Gjon Luli është ndër përkrahësit e zjarrtë të nënshkrimit të një vendimi me shtatë pika në Shkodër, në të cilën në emer të të gjithë vilajetit të Shkodrës u shpall besa dhe bashkimi i popullsisë së ketij vilajeti me Kuvendin apo Lidhjen Shqiptare të Pejës të 26-30 janarit 1899 dhe komitetin e saj të kryesuar nga udhëheqësi trim e patriot Haxhi Zeka.

27.2.1904. Në letrën që i çon arqipeshkvit të Shkodrës theksonte: “Në qoftë ndokush meshtar shqyptar gjakut e vllaznisë sonë po e përbejë për mund e gjak të Skanderit, që ka derdhë për Shqypni të na dalë zot tenzotnia jote”.

Fillim marsi 1911. Mirditasit sulmuan garnizonet turke në Orosh e Kashnjet. Komandanti i Divizionit 24 i dislokuar në Shkodër e çmoi gjendjen si shumë të rrezikshme. Për të përballuar sulmet në Mirditë tërheq nga Tuzi 4 batalione këmëbsorie dhe, duke u shtuar edhe disa të tjerë nga Shkodra, nën komandën e shefit të shtabit albaj (kolonel) Pertef beut i nisi urgjent në Mirditë. Edhe nga Prizreni në drejtim të Mirditës u dërgua një detashment këmbësorësh i shoqëruar me artileri malore.

24.3.1911. Duke parë se granizoni i Tuzit ishte pakësuar shumë, prandaj një sulm i befasishëm do të çonte patjetër në sukses, Deda dërgoi Nik Gjelosh Lulin dhe të birin, Kolën për të nisur këtë sulm, sulm që rezultoi i sukseshëm dhe merret posta e Rapshës.

25.3.1911. Kryengritësit marrin postat në Stare, Pikale e Selishtë, ndërsa Kelmendi theu kishën e merr armët e mbledhura aty që në vitin 1910.

27.3.1911. Kryengritësit e udhëhequr nga mençuria e Dedë Gjon Lulit sulmuan e morën disa pozita dominuese rreth Deçiçit, ndërsa Kelmendi mori dy postat e Vermoshit. Atë ditë, në drejtimin Koplik-Kastrat u nisën nga Shkodra 500 ushtarë, 4 topa, 1000 vullnetarë shkodranë, por u ndalën për 3 ditë në Përrua të Thatë nga forcat e Kastratit nga prijësi Dodë Preçi.

28.3.1911. Kryengritësit sulmojnë Tuzin, i cili të nesërmën bie në dorë të kryengritësve. Kështu u krijua një zonë e lirë nga Tuzi e gjer në Drin, duke mbetur në duar të osmanëve vetëm Shipçaniku e Deçiçi.

30.3.1911. Pushtuesit osmanë kundërsulmojnë nga Shipçaniku në drejtim të Deçiçit, por pësojnë humbje të konsiderueshme dhe sulmi i tyre quhet i dështuar.

31.3.1911. Në mesnatë allbay Pertef Beu, pas një pune mashtruese, mundi të tërheqë prej Mirditës gjithë ushtrinë e tij pa pësuar dëmtime dhe hyri në qytetin e Shkodrës.

1-2.4.1911. Malësorët e kanë ditë Pashke dhe nuk nxjerrin roje, kështu që forcat osmane nga Përroi i Thatë shkojnë në Deçiç e që andej në Shipçanik.

3.4.1911. Dedë Gjon Luli mbrin në Qafë Kishë dhe vihet në krye të forcave kryengritëse.

6.4.1911. Në Kalivare të Mirditës, Kuvendi i 12 bajrakëve zgjedh Preng Marka Prengën komandant të përgjithshëm të forcave kryengritëse të Mirditës.

10.4.1911. Në Shëngjin zbret fuqia ushtarake osmane nën Komandën e Turgut Pashës e përbërë 34 batalione askerësh, 20 mitraloze të rëndë e 24 topa malorë. Turgut Pasha në Tuz vuri në rendim luftimi 11 mijë këmbësorë, 8 mitralozë të rëndë dhe 8 topa malorë, ndërsa në Koplik gjithashtu 11 mijë këmbësorë, 4 mitralozë të rëndë e 8 topa malorë. Etem Pasha me 5 mijë këmbësorë, 8 mitraioza të rëndë e 12 topa malorë. Gjithë forca osmane përbëhej nga 27 mijë askerë, 20 mitralozë të rëndë, 28 topa malorë. Ndërsa Ded Gjon Luli shkëlqeu kur organizoi luftimet vetëm me 3280 luftëtarë.

6.4.1911. Trimat kryengritës çuan në vend, amanetin e Gjergj Kastriotit dhe fjalën e prijësit atdhetar Dedë Gjon Luli, duke e ngritur flamurin kombëtar në majën Deçiçit, që u la me gjakun e shtatë deshmorve Kojas : Dokë Preç Kercaj, Tomë Uc Ivanaj, Marash Lucë Gjokaj , Cak Uc Ivanaj, Gjeto Tomë Kolçaj, Kolë Dokë Marashaj, Gjeto Gjekë Ivanaj, të cilet ranë heroikisht për flamurin kombëtar shqiptar. Ndërsa Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe Pjeter Zefi janë flamurtarët e shqiptarisë. Atë ditë (me 6 prill 1911) Lekët e Hotit, Grudes, Trieshit, Kojes, Orahovës, Fundnave, Kastratit, Kelmendit, Shkrelit e të tjerë, mbas fjales së Dedë Gjon Lulit :”Bini bini sokola, he në krajlni ju shkoft zani”. Deçiçi është “Oxhaku” i shqiptarisë, që poeti Aleksandër Sirdani i këndon: “Nalt Flamuri përhillet,/Armikut s’i lëshon cak,/Me besë Arbnori lidhet,/Me gjakë mbrojt Atdheun me gjakë,/Ngallnjyese kthen Malësia,/N’Deçiq Flamuri të valojnë,/Plot gjak e jetë i kushtojnë./Kuq e Zi Flamuri përhillet,/N’dor Ded Gjo’Lulit trim,/me Gurakuqin mblidhet,/Shqipnia me një kushtrim “. 6 prilli i 1911-ës përkujtohet edhe si “pranvera e Flamurit”, sepse Malësia e Ded Gjon Lulit e ka ngritur flamurin përpara Vlorës në majën e Bratilës më Deçiç, ku me urdhër të Dedë Gjon Lulit, Nikë Gjelosh Luli vendosi Flamurin Shqiptar kuq e zi në Bratilë pranë të majës së Deçiçit. Ded Gjon Luli kishte hedhe për tokë flamurin me gjysëm hënë të osmanëve, ndërkohë që ishte dita kur do të binte i pari i dëshmor i fisit, Nik Gjelosh Luli.

23.6.1911. Memorandumin e Greçës u shkrua nga Ismail Qemal bej Vlora dhe Luigj Gurakuqi, që u quajt edhe “Memorandumi i Greçës” ose “Libri i Kuq” (për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës në të cilën u shtyp), me 12 kërkesa ku spikat, kërkesa për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë, ndërkohë që Ded Gjon Luli edhe pse në moshë të thyer i qëndroi besnik deri në fund luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar të bashkuar. Me nismën e Komitetit të kryengritjes (të Podgoricës), u mblodh në pllajën e Greçës, në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili më 23.6.1911 miratoi dokumentin, i cili ju paraqit Kuvendit të krerëve të kryengritjes nga Luigj Gurakuqi. Memorandumi u shkrua në shqip dhe frëngjisht dhe u nënshkrua nga Sokol Baci (Grudë), Ded Gjon Luli (Hot) Ded Nika (Grudë), Dod Prëçi (Kastrat) Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Cuni (Prekali), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin).

24.6.1911. “Libri i Kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut, që e pranoi atë pa dhënë ndonjë përgjigje. Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Cetinë. Marrëveshja ishte një akt, një program kombëtar, me të cilin kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte objektiva të sakta për ardhmërinë e shqiptarëve.

26.6.1911. Duke përfituar nga memorandumi, që kryengritësit shqiptarë ua drejtuan Fuqive të Mëdha, Eduard Grej, ministri i Jashtëm britanik, kërkoi të ndërhyhej kolektivisht pranë Portës në përkrahje të shqiptarëve, për gjuhën, shkollën, ndërtimin e rrugëve dhe për amnistinë e përgjithshme, por ky propozim nuk gjeti përkrahje të fuqive të tjera të mëdha.

Gjermania kundërshtoi se do të merrej nga Stambolli si ndërhyrje në punët e brendshme të Turqisë; Vjena u përmbajt tek qëndrimi i mëparshëm, të mosndërhyrjes; Franca nuk u bashkua me nismën e Anglisë, Rusët shprehin dyshimin nëse shqiptarët do të kënaqeshin me lëshimet e propozuara nga Grej kur ata kërkonin autonominë.

07/08.1911. Pas Memorandumit, shqiptarët filluan të punonin për ta shtrirë kryengritjen në të gjithë vendin, për ta kthyer në një kryengritje të përgjithshme në veri e në jug të Shqipërisë.

12.7.1911. Shqiptarët, duke parë interesimin e Forein Ofisit anglez, në një memorandum të veçantë që i drejtuan qeverisë angleze, posaçërisht Eduard Grejit, kërkuan dhe një herë autonominë e Shqipërisë. Në memorandum thuhej: “..po bëjmë fli për arsye të larta politike dëshirat e pavarësisë që frymëzojnë popullin shqiptar prej pesë shekuj, e lypim vetëm autonomi të gjerë..”.. “..ushtria osmane po ushtronte në fshatrat e Malësisë, ku plaçkiste, digjte e rrënonte çdo gjë, ndërsa shqiptarët i lironin ushtarët osmanë që zinin rob, turqit hakmerreshin edhe mbi popullsinë e paarmatosur, mbi pleqtë, mbi gratë e fëmijët.. kishte edhe raste kur njerëzit digjeshin të gjallë nga askerët..”.

21.7.1911. mbajt në Manastirin e Cepos, në Malin e Gjerë (Gjirokastër), Kuvendi i përfaqësuesve të popullsisë së Çamërisë e Labërisë dhe gjithë kazave të vilajetit të Janinës, ku morën pjesë rreth 800 veta, edhe përfaqësues të çetave të armatosura të Shqipërisë së Jugut. Kuvendi miratoi një memorandum, i cili, duke pasur 43 nënshkrime të popullsisë së Gjirokastrës, të Delvinës, të Kurveleshit, të Himarës, të Filatit etj., iu dërgua qeverisë xhonturke. Memorandumi përkrahu fuqishëm Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës dhe programi i saj i autonomisë së Shqipërisë.

29.8.1912. Ranë në fushëbetejë shumë luftëtarë të Malsisë, dhe ndërmjet tyre edhe biri i tij Gjergj Dedë Luli 22 vjeçar. Kjo e ligështoi, por nuk e mposhti heroin. Historia ushtarake shqiptare ka evidencuar se në betejën e 29 gushtit 1912, kishin rënë shumë luftëtarë. Kur do t’ia jepnin lajmin Dedës, për të mos e lënduar, i thanë: “Dedë, kanë mbetë njëzetë hotianë në fushë të luftës. Po burrat në luftë do të mbesin, qe përgjegjur ai. Po mbeti dhe djali yt, Gjergji. Po dhe ai djal nane ishte”, – qe përgjigjur Deda, duke e gëlltitë dhembjen.

23.2.1913. Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi padrejtësinë e radhës, që Hoti dhe Gruda t’i jepen Malit te Zi, një ngjarje e dhumbshme historike, sikurse janë të shumta trojet dhe numri i shumtë i popullsisë që i janë shkëputur trungut mëmë, para dhe pas rënies së perandorisë osmane, duke i trajtuar si troje dhe popullsi të saj. Në shtetin amë në Shqipëri në bashkinë e Malsisë së Madhe, sipas regjistrave të gjendjes civile jetojnë 65.000 banorë, ndërsa në Komunën e Tuzit 15.000 banorë, gjithësej 80.000 banorë, pa llogaritur emigracionin.

24.9.1915. Në Sheshëz afër Oroshit, në grykën e shpellës së Akullit, nga një pritë e bërë nga serbët bie për të mos vdekur kurrë trimi i Malsisë, luftëtari dhe prijësi 75 vjeçar Ded Gjon Luli. E tërë jeta e Dedës dhe familjes së tij është një shembull i papërsëritur atdhetarie, një familje që nuk mund të shuhet kurrë sepse do ngelet një flakadan atdhetarie, që kujtohet e nderohet për bëmat në emër të Atdheut. Bashkë me Dedën ranë edhe 7 shoqëruesit e tij, siç njihen “shtatë lajthizakët”: Mark Llesh Doda (1876-1915), 39 vjeç, Llesh Ded Margjini (1874-1915), 41 vjeç, Mark Llesh Lleshi (1877-1915), 38 vjeç, Ndue Kol Pjetri (1875-1915), 40 vjeç, Ndue Kol Kola (1875-1915), 40 vjeç, Preng Çup Deda (1890-1915), 25 vjeç, Preng Çup Skania (1881-1915), 34 vjeç.

8.10.1915. Pas vrasjes së Dedë Gjon Lulit, trupat serbe dhe esadiste trupin e tij të pajetë e kishin mbuluar me lëndë drusore e gjethe në Malin Shejtë në Orosh, ku e zbuluan disa barinj rastësisht pas disa ditëve. Më 8.10.1915, famulltari i Oroshit e varrosi te kisha e tij.

  1. Kolë Ded Luli, djali tjetër, krahu i djathtë i Ded Gjon Lulit ndër beteja, dha shpirt i helmuar nga armiqtë e kombit shqiptar. Ai u helmua nga sllavët, në një hotel të qytetit e Barit në Itali në vitin 1918, në shenjë hakmarrje ndaj prijësit të shquar te Kryengritjes së Malsisë Ded Gjon Lulit.
  2. Në verilindje të Shkodrës, ra në fushëbetejë me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë që zgjasin listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi e oxhaku të shquar të kombit tonë.

29.5.1924. Me përpjekjet e së bijës Nareja dhe e reja Nora, (bashkëshortja e Kolës), u mbartën prej Oroshit eshtrat e Ded Gjon Lulit dhe prej Vlorës ato të Kolë Ded Lulit dhe u vendosën në Shkodër (ish-Kryeqendër e Vilajetit), sepse varrimi i të vrarëve bëhej “ku i zinte balta”, një traditë e hershme e luftëtarëve që binin në beteja. Shkodra i nderoi vetëmohimin e familjes Gjon Luli për veprën e madhe e të ndritur të tyre. Eshtrat e Ded Gjon Lulit u rivarrosen me një cermoni madhështore të organizuar nga Etnit Franceskan në Shkodër, me pjesëmarrje mbi tremijë veta, si dhe delegati Apostolik imzot Ernesto Kozi. Eshtrat e Ded Gjon Lulit ishin mbuluar me flamur kombëtar, Në ketë cermoni një ligjeratë brilante mbajti At Anton Harapi, i cili tha: ”Sikurse Athina e Roma mbi gjak e eshtna të fatosave ngrehen ndërtesën e Lirisë, ashtu për të mëkamunit e Shqipnisë u lyp që gjaku i kreshnikeve të sterpikë krepat e Maleve tona..”.

  1. Publikohet në Revista ”Leka”, Nr. 1/Kallenduer, Viti 1937, nga fq,9–13: Memorandum “Mbi vendimet e dhanuna prej Kuvendit të përgjithëshëm të Krenëvet Shqypëtare në Gerçë më 10/23 të Qershorit 1911, Si përgjigjeje të proklamacjonit të Shefqet Turgut Pashës, që ndryshe është quajtur “Libri i kuq”

18.3.1964. Ndërron jetë Nora, pjesëmarrëse e të gjitha luftërave të lavdishme për çlirimin e vendit dhe bashkimin gjithë shqiptar,dhe dëshmitarja e fundit e vrasjes në prit të një luftëtari të spikatur kombëtar Ded Gjon Lulit, i cili e thërriste Norën (bashkëshortja e të birit Kolë Ded Lulit), me përkëdheli “Djali ma i mirë i babës”.

13.4.1995. Në Universitetin Fordham në Neë York të SHBA-së Ismail Kadare shprehej: “Ded Gjon Luli, prijësi dhe heroi i kësaj kryengritjeje hyn kështu në plejadën e prijësave të kombit shqiptar. Ai është një prijës e një hero tipik shqiptar, nga ata që shkojnë në luftë me krejt familjen, dhe që bashkarisht me vëllezër e motra, nipër e mbesa janë të gatshëm për flijim”.

27.11.2015. Shtatorja e Ded Gjon Lulit u vendos në qendër të Tiranës, pranë Muzeut Historik Kombëtar. Financuesi i shtatores ka qenë Gjok Uldedaj, i cili në ditën e promovimit të shtatores së heroit Ded Gjo Luli, e trajtoi si një simbolikë të rëndësishme për malësorët, për “..një figurë emblematike, flamurtari i parë i Shqipërisë së Madhe, nismëtar të pavarësisë së vendit tonë. Ded Gjo Luli është krenaria e maleve dhe më gjerë. Në kërthizë të Tiranës kushdo mund ta prekë lartësinë e këtij heroi legjendar të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Burimet e studimit:

Gazeta: ”Hylli i Drites” 1932/11, fq.575, revista “Leka” 1937/6, fq.249-250, (Flamuri i kuq në Deçiç), Kol Kamsi “Kronikë e Agimit të Lirisë”,“Leka” 1937/VIII-XII, fq.371-372; At Marin Sirdani, Flamuri në Deçiç, revista “Leka”, nr.6 -1937, fq.249; Klajd Kapinova, Në mes Kryqit dhe Atdheut, fq.63; Gjergj Fishta,…nga Mrizi i Zanave, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit, fq.15-16, përg, nga Tonin Çobani, Enti botues “Lisitan”, Lezhë 1994; “Liridashësi” gazeta “Liri e Shqipnisë”, (botuar në Sofje, Bullgari nga Kristo Luarasi), nr.4, dt.13 prill 1911; Risto Siliqi, “Pasqyra” e Diteve të pergjakshme në të pestin Shekull të Shqipnisë të Ronueme, fq.81-82, Trieste 1912; Zef Gjeta “Dukagjini”, fq.412-413; At Bernardin Palaj, Poema “Vorret e Flamurit”; Ndue Bacaj, Monografi e botuar në 2016 dhe ribotuar në 2019: “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-Osmane 1911”; Ndue Bacaj, “ Një portret i vogël për të madhin atdhetar Dedë  Gjon Luli”; Gjergj Fishta, Lahuta e Malësisë, fq.62, Romë 1991; Hamdi Bushati, Shkodra dhe Motet, vëllimi I, fq.413-431, Shkodër 1998; Hysni Myzyri, Ded Gjon Luli–patriot dhe luftëtar i shquar i Rilindjes sonë, gazeta “Zeri i popullit” dt. 23.9.1975; Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptare, Tiranë 1978; Kristaq Prifti, Lidhja Shqiptare e Pejës, fq.221, Tiranë 2002; Shtjefen Gjeçovi, Fondi “Bernardin Palaj”, dosja 4/1 dhe dosja 15 AQH, Tiranë; At Gjon Karma “Kërkime në malet tona (të veriut), fq.197; Fritz Radovani “Dedë Gjon Luli”; Pandi Rrumbullaku ,”Dedë Gjon Luli pushkë e ngrehur për Shqipërinë”, gazeta “Luftëtari” organ i MMP-së, dt. 25.9.1980; Stefanaq Pollo “Gjurmë të historisë së Shqiperisë”, fq.282, botim i AKSh,Tiranë 1990; Pal Doçi, “Dedë Gjon Luli“, Tiranë 2003; At Justin Rrota, Ditet e mbrame të Turqisë në Shkoder, rrethimi i qytetit 1912-1913, botim II, botime franceskane, Shkodër, 2010, fq.28-31; Hortense von Zambaur, Rrethimi i Shkodres 10 tetor 1912 -22 prill 1913, fq. 138, “Camaj-Pipa”, Shkodër 2006; At Gjergj Fishta-ligjeratë Për një monument të Dedë Gjon Lulit, ”Antologji Shqipe”, shtëpia botuese “Kristo Luarasi” botuar nga Filip Fishta, Tiranë, 1935; Zekeria Cana, fjala e mbajtur në shtator 2005 në inagurimin e shtepisë muze të “Ded Gjon Lulit”; Referat në 100-vjetorin e rënies. Revista “Fjala” , Nr.24, Nëntor 2015, faqe 6; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, “Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar”, Tiranë, 2021; Prof. Zaho Golemi dhe MSC Aurora Golemi “Gjenerali Popullor Ded Gjomn Luli – pushkë e ngrehur për mbrojtjen e Shqipërisë”, Revista Mbrojtja, Tiranë Nr. 4/2012, faqe 48-51; (http://shkoder.net/go/ded_gjo_luli/); Roland Qafoku, “100 vrasjeve më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”, por edhe më parë ka pasur vlerësime nga më interesantet për figurën e aristokratit të maleve Ded Gjon Lulin si nga Risto Siliqi, Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Anton Harapi, Mark Tirta, Zef Mark Harapi, Dalip Greca i gazetës “Dielli” në New York të SHBA, Fan Noli, Ismail Kadare, Gazmend Shpuza,; Dom Nikollë Kimza, “Hylli i Dritës”, numër 11, Shkodër 1931; Gazeta “Ora e Malësisë”, nr. 20, viti 1923, Prengë Gegë Prenit (Bajraktari), ish-sekretar i Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi, etj. https://www.botasot.info/kultura/494176/dede-gjon-luli-figure-e-shquar-kombetare-dhe-flijimi-i-familjes-luli-per-komb-e-atdhe/ Fran Camaj, “Dedë Gjon Luli figurë e shquar kombëtare dhe flijimi i familjes Luli për komb e atdhe”, 22 dhjetor 2015.

 

 

 

Please follow and like us: