Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e pashait të Shqipërisë drejtuar konsullit të përgjithshëm të Republikës franceze në Raguzë

1798 / “Gëzohem për arritjet e mikut tim Bonapart…” – Letra e pashait dhe vezirit të Shqipërisë për Portën e Lartë drejtuar konsullit të përgjithshëm të Republikës franceze në Raguzë…

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Shtator 2022

 

La Chronique universelle” ka botuar, me 3 tetor 1798, në ballinë, një letër të veçantë të pashait dhe vezirit të Shqipërisë për Portën e Lartë drejtuar asokohe konsullit të përgjithshëm të Republikës franceze në Raguzë për ta përgëzuar mbi fitoret ushtarake të Napoleon Bonapartit, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shkodër, 27 Mesidor (15 korrik 1798).

 Ne Ibrahim Benghelli, pasha dhe vezir i Shqipërisë për Portën e Lartë,

Qytetarit Bruire, konsullit të përgjithshëm, të ngarkuarit me punë të Republikës franceze pranë asaj të Raguzës.

Qytetar, nuk mund t’ju shpreh gëzimin që më shkaktuan lajmet e reja që më përçuat. Unë e konsideroj këtë mirënjohje nga ana juaj si një dëshmi të shkëlqyer të miqësisë dhe besnikërisë së kombit madhështor ndaj nesh, miqve dhe aleatëve të tij.

Marrja e Maltës; duke formuar një epokë në shkëlqimin e Francës, do të gdhendë me karaktere të pashlyeshme në zemrat e myslimanëve të vërtetë ndjenjat më të gjalla të mirënjohjes. E përgëzoj veten për faktin se dirigjenti i shquar i një sipërmarrjeje kaq të vështirë është i njëjti hero italian Bonapart, me miqësinë e të cilit krenohem edhe më shumë, pasi fitoret e tij e kanë bërë atë mahnitësin e shekullit të tij.

Dëshiroj momentin e lumtur për të treguar se deri ku shtrihet miqësia ime për kombin e madh; Unë gjithmonë do të nxitoj të jem i dobishëm për të, duke i dhënë ndihmë dhe asistencë francezëve, të cilët, në çdo rast, do të vinin të zbarkonin në brigjet e juridiksionit tim, ose do të vinin këtu për çfarëdo arsye.

Shpresoj se do të më jepni me dashamirësi informacione mbi operacionet e ushtrive franceze: do të jetë gjithmonë shumë e këndshme për mua të marr këto mendime dhe veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mikun tim Bonapart”.

Nënshkruar : Ibrahim Benghelli.

Please follow and like us: