Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Agim Xh. Dëshnica

 

 

MALLI I DARDHARËVE

 

O Dardhë, Dardhë, nën pllajë mali,

mbi oqean rrimë, na mori malli…

O Dardhë e largët, e ëmbël -mjaltë,

vashat flutur, shtatin e gjatë.

 

E ëmbël Dardha? I hidhur mërgimi,

shtëpi e mbetur, djepi, burimi,

këndon këndesi si i  shastisur,

më kot pret nënë e molisur.

 

Na dogji malli, o Dardhë e bukur,

për kambanë e kishë, udhën e humbur,

Për gurë e gardhe, ugaret e plisat,

për shelgjet rrëkeve, ahet e lisat.

Mbi bredha borën, pishat me majë

korijet me hije, lulet në maj,

 

Për grigjën, tek merr përpjetë,

fyellin e drunjtë, murron e sertë.

Thirrejn e bariut, kullotën me bar,

trokun e kalit, lëshuar në luadh.

 

Mbi Gurin e Rrahut, Gurin e Vjeshtës

Gurin  e Mprehtë, nën drurë gjineshtre.

Sodisnim Devollin tej shpeshherë,

fushën e Korçës, Moravën me erë.

 

Kafè e Peros me mysafirë,

hotel Betelli me muhaxhirë,

raki e kumbullës, deh pleq e të rinj,

me vrap për shkollë, rendnim fëmijë.

 

Pas fluturash bridhnin ca bandillë,

nën dritare posi bilbilë

me këngë dhe mandolinë.

 

Shtatë gurë lëviz, lumi i Izvorit,

mulliri i Xegos, nxjerr mundin e plorit.

Me trak e truk e me oshëtimë,

ashtu si dallgët buzës tek rrimë.

 

Frymë, përmallim, çan oqeanin,

burrat e gratë,  lot për vatanin.

Për male e fusha, lumenj e pyje,

të parët e shtrenjtë e ndritur ndër yje.

Shpirti i Pecit, pranë portash ndalet,

Te Kishë e Shën Gjergjit, ulet e falet.

2008.

 

 

O ÇAMËRI! ÇAMËRI!

 

Në kujtim të poetit Bilal Xhaferi

 

O Çamëri! O Çamëri!

Jeton ndër këngë në histori,

Me frymë ilirësh e pa epur,

nga fati i mbrapsht e ndjekur,

me ngacmim kufijsh veri-jug,

trojesh paqësore, si askund.

 

Çamëri! Çamëri! Çamëri!

Nga fluturoi ajo lavdi?

Suljotë me shpata në sylah,

dyfekët hedhur krah më krah,

me jataganë hark nën sqetull.

Me fustanella, festet mbi vetull,

derdhët gjak veç për të huaj,

e humbët vendin, lirinë tuaj.

 

Ikën për nga veriu karvani,

tej tymnajash, u zhduk vatani,

dyer, dritare,  mure pajetë,

degëve varen pa zogj foletë.

 

Thërret poeti: Çamëri!

Ku shkoni,  ku i latë, ku?

tokat djerrë, ullishtat prush,

stanet rrafsh, kopetë vrarë,

pa zot livadhet e lulet tharë?

 

Çamëri-Shqipëri e prerë!

Fol shqip e na bëj nder,

Sa kohë kështu, pa dritë e dije,

Pa këngë, pa rite lashtësije,

Pa ligje, pa prona e larg punës,

Pa libra, dhunë ndaj gjuhës.

 

Streha e djepit, pragu i shenjtë

lisat e hijet e kroi-shkretë,

ju ftojnë të shkoni në ato anë,

tek tokat, të parët jua lanë,

jo, mos trokitni në portën tuaj!

E bukura shqipe, gjuha juaj!

 

Drejtësi! Mo shesht, heto!

Tapi, kanune e libra shfleto!

Për njerëz nga vatrat të dëbuar,

Ringjall ligjet, jetën e munguar!

 

Nga Prespë e kaltër e gjer në Artë,

Filat, Janinë, Dodonë e lashtë,

Tek zbret Thyami[1] e rrjedh në Jon,

Me dallgët tok në breg jehon:

Çamëri, Çamëri! Liri e Jon!

 

Thyami, emri ilirian i lumit  (sot Kalama), nga vjen emri çam e prej tij Çamëri.

 

 2012

 

DIMËR NË PARK

 

Park i zhveshur, mbrëmje-heshtje

gjethet, ranë në kohë vjeshte,

rrapi  i murmë, degë e majë

kotet, tundet në mjegullnajë.

 

Asnjë pëshpërimë,

hijeve as fëshfërimë.

Shkret foletë  pa zogj e bar,

Hesht bylbyli, fle diku larg,

u mpinë dashuritë,

ëndrrat e bukuritë.

 

As ketri gri,

më nuk shetit

por, veç një plak

tek stoli i hekurt, dremit.

Befas hap sytë me dridhërim,

Çohet hutueshëm me rënkim

Hapat hedh mbi shqotë bore

Çalë-çalë me shkop në dorë.

Ec e ec në bardhësi,

Për takim me bionden

Në një farmaci…

 

Era lozonjare

Era gënjeshtare,

Festen ia rrëmben,

ia hedh përdhe,

ia vërvit përpjetë.

 

Bën ta kap i ngrati plak

era ia shtjell, ia tund

e furishëm ia shtyn

tej e më tej… në muzg.

 

Please follow and like us: