Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Senad Guraziu

[ Ilustrimi: Paul Ernest – “Chasing Butterflies” (Duke ndjekur fluturat) ]

PIKAT E PËRBASHKËTA TË DHIMBJES
S. Guraziu, 2001

Aty ku të therë ty
më thumbon diç dhe mua
aty ku ti pandeh se të dhemb
më dhemb dhe mua.

Aty ku engjëjt dalldisen
mes plagëve të tua jeshile
edhe tek unë aty
ka pirë gjak “predator-i”.

Aty ku vështrimi yt
e zhbiron vegshin hermetik
aty dalta ime e drunjtë
është ngrënë prej kohës.

Çdo gjë tek unë e tek ti
çdo gjë nga ti e nga unë
në dhimbje bashkëdyzohet
e më së shumti
më së dhimbshmi, dhimbja.

TERRAFORMA POETICA
S. Guraziu, 2002

Në kokë një lëmsh vijash të harlisura
një shtatore, trupore… statujë
skicuar në bllokun fletëzverdhur
orvatet të merr jetë me trup e pa trajtë
ndërsa poeti pyet veten përse në kokën e tij
nuk përfton befas imazhi i Euterës.

Më kot ëndërron shtatorja
t’i sheh gjymtyrët, të ngjallet,
bronzi s’është embrion (nisje me pahir)
me shurrën e spermën mëngjesore
sepse të gjitha shtatoret e botës
do t’dilnin të përçudnuara, makabre,
mutacion “à la natura” – kokteje të dështuar

Matanë grilave të mjerimit, zezonë
ku shpirti është përmbytur, skëterrë
në honin e brendësisë-boshatisur
kërpudhë helmuese pikaloshe
tek tymon pluhur djegës helmatisur
statujat ngelin pa jetë…

Shtatoret nuk derdhen, nuk gjallojnë
në emër të poetikës pikante
me sharje e zbrazje moderne
ato s’mund të frymojnë
me pak lëkurë të bardhë, lëkurë zombish
mbështjellë si me dashuri mize
Shtatoret kurrë s’do t’i hidhërojnë muzat
më me dëshirë heshtin të vdekura…

KEQKUPTIM I PAEVITUESHËM
S. Guraziu, 2007

Sipas teje kërkohet “organizim perfekt”
i yjeve të Universit, duhet të kthehen
në “eshalone”, sipas gradës, rangut
në bataljone… si ushtarë të dritës,
komandant – ndoshta vetë Zoti,
kush tjetër mund t’i komandojë yjet.

Skaj vatrës macja loz me lëmshin
e logjikës, pa e gërvishtur, art
dhe delikatesë – topthi im logjik po,
por poezia s’është lëmsh – thua,
është brigadë e përkryer germash,
është çfarë ty t’kanë mësuar,
çfarë ti do dhe çfarë ti sheh në letër.

Si lexues i përkryer i drejtohesh
“poetit kaotik” – hej ti, Mister Poe,
kokrrat e rrushit tënd “kalavesh”
duhet t’renditen në pakon e praruar
çokollatash “Merci” – trakat e zebrave
duhet t’jenë perfekte si “zebrat” në asfalt.

MEDIUM DHE FLUTURA
S. Guraziu, 2006

Sot do dalësh të lodrosh pas fluturave
t’i burgosësh që në ajri
me rrjetin tënd – dhe ndjehesh bukur
ndoshta një ndjenjë, një flutur –
si sorkadhe do rendësh
lëndinës, lulishtes tërë ditën,
derisa të gjitha t’i trembësh…

Pastaj do ulesh t’i burgosësh prapë,
me germat në “letër” do thurësh,
një pëlhurë të butë do endësh
me veglat “stilistike”,
do vizatosh ca lule germatike
në njërin kënd do vësh një zemër,
pak më tej një Kupidon
krahëpalosur, me shigjetat përtokë
se si qan – por do ta lësh të qetë,
nuk do i thuash “hesht”.

Në fund, e kënaqur do klikosh “Send”,
ta ngacmosh xhanin tënd, për inat –
siduket… ti megjithatë e di,
poezia është “kontakti i parë”
me fluturat, me ndjenjat,
s’është gërvishtje e penës sate,
letër e rrahur nga makina e shkrimit,
s’është “zanat”, mjeshtëri
e vjershërimit, as hieroglife
digjitale në “screen”.

GARË SURREALISTE
S. Guraziu, 2004

(përqeshja e vagullt e Nostradamusit)

Në Saharë do t’mbahet një garë
jo me “formula”, jo me “indy-cars”
në Saharë do t’garojë dikush,
por Nostradamus i bindur është:
askush i gjallë s’e di – kush!

Në Saharë do t’mbahet një garë
jo “rally” me deve as me elefantë,
me gomarë të shpejtë as me kuaj,
s’do ketë lule as mirëseardhje,
kurora, kupa as medalje,
gazetarë, arbitra as gjyqtarë,
e gjithë bota do shkojnë për t’parë
por poetët s’do ta luajnë këmbën
syrin, veshin… madje as leshin,
sepse në Saharë ndjehen
“nongrata”, spektatorë të marrë!

Në shkretëtirë do t’garohet dikur
anise kush i gjallë s’e di – kur
padyshim dhe do t’fitojë dikush,
por Nostradamus i qetë
që nga e kaluara insiston, as
vetë poetët s’do ta dinë – kush!

Ndërsa këta të pezmatuar, të inatosur
nëpër grila të shekujve i thërrasin –
ngjallu ore nëse ta mban, ti sharllatan
se na lodhe dhe nga errësira e varrit
më shumë dite i vdekur sesa i gjallë!

AERO-POEZI PËR TITULLIN “MISS”
S. Guraziu, 2002

I ngjesha ca balona të “lazdruar”
lloj-lloj ngjyrash, lara-lara
i mbusha me fjalë e vargje
i lidha penjtë me një shirit
i lash të pezullojnë – pezull në ajri
projeksion plazmatik-hermetik
drithërime të padukshme
instruksione pro-komunikative
kod me tendenca dinamike
pezullim pendël – pendëlsisht
lehtësi e butë artifiça-plastica
ngrohur sa mrekulli…
le të çmenden “kritikët”
pse jo edhe fansat
ata me shije të sofistikuara
për timen aero-poezi

S’vonoi shumë mendja më tha
mirë-mirë por jo dhe aq mirë
nuk të pëlqejnë balonat
prej llastiku të lirë
s’janë dhe aq të besueshëm
provo njëherë me prezervativë

Kisha të drejtë – s’qesh kujtuar
me kohë t’i fryja ca të tillë
100% të sigurtë…
të markës më të mirë
të papërshkueshëm, “energy shield”
prezervativët s’janë balona ordinerë
por… materiale speciale
testuar njëmijë herë, “high-pressure”
prapëseprapë transparentë
masë brenda masës së fryrë
ajër thuaj brenda vetë ajrit
mund të shihen “accessoires”
të vargjeve… o la la, fluiditet
telat e kuq a të kaltër
si telefonat klasikë prej qelqi
dhe njëkohësisht të flesh i qetë

S’KA MË NATË PELLAZGJIKE
S. Guraziu, 2002

Është agshol i ngrohtë
dhe nën gurin tënd gjarpërushe
rrymë që s’të lejon “freezing”
të gjakut, por jo, mos u brengos,
s’është agim me tre diej
të kthehet në “crematoria”,
asnjë sistem nervor koncentruar
në bisht s’të ndihmon dot,
ti dhe vetë e di, mos m’u fshih
tash nën gurë Butrintesh…
edhe dymbëdhjetëmijë unaza
helios, palcën kurrizore
të vetë Zeusit ta kesh, kameleon
luminantia – grimcash fosforike,
të shoh si xixëllon në eshtrat
e varreve, madje dhe natën
ta shoh errësirën në bebzat…
miopia të tradhton, ti ke tjerë sy,
e di si shohin gjarpërinjtë
këtë tashmë e dinë dhe fëmijët
e “National Geographic”, të shoh
si lëpihesh thundrave helenike
ti këlysh-serpentia pa ngjyrë,
pa frymë, pa gjak!

LUFTË E FTOHTË (POLITIKE)
S. Guraziu, 2007

Pas gjumit dimëror në buzë ngelet dehja,
dembelia e zgjimit, arushbardhat përgjumur
në horizontin e qepallave ëndërrojnë
ëmbëlsira me “ingredientet” mjaltosur,
ndërsa pinguinët e ngratë akoma në “trans”
symbyllur, për t’u zgjuar me zgjuarsi nisin
t’i ndërrojnë këmishat pa hequr sakon,
t’i lidhin kravatat fosforike – sipërfaqësisht
duket e pamundur, sikur dhe dehja nga mjalti,
fare njëjtë çmenduri është t’i mbash vezët
të ngrohta mes këmbësh mbi kalldërmin
prej akulli, pa zënka dhe as ndërskamca,
ta “inkubosh” zanafillën, gjithë të verdhën
filozofike, apo dhe pemën filogjenetike,
absurd – të gjorët, nuk e ëndërrojnë
stilin dolce & gabbana, nuk krekosen
se kanë zemër të fiskulturuar, të ëmbëlsuar,
ndonëse as këta nuk shtiren perfektë
kthehen dhe e hanë mjaltin e vet, pa pështirosje
aty në qendër të sheshit, si glasë laramane
të nxehtë – arushbardhat ia krisin vrapit
për t’i paditur për korrupsion, për abuzim
për grykësi – ndërsa mediatikët të ekzaltuar,
në “akullvizor” flasin për ngrohjen e planetit,
për rrezikun e shkrirjes të çdo “icesphere”,
të çdo akullnaje, të vetë kristaleve të zemrës.

Please follow and like us: