Mónica Gomery vjen në shqip nga Senad Guraziu
ARS POETICA
Mónica Gomery [ ShBA ]
Çfarëdo që t’ishte
mendoja se do t’ngelej çështje
e fundit të njëzetave, isha gabim
për këtë. Fundi i të njëzetave
të mia ka t’bëjë me vdekjen
dhe mënyrën sesi vdekja
vetëmbështillet hareshëm
rreth jetës sonë. Njerëzit po largohen
prej nesh, njerëzit po zhvishen
nga lëkurët dhe po rrëzohen në ikje.
Dheu i thërret emrat tanë
me zërin e ëmbël tokësor, kënga
e emrave tanë ngrihet nga toka
si aromë e bukëvalës nga korja e saj.
Njerëzit po tëhuajsohen prej nesh
dhe unë do arrija ta dashuroj
errësirën e natës ashtu siç t’kam
dashur ty, si një dashnor
sytë e të cilit më gdhendin në formën
“unë”, kur m’shikojnë. Çdo gjë e tëhuajsuar
po digjet, por s’është e madhërishme,
është dhuratë tehurine e mprehtë,
fundi i të njëzetave të mia
është mbijetesë kirurgjike
e vdekjes duke e prerë
atë që s’më duhej më.
Dikush m’pati thënë të flas
nga mbresat, jo nga plagët e mia
që ndjehen të vërteta kur trupi
anon largimin nga njerëzit
të dashurit e të cilëve
po vdesin sepse unë
s’ngopem frymë kur vdekja
e prek vdekjen në natë.
Apo është plagë tepër e njomë
për t’folur me gojën e saj?
Më vjen keq
që të dashurit e tu po largohen
por realisht vërtet
s’më vjen keq.
Në fund të njëzetave të mia mësova
se një natë e vetme mund t’jetë
e gjatë sa një grusht vitesh
se një plagë është histori
se historitë kanë emra
dhe se kur ta katalogoj
kjo natë
do t’mbajë emrin tënd
së bashku me një indeks të quajtur
Llojet e Elegjisë, i cili përfshin:
Ekstazën, Zemërimin, Mallin,
Mosbesimin. Dikush m’pati thënë
të flas nga mbresat
jo nga plagët të cilat mund t’shpjegojnë
pse s’jam e gatshme për biseda me
të porsaardhurit në jetë-përtejmen,
sepse kur përplasem me ta në këtë
errësirë të gjatë kërcitëse plaga
e ngre grushtin e madh mbi gjuhën
time dhe vetëm sytë e thonë
të vërtetën. Kur ta katalogoj historinë
kjo natë do t’quhet Fundi
i Fëmijërisë Sime, do t’quhet
Bukuria dhe Terrori Ynë,
do t’quhet
Cili Është Misioni Ynë Këtu.
Anise s’jam e sigurt nëse dakordohem
për mbresat dhe plagët
sepse në fund të njëzetave
është dora ime tek shtriqet
në gojën e plagës
për ta nxjerrë çdo fjalë
të sheshohet në faqen e zbrazët
ku ftohet dhe ngurtësohet
dhe a nuk është ndoshta kjo mënyra
si formësohet mbresa? Dhe kënga
e ëmbël e tokës që me dorë
na thërret të gjithëve
të kthehemi.
– – –
© M. Gomery – Burimi: Here is the Night… (Cooper Dillion Books, 2018), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2020
***
Mónica Gomery është një rabinë dhe poete, puna e saj dhe interesat ndërlidhen me gjithçka rreth “queer”, rreth diasporës, prejardhjes, teologjisë. Gomery u diplomua në Kolegjin Hebraik në v. 2017 [ /hebrewcollege.edu/ ]
“Queer” është një term gjithëpërfshirës për personat që nuk janë heteroseksualë. Termi fillimisht aludonte “i çuditshëm” ose “i veçantë”, kah fundshek. XIX përdorej në mënyrë fyese kundër personave me dëshira seksuale ndaj gjinisë së njëjtë. Gjithsesi, kah fundvitet ’80 (të shek. të kaluar) termi filloi të shihej si një “alternativë politikisht radikale” brenda komunitetit LGBT (shkurtesë për “Lesbian – Gay – Bisexual – Transgender” – komunitet i personave me orientim homoseksual, qoftë femra apo meshkuj, pastaj biseksualë, dhe transgjinorë).
(sguraziu)