Odise Kote: Në mendjen time bredh lumë i egër…
Në mendjen time bredh një lumë i egër, i rrëmbyer,
Ndonëse butësisht këputen, bien, degë e gjethe vjeshtake.
Midis shkumës së bardhë, dy gërsheta të gjatë,
Sytë e mëdhenj shkrepëtitës, hënakë, të kaftë shfaqen.
Atje ndanë shelgut në breg kujtimi, njëri skaj i ylberit,
me tjetrin matanë që s’ka kohë për të humbur,
mbështillet, përqafohet dhe zgjon këngën çamaroke,
të fëmijërisë që ka mbetur si statujë, e kapur përdore:
“Fluturza e vogël e sapodalë nga larva ngjitet lart në kulm,
Paprimtas ia nis shiu dhe ajo rrëzohet poshtë nëpër ulluk.
Pastaj doli dielli që e thau shiun.
Një tjetër flutur mbi pullaz, kërkon hutaqen që u zhduk,
Ia nis sërish shiu bablok dhe ajo rrëzohet poshtë nëpër ulluk.
Pastaj del dielli që e than shiun…”.
Në mendjen time bredh një lumë i egër, i rrëmbyer,
nuk e di a do jetojë kur unë të mos jem më…!