Viron Kona: Libri poetik i Bashkim Saliasit
“Një buqetë me poezi”, një vëllim i freskët poetik i Bashkim Saliasit
“Gjysh, eja të luajmë, bashkë të rrimë,
në bregun me rërë, në detin me dallgë,
gjyshi Bashkimi harroi pleqërinë,
luajti me mbesën në shkumën e bardhë”.
“Një buqetë me poezi”, vëllimi i parë poetik i Bashkim Saliasit, përmban brenda tij poezi realiste dhe të shkruara me shumë dashuri. Ndonëse i fushës së biologjisë, autori e përpunon artistikisht mendimin poetik, duke treguar merak e kujdes, ashtu siç bën bujku kur i shërben bimës, kur e plehëron, e ujit, e krasit, i pastron barërat e këqia, gjithnjë me qëllim që prodhimet të dalin sa më të shëndetshme.
Nis ky vëllim me poezinë “Ne të dy”, e cila ka si lajtmotiv shprehjen e ndjenjave të bukura të dashurisë dhe krijimin e një familjeje të shëndoshë. Vargjet stolisen me një figuracion të freskët poetik, që na emocionon, na mbetet në mendje dhe na shoqëron gjatë leximit të poezisë: “Dikur në rini,/në dy sytë e tu të bukur,/ pashë pranverat që do të vinin,/të ndoqa si lulen një flutur”. Po ndalem edhe te strofa e tretë: “Të bëra nënë, më bëre baba,/ jetës i dhamë e na dha gjithçka,/me cicërima fëmijësh na u mbush shtëpia,/thesaret që na fali jeta e dashuria”. Poezía e parë është edhe një “semafor” që hap rrugën për poezitë e tjera: “Urim për ditëlindjen”, ”Bora dhe unë”, ”Moment”, ”Ëndërr”, “Meli”: ”Meliani, djali im i parë,/ gëzon nënë, gëzon babë,/brenda tij dy emra rrinë,/si një urë lidh dashurinë”.
Duket se natyra i ka harmonizuar bukur gjërat, ajo i jep njeriut gëzime edhe në moshën e tretë, sepse atëherë në familje gjallërojnë mbesat dhe nipërit me zërat e tyre gazmorë dhe çapkënllëqet. Ata të hidhen në gjoks e të shtrëngojnë fort krahët rreth qafës, ndërsa gjyshërit ndjejnë se jeta vazhdon, nipërit dhe mbesat janë vijim i jetës, moment ky që të ngazëllen dhe të lumturon. Në këtë atmosferë rrjedh këndshëm poezia “Sila”, e cila i kushtohet mbesës, që gjyshërit e kanë pritur bashkë me dallëndyshet. Autori gjen rast të përshkruaj çaste dhe detaje shprehëse të gëzimit që shkakton ardhja e mbesës në shtëpi apo edhe boshllëkun që ajo krijon kur vonohet, teksa gjyshërit e malluar presin me padurim me sytë nga dera. Saliasi shkruan thjeshtë, bukur e me sinqeritet: “Pushteti i saj është absolut,/na ka bërë më paqësorë, më të butë,/në jetë s’kam ditur një sekret,/ nipërit dhe mbesat të bëjnë mbret!” Kështu vijon edhe poezía “Sila në plazh”, ku përshkrimet janë edhe më të spikatura e plot ngjyrime poetike. Mbesa luan me dallgët dhe e fton edhe gjyshin që t`i shkojë pranë e të luajnë të dy: “Gjysh, eja të luajmë, bashkë të rrimë,/ në bregun me rërë, në detin me dallgë./ Gjyshi Bashkimi harroi pleqërinë,/ luajti me mbesën në shkumën e bardhë”.
Veçanërisht në këto krijime, që kanë në qendër fëmijët dhe marrëdhëniet që ata krijojnë me gjyshërit, duket se Saliasi shfaq edhe një talent e prirje për të lëvruar poezinë për fëmijë, pasi duke qenë edhe mësues gjatë gjithë jetës, ai e ndjen veten shumë pranë vogëlushëve, njeh mirë botën dhe ndjenjat e tyre, fjalorin që ata përdorin, njeh mirë karakteret e pastra dhe të pafajshme fëmijërore. Mallin për fëmijët, si dhe nipërit e mbesat që i ka në mërgim, autori e shpreh te poezía: “Princi i gëzimit”: “Sa u hap porta, ndriti tërë shtëpia,/ erdhi im bir me nipin nga Greqia,/nga gëzimi iu përgjunjëm me mall e lot,/ çmimin, gjysh dhe gjyshe morëm sot!”.
Bashkim Saliasi e njeh mirë shtypin, pasi ai ka shkruar shumë në faqet e tij, por kushedi pse ai ndihet i shqetësuar. Në gjuhën e bukur shqipe hyjnë padrejtësisht huazime, fjalë të huaja të panevojshme, të cilat poeti i quan “tartabiqe”. Këtë shqetësim të drejtë, ai e shpreh te poezia “Fjala”: “Dridhet sot fjala shqipe,/ka humbur kuptim e vlerë,/fjalët e huaja si tartabiqe,/gjuhën po shkatërrojnë si asnjëherë”.
Përbëjnë një grup interesant poezitë që shprehin probleme të jetës sociale, si poezia “Padrejtësi”, ku autori shpreh keqardhjen për njerëzit e punës, të cilët punojnë e rropaten pareshtur, kurse frutet e mundit të tyre i përvetësojnë të tjerë, shfrytëzuesit dhe njerëzit e korruptuar: “Bujku mbjell, ha zengjini,/s`do t`ia dijë për fukaranë,/puntori ndërton, ju e dini,/vila për pushtetarët tanë”.
Disa nga poezitë e këtij libri janë të natyrës së epigrameve, ku me pak vargje autori kumton mesazhe dhe ide jetësore të rëndësishme. Të tilla janë poezitë: “Jeto”, “Ðikur nuse sot plakë”, “Zemërimi”, “Kritika”, “Kambanat”, “Llum”, “Dallaverexhiu”, etj. Po citoj pak vargje nga poezía “Mendimi”:“Është si dielli,/herë rrezaton,/herë mbulohet me re,/ shkreptin e bubullon…!”
Në vëllim rrezatojnë edhe poezi, ku autori tregon aftësitë e tij përshkruese të natyrës, të mjedisit, si dhe dukuri dhe fenomene natyrore, me të cilat ne kontaktojmë shpesh: “Përplasen valët në bregun e brishtë,/ me vete sjellin simfoni muzash”; “Lulëzojnë mimozat, /çelin karafilat, /gëzojnë manushaqet, /këndojnë bilbilat!”
Bashkimi është tip i njeriut social, ai ka shumë miq e shokë, ai di ta mbaj shoqërinë, madje ndihmon në harmoninë mes shokëve. Ndërkaq, ai edhe i portretizon poetikisht dhe me dashuri disa nga miqtë dhe shokët, duke vënë në dukje cilësitë e tyre më të mira. Po përmend poezinë kushtuar “Agron Bardhit”, apo poezínë “Si lule bore në saksi”: “U zbardhëm si dëbora,/ s’i harrojmë ato kohëra,/ floku yt i bardhë, fisnikëri,/si lule bore në saksi!”
Poeti ka aftësinë të shpreh bukur në vargjet poetike edhe gjuhën e ironisë apo ndonjëherë edhe të sarkazmës, kur satirizohen apo vihen në lojë zakone e dukuri negative, që shfaqen tek njerëz të veçantë. Te poezia “Mimoza”, poeti rrëfen thjeshtësisht bukurinë por dhe brishtësinë e lules “mimozë”, e cila u mashtrua nga lajkat e gjembit dhe e pësoi nga naiviteti i saj. Nëpërmjet vargjeve kritike e thumbuese poeti denoncon braktisjen e fshatit, vendit ku bleron natyra, ku prodhohet buka dhe ushqimi bazë për njeriun. Kjo dukuri shfaqet edhe te poezia “Shtegtarët emigrantë”, ku Saliasi shpreh dëshpërimin dhe vuajtjen shpirtërore për ikjet në emigrim, që lënë pas gjurmë dhembjeje e trishtimi: “Kanë mbetur varret, pleqtë e braktisur,/ që presin të kthehen të gjallët e ikur,/rrugicat kërkojnë zëra fëmijësh gazmorë,/ të mos harrojnë vendin ku janë rritur”.
Poeti ndihet krenar për vendlindjen, atje ka kujtime të fëmijërisë, të rinisë, di dhe shumë gjëra nga rrëfimet e prindërve e gjyshërve për fshatin e tij, Dobrushë, për Skraparin si qytet e rreth, për natyrën tepër interesante e tërheqëse të kësaj treve të begatë dhe me pasuri të shumta kulturore e shpirtërore.
Lexuesi i përjeton këto mesazhe, sidomos kur lexon poezinë kushtuar fshatit të lindjes, Dobrushës, e cila gjeografikisht ndodhet rrëzë malit të Tomorrit: “Pranverë është stina jote,/plotë me lule e freski,/zogjtë vijnë në ditë shqote,/dhe folenë e ngrenë tek ti./E kujtoj verën e thatë,/plotë me fruta begati,/burrat janë lisa të gjatë,/mendje hollë, zemër flori”. Sikurse, ndjenja të tilla të bukura shfaqen edhe te poezia “Tomori – mal i shenjtë”: “Në Tomor ku dielli zë e ulet,/ gjithë natyra ngado buzëqesh,/para tij Shpiragu me respekt përulet,/ Adriatiku me dallgë e përshëndet”. Shfaq emocion e ndjeshmëri poezía “Prindërit e mi”, ku biri-poet shpreh mallin dhe dashurinë për prindërit, të cilët bënë një jetë shumë të thjeshtë, por asnjëherë s`u ankuan. Ata jetuan kurdoherë me dinjitet, duke merituar respektin e fëmijëve të tyre, por edhe të fshatit e të krahinës: “Me punë, me mund e djersë rritën fëmijët,/ dhe jo pak, një buqet me trëndafila-tetë,/dera e shtëpisë mbeti e hapur për miqtë,/dhe kurrë s’u ankuan, jetuan me dinjitet”. Shpreh një motiv popullor interesant dhe origjinal poezía:”Qaj nëna ime, qaj sa jam gjallë”. Autorit nuk i hynë në sy asgjë tjetër përpara thesareve të vërteta të jetës që, për poetin është familja:”Ua kam falur botën, çdo pasuri,/asnjë pushtet s’më josh, s’më hynë në punë,/familja me nipër e mbesa dhe fëmijët,/ janë thesare të jetës, që vlejnë më shumë”.
Bashkim Saliasi ka punuar mësues në shumicën e jetës së tij aktive, kështu që ai s`mund të mos shkruante vargje poetike kushtuar shkollës dhe arsimimit të fëmijëve. Te ky vëllim, ai ka zgjedhur ta shpreh këtë ndjeshmëri me vargjet humoristike të poezisë “Humor shkollor”, që, për hirë të së vërtetës, është poezi me ritëm, e këndshme dhe tërheqëse; gjuha rrjedhë natyrshëm e pa sforco, në vargje ndihet gjallëria, ngjyrimet, figuracioni dhe dora e talentuar e poetit. Në përfundim, poeti shpreh një urim të sinqertë për shkollën, ku ai kreu detyrën e zëvendësdrejtorit, derisa doli në pension: “Në këtë 20 vjetor,/vijmë të gjithë me duar plotë,/shkolla jonë “Vëllazërimi”,/më e mira për nga mot!”.
Mendoj se poezía: ”Tiranë, e bukura Tiranë” është ndër poezitë më të bukura të këtij vëllimi. Me një gjuhë të thjeshtë e të figurshme, por dhe me vargje të mbushur me ndjenjë dhe dashuri, poeti i këndon kryeqytetit të Shqipërisë sonë të dashur, Tiranës. Krijojnë emoción edhe të dyja poezitë në mbyllje të vëllimit, poezía”Lulja jonë plot mirësi”, kushtuar mbesës Aurës, e ku autori nuk i kursen ndjenjat dhe figurat e bukura letrare: “Je e vogël lozonjare,/gojëmbël dhe bujare,/mbesa ime zanë trime,/diamant me shkëlqime./Kur del në telefon,/zemra jonë na gufon,/je thesar, je flori,/mjalt i mjaltit, s’ka, si ti!”
“Qershia mbi tortë”: vëllimi mbyllet me poezinë “Dashuria jonë” të cilën autori ia kushton vajzës së tij me rastin e festimit të 42- vjetorit të lindjes. Një poezi e veçantë për nga bukuria artistike, e stolisur me figura tërheqës, me vargje që rimojnë ëmbëlsisht dhe me mesazhin e dashurisë së prindërve për bijën e tyre, që është e shoqëruar me urimet më të bukura të zemrave prindërore: “Dhe sot nga larg, ne ta festojmë,/Ditëlindjen tënde, o e jona bukuri,/Trokasim gotat dhe ty të urojmë,/Shëndet e jetë o e jona dashuri!”.
Në përfundim të këtyre radhëve dëshiroj të them se vëllimi poetik “Një buqetë me poezi”, i Bashkim Saliasit shfaqet si një pranverë e begatë, që paralajmëron krijime të tjera.
Në këtë përvojë të parë poetike, autori na prezantohet si një poet me aftësi krijuese, ai shfaqet me sinqeritet në gjithçka që shkruan, zotëron një gjuhë të thjeshtë, plot muzikalitet e tërheqëse, ndërsa mesazhet që përcjell te lexuesi janë mbresëlënëse.
———————————–
MIRËNJOHJE
Një tufë me lule mblodha,
Mësuesit tim t’ia dhurojë.
Atij që më mbajti dorën,
ABC-në më mësoj.
Të vrtetën nuk e dija,
koha të largon,
në festën e 7-marsit,
rastësishtë e mësova.
Me tufën e luleve në duar,
te varrezat vrapova,
mësuesin tim të parë,
lulet e fresketa ia çova.
Si puhizë e mëngjesit,
kujtimet m’u trazuan,
mësuesin tim të parë,
kurrë s’kam për t’a harruar…
PRANVERA NË MYZEQE
Lulet e para, lulet e bukura,
Lulëzojnë kudo në Myzeqe.
Mbi to fluturojnë bletë e flutura,
Pranvera hapin e parë hedh atje.
Pastaj sulet luginave, shpateve,
Deri në malet kryepërpjetë.
Lumenjtë nga lartësitë e maleve,
Kalojnë nëpër Myzeqe e bëhen bereqet.
PULA DHE GJARPËRI
Më jeo një kokërr vezë në ditë,
Ta gjarpëri dhe unë zogjtë ti ruaj.
Pula si pula besoi te gjarprinjtë,
Tani, tha: “Nga skifteri s’do vuaj”!!
Filluan të rrallohen vezët,
Dhe zogjtë po ngordhnin të helmuar.
Pula thërret gjarpërin një mëngjes,
Më duket me marrveshjen ke abuzuar.
Jo, moj zonjë, i thotë zvarraniku,
Me dhelprën kemi kontrat.
Që të mbroj ty nga skifteri, armiku,
Një zog i vogël, i takon dhuratë.
SHËN VALENTIN
Në mëngjes kur dola, gruaja më ngacmoi;
Sot Shën Valentin i dashur burrë!
Nuk i bëra zë, i qetë u largova, për punë.
Gjithë jetën Shën Valentin jeta jonë.
Në mendje më erdhi dashuria parë,
Nuk njohëm Shën- Valentin, asnjëherë.
Ram në dashuri, dhurata s’kërkuam,
Gjithë ditët në jetë rrodhën pranvera.
BALADË
Lumi i çoi detit një djep,
Me një fëmijë të braktisur nga nëna e vet,
vala e përkdheli e nxorri në breg,
fati e mori e bëri diku mbret.
Gojëdhëna rrjedhin ndër shekuj e vite,
Nënë e bir u takuan një ditë, rastësisht.
-Më fal, o mbret, i lutej, i binte në gjunj,
Më ekzekuto, po më hidh në lumë!?
Kur mbreti mësoi historinë e vërtet,
Iu përkul me respekt, e fali nënën e vet.
Po lum e det shfryjnë tërë dallgë,
Mëkatet njerëzve s’ka oqean që i mban.
UNIVERSI
Një mrekulli dhe një mister,
Njeriu kërkon të hyj, po s’hyn dot,
Kërkon një shteg të dalë nga ky terr,
Po ende është fëmijë e lodhet kot.
HIENAT
U mblodhën hienat,
Bëjnë karshillëk,
Eh – thotë mbreti,
Kush po na shet mend!.
Hienat çirren,
Luani krifën tund,
Kush nga ju mendon,
Se më erdhi fund.
Grini sa të doni,
Bëni dhe opozitë,
Nuk luaj nga vendi,
S’më trembin as perënditë.
FATIN KËRKOJNË
Fytyra të zbeta shikon në rrugë,
Flasin me vete nuk kanë punë.
Presin në shesh dikush ti kërkojë,
Me shikim në horizont fatin mendojnë.
Mallkojnë veten, avenirin ku e lam,
Zbritëm në qytet, gjetëm belanë.
Parajsën kërkuam, u zhytëm në humnerë,
Asgjë s’bie nga qielli, jeta na u bë sterrë.
Çdo e keqe mendojnë ka një të mirë,
Erdhëm në qytet të shkollojmë fëmijët.
Me vete flasin, fytyra shpreh shpresë,
Lind diell i ri, fytyra u buzqesh…
SHTEGTARËT EMIGRANTË
Ikën bijtë e bijat, paritur një ditë,
Morën rrugët e largëta të mërgimit.
Nga dhimbja u shëmbën shtëpitë,
Rrugëve ndihet kënga e trishtimit.
Kanë mbetur varret, pleqtë e braktisur,
Që presin të kthehen të gjallët e ikur.
Rrugicat kërkojnë zëra fëmijësh gazmorë,
Arat djerrë bujqërit, shtëpitë punëtorë.
Politika si qen leh e kuis në parlament.
E varfëroi popullin e shkatërroi këtë vend.
Deri kur kështu, Shqipëri ime e shtrenjtë,
Të dergjesh nga një politikë që të çmend?