Miho Gjini: Mihal Popi, prologu dhe epilogu i një libri të ndaluar!
E kam fjalën e radhës për librin tim të parë në Kolanën e Artistëve të Mëdhenj Shqiptarë, në vitin 1967, që pas figurës së jashtëzakonshme e me vlerë ndërkombëtare të Aleksandër Moisiut, vazhdon me atë të Mihal Popit, figurë solide e emblematike e Teatrit tonë Kombëtar, që lidhi epokën e Moisiut me atë të Diktaturës Komuniste. Rreth të cilit u vendosën “themelet” e Teatrit Popullor në vitin 1945 dhe që përbënte edhe “kollonadën” kryesore të këtij Institucioni Artistik e Kulturor. Si të ishte edhe një “urë lidhëse” midis Teatrit Amator e Teatrit Profesionist. Katër vite më mbrapa, po aty u hap, për herë të parë, Shkolla e Lartë e Aktorëve me emrin e “Aleksandër Moisiut” dhe ne nisëm të mësojmë ”ABC”-në e aktrimit nga këta artistë “të pa shkollë” që kishin mbi supe një eksperiencë të madhe skenike, plus edhe një talent të madh. E ne do të mahniteshim me dy prefektët diametralisht të kundërt (Prefektin Shqiptar të Besim Levonjëës dhe Prefektin Rus të Nikollaj Gogolit) që interpetonte ky aktor, të cilin një gazetë italiane e vlerësonte si “Kryekomikun e Tiranës”, si edhe me dy nga rolet më të bukura e emblematike të komediografisë botërore, sikundr qenë Sër Xhon Fallstafi i “Grave Gazmore të Uindstorit” të Shekspirit (tipi hokatar i Rilindjes së njerëzimit, i verës dhe i dashurisë) dhe Zhurdeni proverbial i “Borgjezit Fisnik” të Molierit (tipi vanitoz, i injorantit të Mesjetës që mburret pareshtur me mosditjen e tij)! Por Mihal Popi, si një aktor i një diapazoni të gjërë krijues, nuk e kishte e vështirë të pushtonte një apo më shumë figura dramatike. Përsëri me tre personazhe dramatike: si Besemenovi i Gorkit i dramës “Mikroborgjezët” që kishte tiparet e një bishe të pamëshirshme njerëzore, si Senatori Lengton i dramës amerikane “Rrënjë të thella”, po ashtu një figurë e bardhë raciste me tiparet më të zeza të urrejtjes, si edhe me tipin e heshtur e cinik të Zotit Felicjan në dramën polake “Morali i Zonjës Dulska”. Duke shtuar edhe dy figura origjinale në film, çuditërisht pa asnjë “fije teatraliteti”, sikundër qe Ballaban Pasha në filmin “Skënderbu” dhe Gjenerali Luçiano në filmin “Furtuna”. Në këtë mënyrë talenti i Mihal Popit u shtri edhe në “terrene të panjohura” më parë që pasuruan diapazonin e tij krijues. Në kohë e në vlera. Dhe ishte po aq i besueshm, si në dramë ashtu edhe në komedi, sidoqë tek kjo e fundit ai qe një “mbret i padiskutueshm”!
Dhe unë do të shkruaja atëhere librin e parë monografik, për këtë artist polidimensional, duke vendosur në krye të çdo paragrafi citate po nga artistët e mëdhenj të vendit tim: Aleksandër Moisiut, Naim Frashërit, Besim Levonjës, Pjetër Gjokës e nga të Mihal Popit, gjë që krijoi “skandalin” e radhës dhe bëri që të ndalohet nga çensura e “syri vigjilent” botimi i këtij libri nga lart e të jepej urdhri që, të gjitha kopjet e librit që kishin “shpëtuar” gjer atëhere të hidheshin në brumatriçe! Për fat, një kopje të librit e kishte “vjedhur” kritiku Razi Brahimi, i cili e bëri të mundur njohjen e këtij lajmi “ogurzi” prej meje, për të vajtur menjëherë para godinës së K.Q, të Partisë e të prisja i shqetësuar, duke i bërë “pusi” shoqes M.Sh. që punonte në këtë sektor ideologjik partie, për të marrë vesh shkakun e këtij “ndëshkimi heretik” e të pazakontë, jo vetëm për mua, po edhe për Mihal Popin e kolegët artistë që citonin vlerat e tij… “Habitemi se si merr kurrajën ,-tha ajo e nevrikosur, që të vësh në krye të çdo paragrafi libri thënie aktorësh, kur ne kemi në ballë citatet e Udhëheqësit tonë Enver Hoxha”(!?)”,- duke “shtuar” kështu shtyllat memece të atij bulevardi të madh, midis dy pallateve hije-rënda të asaj kohe, që po më ngushtonin tmerrësisht edhe shikimin!.
***
32 vjet më pas, më 1997-ën, pas një kalvari vuajtjesh të pamerituara e të gjata dhe pasi e kisha “shlyer” persekutimin nëpër internime e burgje të Diktaturës, ngjita shkallët e Sh. B. Enciklopedike për të ribotuar monografinë për këtë artist të madh që nuk jetonte më midis te gjallëve dhe në atë “Tempull të Shenjtë” që quhet Teatër, me po ato citime kolegësh që kishte libri i shpëtuar nga kolegu im Razi Brahimi delvinjoti, duke shtuar “EPILOGUN” e mëposhtëm:
“…Kur më lindi idea për të shkruar një libër për jetën e tij, Mihal Popi ishte ende gjallë dhe unë vrapova tek ai me shpresën se do të më riprodhonte gjithçka që doja. Po skleroza kishte bërë të vetën. I shtrirë në krevatin e gjërë të një dhome fare të thjeshtë e të zhveshur nga orenditë, sendet e fotografitë, në katin e dytë të një banese të vjetër të Pazarit të Ri, më kot Mihali i bënte thirrje kujtesës së tij të ezauruar. Pinim kafe së bashku dhe hera-herës në bisedë e sipër, rrëmbeja disa shkëndje jete që më hidhnin dritë për udhën e tij të gjatë që vazhdoi më shumë se gjysmën e shekullit tonë. Por shpejt Mihali lodhej, merrte frymë me vështirësi, shtrihej në brinjë në anë të shtratit dhe mundohej të buzëqeshte. Edhe pse i ligështuar, gjente rast për të lëshuar ndonjë batutë me humor.
Në këtë gjendje, përveç ringjalljes së mbresave të shkuara, m’u desh të shfletoja shtypin periodik që nga vitet 30-të e gjer në vitet 70-të, si edhe të shtrohesha në biseda me shokët e miqtë e tij të afërt. Një ndihmë të çmuar më kanë dhënë me kujtimet e tij tyre Artistët e Popullit Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Sandër Prosi e Pirro Mani, Artistët e Merituar Mihal Stefa, Gjon Karma e Enver Dauti, regjisori veteran Sokrat Mio, dramaturgu Kolë Jakova, piktori Bukurosh Sejdini, shkrimtari Naun Prifti, aktorët Andon Pano e Behije Çela e shumë të tjerë që flisnin me dashuri e veneracion për Mihal Popin. Me dhmbje që ishte larguar nga jeta miku i tij Besim Levonja, që do na kishte ndriçuar edhe më bukur figurën e tij, për ta plotësuar edhe me mirë mozaikun e këtij artisti të papërsëritshëm.
Pasi i kisha plotësuar faqet e nevojshme të librit për të, shkova rishtazi tek Mihali. Ai u ngritë me mundim mbi krevat e më tundi gishtin tregues me qortimin se i pata munguar pak si tepër, me njëfarë serioziteti të shtirur. Pastaj thirri “ministrin e brendshëm”, sikundër quante të shoqen dhe porositi kafetë. Kisha pirë me të një gjym të tërë me kafe e harroheshim ndër biseda që s’kishin të bënin fare me rolet, po me qyfyret e Teatrit, bënte shakara e mandej i ngatërrohshin edhe emrat e shumë fëmijëve, nipave e mbesave që kishin lindur në ato kohë të vashtira, tek ata i vërtiteshin përreth krevatit me dashuri e shpesh i hidheshin kaliqafi.Si u qetësua disi, i nxorra nga çanta fletët e dorëshkrimit e iu luta të më dëgjonte se çfarë kisha “katranosur” dhe të me falte nëse e “pata harram atë gjysmë ibriku me kafe që e pata pi tek adashi im i madh”. Atëhere ai brriti: “Mos me hy kush e me na trazue se nryshe kam me u shklye m’dysh”!
Nuk na ndërpreu askush e Mihali dëgjonte me kokën ulur e me ca lëvizje duarsh pa kuptim. E, kur përfundova edhe rreshtin e fundit, ngrita kokën nga letrat e mia si i zënë në një faj të madh, duke pritur “dënimin” tim. Po, pa pritur shtanga. Ky burrë qante. Mbi faqet e rrudhosura i rridhnin lotët që ai i fshinte me duart që i dridhesshin. Nuk foli për një copë herë. Pastaj i ngshëryer pyeti:” Nga i ke msue tan nji kto gjana për mu, Adasho”?! I thashë se këto ishin fare pak gjana që pata mbledhë… Dhe se e pata “Fat të Madh” që i kisha parë shfaqjet e tij me rolet e mëdha… Se… Se… Po Mihali ma preu fjalën e tha prerazi: ”Due me e pa një ket libër para se me dek, vallahi po”…
Po, për fat të keq, vdekja e shkëputi nga jeta artistike e shquar, duke e ndarë atë përgjithmonë nga skena, nga publiku që aq shumë e donte, nga miqtë dhe shokët, nga familja që e adhuronte si baba, si prind të dhimbsur e të kujdesshëm, me “një qerre fëmijë”. Sëmundja e diabetit e lodhi dhe e raskapiti për vite me rradhë. Kur e shtruan në Spitlin Civil të Tiranës, në fundin e pranverës së vitit 1979 qe tepër vonë. Mihali nuk ishte më në gjëndje të qëndronte dhe të ecte me këmbët e veta… Nga egzaminimet e mëvonshme u konstatua se kishte edhe “Kancer në prostat” dhe ndërhyrja kirurgjikale u quajt e panevojshme. Megjithatë i pëlqente të kuvendonte me humor me mikun e tij që e kuronte, profesor Papariston. Dhe më 8 shtator e nxorrën nga Spitali që familja ta kishte pranë në pragun e lamtumirës. I nisën dhimbjet cfilitëse, metastazat e kobshme e 12 ditë e netë i kaloi me “shpirt në dhëmb” e pa mbyllur sytë. Duke u gdhirë dita e 19 shtatorit, në orën 5.30 të mëngjesit, pulsi nuk i rrihte më. Zemra e Mjeshtrit të Madh të humorit pushoi së rrahuri. Nuk do ta kishim më profesorin tonë që na mësoi atë devizë themelore se “humori lind nga drama e personazhit”. Dhe ishin të panumërt pjesëmarrësit në homazhet e ceremoninë e varrimit. Me mijëra spektatorë të së qeshurës, që tashmë po e qanin me lotë të heshur Korifeun e Teatrit, gaztorin e shëndetshëm e të paaritshëm të skenës shqiptare. Mungonte vetëm Mihali i Gjinajve, autori i këtij libri, që ai donte ta shihte e ta kishte së gjalli, pranë varfërisë së tij të mjerë, aty, në një kthinë të vjetër të Pazarit të Tiranës…
Po artistë e njerëz si Mihal Popi, nuk kanë vdekje kurrë, Dhe miku i tij, i afërt në Teatër e i afërt me banesë, Sandër Prosi, do të shkruante në gazetën “Drita” të datës 19 shtator 1979 këto fjalë të arta: “Mihal Popi ishte një aktor i rrallë, nga i cili ne mësuam dhe gjithkush ka ç’të mëojë… Ai dha shumë, jo vetëm në interpretimin e pjesëve tona kombëtare, por edhe në vepra të shquara botërore. Ne aktorët, i jemi mirënjohës atij për humorin e madh, për përvojën e tij të gjerë, për mësimet që na dha, ndaj dhe ashtu si edhe spektatori ynë, do ta kujtjomë gjithmonë. Ishte një aktor i madh që ka bërë të qeshë e të “qajë” gjithë një popull…”.
***
Ishte shtator edhe atëhere, si javën e kaluar, po 41 vite më përpara. Kujtimi i tij “të djeg zemrën”! E kështu do të mbetet për jetë të jetëve. Se ishte, ndofta i vetmi artist, që na bënte të qeshnim me seriozitetin e tij, ashtu siç dinte të bënte një mjeshtër botëror, i vogël nga shtati po i madh e i lartë nga arti i interprtimit, si Çarli Çaplini… Po Mihal Popi, ishte në të kundërtën e tij, një njeri me 140 kg. peshë, një babaxhan i mirë, serioz në jetën shoqërore, komik në skenë e tragjikë në fundin e tij! Për brezat e rinj të aktorëve që nuk e kanë njohur, si edhe për ata që nuk shfletojnë asnjë libër, njohja me figurën e tij , do të ishte më shumë se qindra libra të lexuara e spektakle me role “mandarinash”.
Shkruar në Piqeras, sipas monografisë time “MIHAL POPI” (1997) më 27 shtator 2022.
Please follow and like us: