Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Hasani Pllana: Mbi librin “Poezia e Kosovës në tri kontekste”

Libri “Poezia e Kosovës në tri kontekste” (1990-1999) është produkt i një pune kërkimore disavjeçare. Gjatë këtyre viteve kam bashkëpunuar me shumë miq, kolegë, kolege dhe mike të mira, të cilët sot i kujtoj me dashamirësi dhe mirënjohje.
Sapo u ula të shkruaj disa fjalë për të shprehur mirënjohjen time për bashkëpunimin, kuptova se gjashtë gra janë të paharrueshme në këtë rrugëtim: prof. Rusana Bejleri, mentorja ime (PhD) e cila besoi në projektin tim dhe me fjalë e veprime motivuese më ndihmoi në çdo hap deri në përmbyllje; poetja Fakete Rexha, e cila në kohën kur e kisha të vështirë të siguroja veprën poetike të poeteve nga Kosova botuar gjatë viteve 1990-1999 nga Franca më dërgoi shumicën e poezive, madje edhe botime nga kritika letrare e botuar në gazetën e përditshme “Bujku” në Prishtinë, në vitet 1990-1999. Me Faketen dhe me poetet e tjera më vuri në kontakt një mikeshë e mirë, Naime Beqiraj, një poete që me veprën e saj poetike po ashtu shënoi vitet ‘90 (shek. XX); Ramize Meta Bajraktari, një grua fisnike, bibliotekare e zonja dhe shumë miqësore, që gëzohej për çdo hap përpara të punës sime dhe pa hezitim më ndihmonte të hulumtoja në sirtarët e Bibliotekës Kombëtare për të siguruar materialet që më duheshin; Enxhi Hudhri, më e reja në moshë, por që drejton një nga shtëpitë botuese më prestigjioze shqiptare, Shtëpia Botuese Onufri, e cila mori përgjegjësinë për botimin e kësaj vepre të përpiluar me punë të përbashkët; dhe Dafina Hasani Ibrahimi, gruaja që sot nuk mund t’i kushtoj asgjë, sepse çdo fjalë dhe vepër është e pakrahasueshme me praninë e saj; ajo është një motër për të cilën thuhet dhe shkruhet se “në biskotat e jetës është pjesa e çokollatës”.
Please follow and like us: