Albspirit

Media/News/Publishing

Zyhdi Dervishi: Kuartet grimcash poetike

HËNORE
Në ëndërr m’u shfaq: Sikur
zbriti nga qielli Hëna e Re
u vetëklonua dhe si dy
harqe vetullash
në ballin tënd
zunë vend.
…edhe pse e praruar
me pigmente hënore
qenia jote e errët
dhe në ëndërr
pështirosjen
po ma çmend.
****
ARRATI
Te çdo njeri fle
skeleti i një kufome.
Dhe kufoma ka
një ves të vjetër:
merr e merr dhe
asgjë nuk jep.
Përpiqem të largohem
nga vdekatarët e zakonshëm
drejt një ferri tjetër.
****
VIRGJËRI E BLERTË
Gruri i papjekur është i virgjër
flirton vetëm me puhizën
me erën dhe
tufanin e sertë.
Dua të çapitem
deri në mbrëmje
horizonteve të kësaj
virgjërie të blertë.
****
KOZMIKE
Kaçurrelat e tua të praruara
me dritë vetëtimash
eklipsojnë krelat
e çdo komete.
Edhe nëse më flakin
në një tjetër yllësi
imazhin tënd kozmik
do ta marr me vete.
Please follow and like us: