Albspirit

Media/News/Publishing

ELIZABETH HERBERT, KONTESHA CARNARVON DHE MARY HERBERT

Mal Berisha
Elizabeth Herbert ishte e ëma e Kolonel Aubrey Herbert-it, anëtar i Parlamentit Britanik dhe mik i shquar i shqiptarëve. Ajo ka lindur në Greystoke Castle në Cumberland në vitin 1856 dhe ishte martuar në vitin 1878 me Henry Herbert, Kontin e Katërt të Carnarvonëve (1831-1890). Pas vdekjes së parakohshme të birit Aubrey, në vitin 1923, ajo iu kushtua përmbushjes së amanetit që i kishte lënë i biri në çastin e vdekjes për t’u kujdesur për Shqipërinë. Prandaj ajo themeloi një Komitet Britaniko – Shqiptar të Ndihmave dhe ndërmori veprimtari ndihmëse për Shqipërinë me shpenzimet e veta, Në mënyrë të veçantë u përqendrua në luftën kundër malarjes. Në dimrin e vitit 1926 ajo vizitoi Shqipërinë dhe themeloi një mision shëndetësor në Vlorë kundër malarjes, duke ngritur edhe një klinikë mjekësore. Në vitin 1927 udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ishte vëllai i saj Sir Esme Howard (1863 – 1939) në detyrën e Ambasadorit Britanik. Aty ajo siguroi mbështetjen financiare të Fondacionit Rockefeller për organizatën e saj të ndihmave dhe luftën kundër malarjes në Shqipëri . Një vend të veçantë i kushtoi ndihmës për shqiptarët e dëbuar nga Kosova. Ajo themeloi një fshat në Kavajë i cili mori emrin Fshati “Herbert” në nderim të të birit, fshati e mbajti atë emër deri në vitin 1939. Veç kësaj ajo financoi Bibliotekën e Parë Publike në Shqipëri, Librarinë Herbert, e cila më vonë u njoh me emrin “Instituti Herbert”. Fondi i librave të asaj bibliotike u bë bërthama e Bibliotekës tonë Kombëtare të ardhshme, në Tiranë. Biblioteka u ndërtua në tetorin e vitit 1927 në një tokë të blerë në Rrugën e Shën Gjergjit dhe u hap pas vdekjes së saj me datën 12 Maj 1929 (Gjatë komunizmit ajo u kthye në Kinemanë Ali Demi).
Më datën 14 shkurt 1929 gazeta LABOREMUS njoftonte per vdekjen e saj në faqen e parë me titullin: Ndërroi jetë “Nëna e Popullit Shqiptar”. Në të thuhej se “Nëna e Popullit Shqiptar”, Kontesha Carnarvon u nda nga jeta më 2 shkurt, 1929. Kjo ka qenë një humbje shumë e madhe për tërë popullin tonë. I biri, Koloneli Aubrey Herbert, i cili para se të vdiste i la amanet asaj të donte dhe ta ndihmonte Shqipërinë siç kishte bërë ai vetë. Pas kësaj ajo i kushtoi Shqipërisë dashurinë që i kishte lënë i biri për të dhe pa marrë parasyshë shkallën shoqërore në të cilën ishte ajo dhe as rehatinë që gëzonte në vendin e saj, udhëtoi dhe qëndroi me shqiptarët shumë shpesh. Ajo udhëtontë në klasin e dytë që të kursente për të ndihmuar shqiptarët…
Kontesha Elizabeth Carnarvon ishtë një zonjë aristokrate dhe një prej anglezeve më të dashura për Shqipërinë. Për të patur një ide se nga çfarë klase e lartë angleze vinte, ajo mjafton të kërkohet në internet për Highclere Castle ku është përjetësuar emri i saj dhe i asaj familjeje të madhe. Emri i saj është i skalitur me germat e arta në listën e zonjave angleze si Mis Edith Durham, Margaret Hasluck, Ruth Pennington po aq sa edhe në kujtesën e të gjithë shqiptarëve. Ajo vdiq në Portofino, Itali. Veprën dhe punën e saj e vazhdoi reja e saj, zonja e Aubrey Herbert-it, Mary Herbert.

 

Please follow and like us: