Albspirit

Media/News/Publishing

Retrospektivë – Profecia e Demaçit, “Kah po ia mban kjo botë…”

Retrospektivë – Profecia e Demaçit, “Kah po ia mban kjo botë…”, 2011
(sguraziu – ap, sht 22)

…dekada e ardhshme si dhe dhjetëvjetëshat e tjerë do jenë të kinezëve, Kina faktori kryesor i ruajtjes së paqes – para një dekade (në v. 2011) një i burgosur politik i diktatures së Shqipërisë kur e pati lexuar intervistën e z. Demaçi për “Danas” të Serbisë (e pata shpërndarë atebotë intervistën në adresat elektronike), e sidomos pohimet rreth kinezëve të dekadave të ardhshme, sikur e pati “keqkuptuar” paksa profecinë futuriste të Demaçit, thuase kishte frikë mos profecia demaçiane na ishte ndonjë “simpati për kuqaloshët kinezë”, në një email z. Demaçi me siguronte se unë nuk e pata keqkuptuar, se i njihte edhe ata që kanë vuajtur nga “diktatura” shqiptare, “kam patur fatin (e zi) të njihem hollësisht edhe me praktikën fort të egër të diktaturave komuniste të tipit leninist-stalinist dhe me teorinë burimore marksiste”, kështu që e kuptonte se njerëzit fare lehtë i shohin gjërat ndryshe ose i keqkuptojnë…

| – – – [ Adem Demaçi intervistë për revistën serbe “Danas”, 2011 ] – – – |

(Danas) – Na thoni në fund, si e parashihni dhjetëvjetshin që po vjen? Kah po ia mban kjo botë? Kah do t’ia mbajmë ne nga këto hapësira?

(Demaçi) – E, po, meqë po më pyetni, më lejoni që t’ia lëshoj frejt imagjinatës sime. Jemi në vlugun e shpejtësive kozmike. Bota po ngutet me shpejtësi marramendëse, Kinezët, në shkollat e veta do ta fusin si lëndë të domosdoshme edhe shkrimin latin. Kinezët, në politikë do ta vënë në zbatim sistemin dypartiak – Partia e Majtë dhe e ajo e Djathta Komuniste!… Malli i lirë e fort cilësor kinez ka për ta përmbytur krejt botën. Kina do të bëhet faktori kryesor i ruajtjes së paqes dhe i marrëdhënieve të gjithëmbarshme miqësore në botë. Kina, me politikën e vet të urtë e të durueshme si dhe me ekonominë e vet fort të fuqishme dhe efikase ka për të qetësuar e zgjidhur të gjitha konfliktet në botë. Kapitalizmi shtetëror do t’ia kalojë kapitalizmit privat. Kina do të fillojë në plan të gjerë të robotizojë gjithë shoqërinë duke filluar nga bujqësia, industria, shërbimet, edukimi, shëndetësia, hulumtimet shkencore, kultura, arti e madje edhe nga turizmi hapësinor… Dhjetëvjetëshi i ardhshëm si dhe dhjetëvjetëshat e tjerë me radhë kanë për të qenë nën shenjën kineze. Për habinë tonë të madhe, Kinezët nuk do të kërkojnë prej nesh që ta mësojmë kinezishten. Jo, more! Ata tashmë janë duke mësuar të gjitha gjuhët tona, prandaj falë kësaj krejt çfarë do të na duhet ne do ta kemi në gjuhët tona të vockla: në shqip, serbisht, greqisht, maqedonisht, malazezisht, boshnjakisht, kroatisht, sllovenisht, romisht, sllovakisht, çekisht, rusinisht, norvegjisht, suedisht, danisht, finlandisht, retroromanisht, e madje edhe në disa gjuhë të cilat do të zhdukeshin sikur të mos ishte robotizimi e civilizimi kinez!… Kush nuk beson, do të bindet… E, ne do të mbetemi këtu ku jemi, sepse ne nuk do t’i duhemi askujt. Të gjithë do të vrapojnë pas kinezëve!…

Please follow and like us: