Albspirit

Media/News/Publishing

Henry Miller: MUND TË JETOJA EDHE NË ANËN TJETËR TË MURIT

Për mua kanë thënë se jam revolucionar, por nëse është kështu kjo ka ndodhur jashtë vullnetit tim. Unë nuk ngrihem kundër botës ekzistuese. Veten time mund ta karakterizoja me fjalët e Blez Sandrarit: “Unë revolucionarizoj”. Por kjo nuk është e njëjta gjë me qenien revolucionar. Unë do të mund të jetoja edhe në anën tjetër të murit, që ndan pozitiven me negativen. Në përgjithësi më duket se jam ngritur mbi ndarje të tilla dhe po krijoj njëfarë harmonie të këtyre dy fillimeve, të shprehur në mënyrë plastike, por jo në kategoritë e etikës, të asaj që shkruaj. Mendoj se është e domosdoshme që të qëndrosh jashtë sferës së artit dhe jashtë ndikimit të tij. Arti është vetëm një nga mënyrat e jetës, kurse jeta është më bujare se ai. Dhe në vetvete arti nuk është jetë që e tejkalon jetën e zakonshme. Ai vetëm sa tregon rrugën, por këtë gjë shpeshherë nuk e kuptojnë jo vetëm spektatorët, por as vetë piktori. Duke u bërë qëllim, ai e tradhton vetveten. Kurse piktorët më shpesh e tradhtojnë jetën me përpjekjet e tyre për të dalë mbi të. Ata e copëtojnë atë, që duhet të jetë një e tërë, si një vezë.
Unë jam plotësisht i bindur se dikur i gjithë arti do të zhduket. Por piktori do të mbetet dhe jeta nuk do të jetë “fushë e artit”, por vetë arti, pasi të ketë zëvendësuar vendosmërisht një herë e përgjithmonë me vetveten, atë që i përket artit. Duke folur për thelbin, natyrisht që ne akoma nuk kemi filluar të jetojmë. Tashmë nuk jemi më kafshë, por, pa dyshim, akoma nuk jemi bërë njerëz. Që nga koha kur ka lindur arti, këtë gjë na e ka pohuar çdo piktor i madh, fare pak ishin ata që e kuptonin atë. Sapo arti fiton njohje të vërtetë, ai zhduket. Ai është vetëm një zëvendësim, një gjuhë simbolesh, nëpërmjet të cilit rikrijohet ajo që ne nuk jemi në gjendje ta shprehim drejtpërsëdrejti. Por që të kryhet kjo, duhet që njeriu të bëhet me të vërtetë fetar: jo besimtar i një sekti, por në të vërtetë një bartës i fesë, i Zotit të vërtetë, pa asnjë lloj metafore. Dhe, në fund të fundit, ai do të bëhet pashmangësisht i tillë. Por nga të gjitha shtigjet, të cilat e nxjerrin në rrugën kryesore, arti është më i rëndësishëm, i hapur në drejtimin më të besueshëm dhe më shumë se të tjerët ia shpërblen udhëtarit.
Piktori, i cili me të vërtetë e ka kuptuar misionin e vet, për këtë arsye pushon së qeni piktor. Dhe të gjithë anojnë drejt faktit se duhet të arrihet ky kuptim, kjo shkëndijë që arrin të ndriçojë vetëdijen tonë, se në jetën e sotme, duke përfshirë madje dhe artin, asgjë nuk është e aftë që të lulëzojë.
Please follow and like us: