Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare kryebalerina e parë e TOB
Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare Ganimete Vendresha, kryebalerina e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit në Shqipëri (TOB). Lajmin e ka bërë me dije mbesa e saj, Ajola Xoxa, e cila shkruan në një postim në Facebook se Vendresha ndërroi jetë mbrëmë, e rrethuar nga njerëzit e saj më të dashur.
“Gjyshja ime e mirë, Ganimet Vendresha, u nda nga jeta mbrëmë, e qetë dhe në paqe, siç e jetoi të gjithë jetën e saj, rrethuar nga njerëzit e dashur, duke lënë pas tek kushdo kujtimin e njeriu të bukur brenda dhe jashtë, dhe tek ne një dhimbje pambarim. Ajo i dha aq shumë Shqipërisë së saj dhe kujtdo pati fatin ta kishte në jetën e vet”, shkruan Xoxa.
Homazhet do të kryhen nesër, 30 shtator, nga ora 10:00 deri në 12:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe varrimi në orën 13:00 në varrezat e Tufinës.
Ganimet Vendresha ka lindur në kryeqytet më 19 shtator 1934 dhe ka studiuar balet klasik dhe koreografi në Akademinë e Baletit të Bolshoi Teatër të Moskës. Pas 6 vitesh studime, Vendersha së bashku me bashkëshortin e saj dhe me tri balerinë të tjerë, hapën në Tiranë Shkollën e Parë të Baletit në Shqipëri dhe më pas ishin bashkëthemelues të Akademisë së Arteve dhe Teatrit të Operas dhe Baletit. Ganimet Vendresha mban shumë çmime karriere, si edhe tituj të lartë, ndër to ‘Nderi i Kombit’, “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i Madh”.