U nda nga jeta 15 vjet më parë një prej regjisorëve-autorë të paktë në Shqipëri, Serafin Fanko.

Në Akademinë e Arteve të Pragës do të kryente studimet për regji filmi dhe me t’u rikthyer në atdhe, do të konsolidonte profilin e tij duke ndjekur shkollën e posaçme “Aleksandër Moisiu”.

Fanko dha ndihmesë veçanërisht të lëvdueshme si regjisor në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, rreth të cilës Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar online, disa foto.

Serafin Fanko ka realizuar rreth 125 shfaqje në teatrot e Shkodrës, Tiranës, Shkupit, Durrësit, Gjakovës, Strugës, Fierit etj.

Në tërësinë e veprave të vëna në skenë, Fanko ka dalluar për trajtimin regjisorial të dramave dhe për kulturën e gjerë skenike, që paraqiste të harmonizuara përbërësit teatrorë. Ky tipar që e shquante nga bashkëkohësit shfaqet më së miri në veprat “Fisheku në pajë”, “Këshilli i ndrikullave” dhe “Toka jonë”, që patën jehonë në publik.

Në kinematografi, nisi karrierën me rolin e Klarkut, në “Fije që priten” dhe e përfundoi me rolin e profesorit të fizikës, në “Pranvera s’erdhi vetëm”.

Në fund të viteve ’70 themeloi Teatrin Poetik pranë teatrit “Migjeni”. Fanko ka shkruar 12 drama dhe është fitues i disa çmimeve kombëtare. Në shenjë vlerësimi të veprës së tij, i janë akorduar titujt “Qytetar Nderi i Shkodrës” dhe “Artist i Popullit”./atsh