Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Ruka: KUR TË VDES UNË

Kur të vdes unë mbyll derën dhe pi e pi atë natë
Hapi shishet e verës që nuk pimë dot bashkë
(Uh, sa na mbeten, një kantinë e tërë)
Pi edhe shamë që të tradhtova me vdekje
Burrë i pabesë…si uji në rërë…
Lexo nja dy këngë të miat, të trishta
Pastaj grisi dyshemesë
(Pa pikë mëshire, pa lot).
Më shaj që nuk të këndova siç e meritoje,
S’t’u bëra poeti më i mirë në botë.
Për inatin tim nxirri gjinjtë jashtë këmishës
Më thuaj: ja ku i kam akoma plot jetë,
(Ç’t’i bëj tani pa ty, zuzar).
Po tashmë kam ikur e si të ta them
Që për to do të rrotullohem
Edhe brenda në varr…
Kur të vdes unë mos ma fal
tradhtinë e fundit me vdekje,
(Atë më të poshtrën, më të pabesën.)
Veç mbaje një sy hapur tek dritarja, se s’ dihet,
Mund të bëj marrëveshje… e të vij
…Me vesën…
Please follow and like us: