Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: Uragani monstër…

Tregim 

 

 

Duke ardhur….

Po vinte fundi i shtatorit  dhe të gjithë qytetet jugperëndimore dhe pjesa bregdetare e gadishullit të madh amerikan Florida pushtohet nga erëra të fuqishme dhe shira papushim. Qielli i ngarkuar me re të zeza e gri të errët të jepte përshtypjen e një dite dimri të egër e plot lagështi.

Ora 10:00 e mëngjesit  e  28 shtator 2022 era filloi të përforcohej nga momenti në moment dhe intesiteti goditës i uraganit ‘Ian’ shtohej. Pas një ore ndërpriten dritat dhe tërë zonat mbeten pa elektricitet.

Gjithçka filloi të fluturonte nën fuqinë qarkulluese të erës së fortë që përkulte palmat pranë shtëpive. Stuhia filloi të shkul nga rrënjët lule e dekore të bukura të oborreve të shtëpive. Çatitë e tyre ishin pjesët më rrënkuese nga ku mund të fillonte shkatrrimi nga thonjtë e  panterës së uraganit monstër.

Lajmet që po shpërndaheshin njoftonin se ky do të shënohej si uragani më i fortë i pas 30 vjetësh në zonën jugperëndimore të Floridës, vend i njohur për uraganët dhe stuhitë me të forta në botë. Shiu binte me rrëmbim herë nga veriu dhe pas pak nga lindja. Pushonte dhe kur pas pak rifillonte nga drejtimi i jugut duke qullur e goditur  xhamat e atyre dritareve që nuk kishin vendosur llamarina apo dërrasa mbrojtëse. Ishte si një lojë e çmendur midis erës së fortë, shiut tekanjos dhe vetëtimave që ndriçonin befas vendin ku si një blic aparati fotografik fiksonte viktimën që po përpëlitej nga dora monstër e uraganit. Dhe megjithëse ajo po lëviste pjesën e bishtit të masës plotë ujë e avuj të nxehtë në formën e rrethit disa qindra miljesh, monstra lëvizte mbi qytetet e këtij gadishulli gjigand prej rreth 30 milionësh banorë duke ngjallur panik dhe ethe tensioni të paparë.

Ai lëvizte si një disk marramendësh UFO-sh duke bërë shkatrrime në ndërtesat më të dobta dhe objekte si urra, vendbazimi për varkat, skafet e jahtet e shumta që shtriheshin përgjatë gjithë bregut jugperëndimor. Ato kërcisnin litarët dhe atje ku nuk ishin fiksuar siç duhej, monstra shkëpuste nga vargu i skafeve ndonjë prej tyre dhe e përplaste pranë ndonjë restoranti apo godine me të afërt. Zogjtë e shumtë cicëruese ishin fshehur prej disa orësh para ardhjes së uraganit ogurzi, në foletë e tyre më të sigurta. Po kështu kafshët e egra si arinjtë, panterat dhe krokodilët kishin ikur diku në vëndet e tyre, që instikti i dërgon sa herë ndjehet kjo lëvizje gjigande e masës ajrore dhe ujrave që mbretërojnë plotë pangopësi në hapësirat e pyjeve, gëmushave dhe kanaleve ujore ku ato vegjetojnë.

Vilat e lagjeve të pasanikëve floridianë nën shkrepëtimën e vetetimave verbuese, rrezatonin si gurë të çmuara diamantesh përgjatë gjithë bregdetit dhe zonave pranë duke pritur goditjet shkatërruese dhe vdekjeprurëse. Të gjithëve u kishte mbetur fryma teksa dëgjonin fërshëllimat e formave nga më të çuditshme që krijonin rrymat e ajrit tek përplaseshin me njera-tjetrën duke krijuar kumbimin ekstravagand të tingujve të mprehtë dhe mjaft misterioz. Dita po ja lëshonte vendin natës. Megjithëse një ditë e errët dhe plot ankth dhe ngjarje që vinin mediatikisht rresht si shirat pa mbarim. Me erën e fortë, nata pritej me ndoshta të papritura e të panjohura sidomos nga unë që përjetoja për here te parë në jetë një uragan bio-tropikal dhe që isha mësuar me stuhira të shkurtëra një deri 2 orëshe e shumta nga qyteti europian i Tiranës.

Misteri i mbrëmjes uragane

Dhe teksa errësira po shtohej, shirat dhe era vazhdonin me intensitetin e shfaqur gjatëgjithë ditës, syri  i Uraganit po merrte drejtimin nga toka. Ai po vëzhgonte tashmë mbi brigjet e plazhet që gati pak jave më parë ishin të mbushura me pushues të shumtë. Dallgët e detit të trazuara prej orësh kërcisnin duke u ngritur deri në 12 fit të larta. Ato u shtrinë e morën mbi hapësirën toksore duke përmbytur gati 2 milje tokë. Errësira tashmë krahas erës dhe shiut do të kishte një bashkëshoqeruese vdekje ndjellëse mjaft kërcënuese- ujin e kripur të detit.

Nga dritarja ku qëndroja shikoja vazhdimisht çfarë ndodhte! Edhe Teku, qeni i shtëpisë, më afrohej herë pas here dhe shikonte nga dritarja. Por ai kishte shumë frikë vetëtimat, prandaj qante sa herë sytë e tij i shkëlqenin nga ndriçimi i beftë i tyre. Shiut të rrëmbyeshëm që kishte krijuar rrymëzat e shumta dhe që shtriheshin nëpër kanalet kulluese para çdo shtëpie apo apartamenti të mbuluara me bar filluan të vinin edhe ujrat e shumtë nga deti. Uji i kripur i detit me ujin e shiut nga retë krijuan një turbullirë dhe intesitet të paparë. Kanalet kulluese para çdo shtepie, të cilat përballuan stuhitë tetëorëshe të uraganit, më në fund u dorëzuan. Rruga automobilistike e lagjes filloj të mbushej shumë shpejt me ujë…

Kujtova prurjet e Drinit në Shkodër që sa herë binte shi dhe hapeshin portat e hidrocentralit të Fierzës apo të Komanit, do të përmbyteshin lagjet e zonës së ultësirës pranë Bunës e liqenit…

Ankthit të erërave të forta shkatërruese iu shtua ai i përmbytjes. Nata tashmë kishte rënë dhe ujrat shtoheshin. Me fener ndriçues dore shikonim çast pas ëasti nivelin e ujit. Ai rritej. Kanali kullues u përmbyt dhe uji u shtri pertej nga pjesa e kopshtit përpara shtëpisë. Duhej edhe 15 metra që ujrat të kapnin pragun e hyrjes së banesës sonë. Në celularin të cilit po i mbarrohej bateria vini alarmet e shumta me mesazhe paraljmeruese dhe urdhëruese për evakuime. Në njerin thuhej se forcat e emergjences së Ushtrisë do të shkonin në pikat më te goditura.

Sytë më mbetën tek niveli i ujit. Ai po afrohej me shpejtësi. Ai kapi brezin e parë të luleve të mbjellura disa muaj më parë. Ato ishin delikate dhe rritja e tyre ishte e veçante, pasi kërkonin ujë në ditët e thata plot diell të cilat janë me bollëk në këtë zonë. Ato ranë nën pushtetin e ujit. Ora po shënonte 8 e darkës dhe ujrat në rrugë shtoheshin.

Dëgjova zhurmë motorrësh makinash. Ujrat ishin shtrirë në krah të dy anëve të rrugës. Në të njëjtin pozicion ishte edhe komshia përballë, Xhejmsi, i cili kishte nxjerr një barkë gati për ta përdorur në rast të përmbytjes së madhe. Befas e gjithë zona u ndriçua nga vargu i disa automjeteve të mëdha të ushtrisë që kaluan në drejtim të zonës tashmë të përmbytur plotësisht. Banesa jonë ishte 1 milje larg nga kjo zonë. Rrotat e fundit të makinave që trazuan ujin përpara shtëpisë më sollën një trazim në shpirt. Ndoshta do të na vijë edhe ne radha të hypim në ato makinat e mëdha ushtarake, mendova.

Palma e re pranë dritares jo më shumë se dy metra larg kishte pësuar thyerjen e dy degëve, po kështu edhe qershia e mbjellur në këtë vit ishte shkokolepsur aq shumë sa të vinte keq qe e shikoje në atë gjendje…..

Njeriu përballë natyrës apo fuqisë hyjnore?

Heshtja e veprimtarisë njerëzore që kishte kapluar në brigjet e pushtuara nga uragani qëndronte përballë rapëllimave të kërcitjeve të vetëtimave dhe shirave pa pushim. Jeta njerëzore ishte në rrezikun e këtij fenomeni që për banoret e kësaj zone ishte si një moment reflektimi…

…Ndërkohë që një natë përpara ardhjes së këtij uragani monstër, ndërsa dilja nga një supermarket vija re se njerëzit kishin mbushur karrocat me ushqime dhe artikuj të ndryshëm të jetës dhe me nxitimin për të kapur kohën i fusnin në makinat e tyre plot nervozizëm apo një ndjesi të veçante! Ata të shikonin në sy kur ndodheshe përballë dhe të përshëndesnin plot mirësi dhe me një buzëqeshje të gezueshme. Ishin të nervozuar apo të gëzuar?! Ky dyzim më krijonte përshtypjen se kishte të bënte me pjesën e dyluftimit të shpirtit të tyre ku jeta duhet të fitonte mbi vdekjen!

…Uragani ndodhej midis Kubës dhe pjesës juperëndimore të Floridës, diku në harkun e dy brigjeve në Gjirin e Meksikës. Diku pranë një tjetër dyqani, i cili ishte mbyllur 24 orë përpara, një grua e re ishte ndalur dhe shikonte diku nga qielli i trazuar. Sytë e saj ishin duke parë diku midis reve. Ajo ngriti dy duart lart e bashkuara dhe i kaloi nga balli i saj i bardhë nëpër fytyrën deri në gjoksin pak të hapur. – Amin! U lut ajo! Flladi i lehtë i erës paralajmëruese tundi flokët e zezë të saj…

…Ora 12:00  shënonte pas gati 15 orë dyluftimi midis erës dhe shiut të uraganit dhe heshtjes së njeriut duke pritur fatin e tij dhe të tjerëve që kishin hyrë në këtë dyluftim real.

Nga dritarja vura re se rryma e ujit të rrugës përballë shtëpisë rridhte papushim duke sjell trungje e degë pemësh të këputura, të cilat përplaseshin me tabelat e reklamave, postën e shtëpive private apo makinat e parkuara pranë banesave private. Dhe ndërsa shikoja, nëse qielli ndoshta do të lirohej ndopak dhe era të pushonte duke sjellë një farë qetësie, kujtova veprimin e gruas pranë dyqaneve një natë më parë! Ajo u lut, por çfarë po ndodhte çfarë kishte ndodhur dhe a kishte akoma për të ndodhur mjaft nga ato që nuk dëshirojme?! Uji tashmë po rriste nivelin dhe kishte përmbytur gjysmën e kopshtit përpara shtëpisë. Lulet e brezit të parë plot ngjyra të kuqe e të verdha po notonin në mëshirën e ujit. Diku pak më tutje ndriçimi i fenerit kapi një kërcim peshku që u zhduk! Çfarë kishte mbetur gjë tjetër për të parë sytë?! Ndoshta krokodilë apo oktapodë të përplasur nga dallgëzimi i prurjeve të rrëmbyeshme?! Barkat private po bëheshin gati, çizmet dhe veshjet për notim do të vinte radha të përdoreshin në atë natë. Një varg makinash të ushtrisë po vinte në drejtim të rrugës së vilave italiane që ishin jo shumë larg nesh! Aty PERMBYTJA kishte arritur në pikën kritike. Troku amerikan me rrota të larta për të hyrë në zonat e prekura shumë ishte një nga mjetet e përdorura atë natë!

Celulari morri një tjetër mesazh, por tashmë i një natyre tjetër! Uragani tashmë ka hyrë plotësisht në tokë duke u shkëputur nga deti! Ky ishte lajm  tronditës sipas ekspertëve të uraganëve. Vetëm kishtë një gjë të mirë se detin do ta linte të qetë dhe ujrat do të binin. Tashmë në kategorinë 4 në të cilën hyri në tokë përbindshi ujor i qiellit do të bënte kërdinë drejtpërdrejtë në popullatë, banesa, dyqane, parqe, kopshte dhe gjithçka që ka ndërtuar mendja njerëzore. Ato më të fortat do të mbijetonin ndërsa banesat e vjetra do të prisheshin pjesërisht apo plotësisht!

Vallja” e uraganit monstër!

Që gjithë natën ai hodhi “vallen” e tij shkatërruese këtë e panë në mëngjes. Kur zbardhi dita e gjithë bota, Kanalet televizive amerikane transmetonin pamjet e katastrofës natyrore.

Kur hapa sytë në mëngjes ishte errësirë ende. Ora shënonte 7:20. Hodha sytë nga dritarja duke shpresuar që të mos shija më ujë. Dhe vërtetë pellgjet e ujit ishin zhdukur. Në rrugë dukeshin me vështirësi mjaft objekte të hedhura. Makinës i kishte rënë një tjetër degë palme mbi të. Kërkova celularin, por internet nuk kisha. Nuk kisha as mesazhe dhe lajmet e fundit!

Kur zbardhi plotësisht dita, rruga dhe kopshti i shtëpisë ishte plot me mbetje nga përmbytja.

Hapa derën e shtëpise dhe ashtu gjysmë i veshur me pantallona dhe një bluze u ndodha në kopësht. Aty gjeta një peshk të ngordhur! Ndërsa varka e Xhejmsit, komshisë ishte përmbysur dhe përplasur pas një shtylle të elektrikut të rrugës. Siç dukej komshia nuk i duhej ta përdorte!

– Hej mik, mirmëngjesi më tha – komshia, Xhejmsi. Ai kishte marrë një pastruese për barin e kopshtit para shtëpisë dhe po e përdorte për të larguar të gjithë mbejtjet e sjella nga uji.

Ai më buzeqeshi dhe më tha: Lavdi zotit shpëtuam!

I buzëqesha i çliruar edhe unë.

Dielli filloi të ngrihej në horizont dhe një ditë e re po vinte krejt ndryshe. Fresku i erës së uraganit ndjehej ende. Palmat e plagosura rëndë vazhdonin të tundnin degët e mbetura. Monstra vazhdonte “vallen” e vet në qytete e zona të tjera të gadishullit tropikal duke shkatërruar mjaft shtëpi e objekte e vrarë 19 persona.

29 shtator 2022, Naples, Florida. 

 

Please follow and like us: