Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Ku më çojnë rrugët e mallit?!

 

Ku më çojnë rrugët e mallit,

Vetëm shpirti im e di,

Portë më portë në Gjirokastër,

Derë më derë në Lunxhëri.

 

Ku më çojnë  rrugët e mallit,

Ku më çon në ëndrra zemra?

Në vorrezat e një fshati,

Ku është shtrirë e s’ngrihet nëna.

 

Ku më çojnë  rrugët e mallit,

Kohë pas kohe, mot pas moti?

Atje tek varri I babait,

Që t’a njom me pika loti…

 

Ku më çojnë rrugët e mallit,

Natyrisht dhe në Odrie,

M’u atje ku Arben Duka,

Qëndron fshehur nëpër yje.

 

Ku më çojnërrugët e mallit,

Tek një shkollë që kohrat zgjon,

Dhe një prrua me kujtime,

Rrjedh e rrjedh po nuk shteron.

 

Ku më çojnë rrugët e mallit,

Unë me veten bëj çudi,

Herë në sytë e tu të trishtë,

Herë shumë larg në fëmijëri.

 

Ku më çojnë rrugët e mallit

Vetëm shpirti im e di,

Pas një gjurme nëpër rrugë,

Që dikur e ke lënë ti…

 

Ku më çojnë  rrrugët e mallit,

Vetëm shpirti im e di,

Portë më portë në Gjirokastër,

Derë më derë në Lunxhëri.

Please follow and like us: