Uashingtoni vë sanksione të reja ndaj Rusisë
Të premten, administrata e Presidentit Biden vëndosi saksione të reja dhe kontrolle eksporti ndaj subjekteve dhe inidividëve brenda dhe jashtë Rusisë që ofrojnë mbështetje për qeverinë e Presidentit Vladimir Putin. Vendimi vjen pas aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës nga Moska.
Ndërsa mbështetësit e Presidentit Vladimir Putin u mblodhën në Sheshin e Kuq të Moskës duke festuar aneksimin e katër territoreve ukrainase, administrata e Presidentit Biden vendosi sanksione të reja, një kombinim i ngrirjes së pasurive dhe kufizimeve të vizave ndaj qindra subjekteve ruse, zyrtarëve dhe familjeve të tyre, si dhe kontrolle për eksportet.
Katërmbëdhjetë kompani ndërkombëtare që mbështesin zinxhirët e furnizimit ushtarak të Moskës janë sanksionuar gjithashtu. Synimi është ulja e aftësive të ushtrisë ruse për ta marrë veten, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan.
“Për të dëmtuar sektorët kryesorë rusë në teknologji, industri dhe padyshim në mbrojtje, në mënyrë që me kalimin e kohës të pakësohet kapaciteti i saj ushtarak për të kërcënuar dhe sulmuar vendet fqinje. Duam që pjesës tjetër të botës t’i dërgojmë një mesazh të qartë, se ato kompani, individë apo vende që do të mbështesin Rusinë në aneksimin e rajoneve ukrainase, do t’u nënshtrohen sanksioneve”.
Pas një referendumi të ngutshëm, i denoncuar nga Perëndimi dhe Ukraina si i manipuluar, Putini tha se katër rajonet ukrainase tani i përkasin Rusisë.
“Ata që jetojnë në Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia po bëhen qytetarët tanë përgjithmonë”, tha Presidenti Putin.
Donetsk-u dhe Luhansk-u janë strehë e dy republikave separatiste të mbështetura nga Rusia, ku luftohet që nga viti 2014. Zaporizhzhia dhe Kherson-i u pushtuan menjëherë pas fillimit të agresionit rus në shkurt. Të premten, një sulm ndaj një autokolone civile pranë Zaporizhzhia-s vrau të paktën 25 njerëz.
Presidenti Putin tha se ishte i gatshëm të negocionte me Ukrainën, por sovraniteti i këtyre katër rajoneve nuk do të jetë pjesë e bisedimeve, një ofertë e hedhur poshtë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
“Ai nuk e di se çfarë është dinjiteti dhe nderi. Prandaj, ne jemi gati për një dialog me Rusinë, por me një president tjetër të Rusisë”, tha zoti Zelenskyy.
Zëri i Amerikës e pyeti zotin Sullivanin nëse Presidenti Biden ndan qendrimin e zotit Zelenskyy.
“Presidenti Biden beson se është e mundur një zgjidhje diplomatike në Ukrainë, por vetëm sipas kushteve bazë të Kartës së OKB-së të nënshkruar nga të gjitha vendet”.
Presidenti Biden u zotua të vazhdojë të ofrojë mbështetje ushtarake për Ukrainën.
“Përfshirë burime shtesë që do të japë Kongresi prej 13 miliardë dollarësh më shumë”.
Paketa e fundit përfshin 3 miliardë dollarë për armë, furnizime dhe paga për ushtrinë e Ukrainës, përveç 54 miliardë dollarëve të miratuara në fillim të këtij viti.