Senad Guraziu: Pikëpyetje rreth homoseksualizmit të Akilit
[Jacques-Louis David (1748-1825) – Varrimi i Patrokliut, 1778 ]
Varrimi i Patrokliut është një pikturë me përmasa të mëdha, piktura e paraqet një episod të Luftës së Trojës, personazhet janë të panumërta, dhe të shpërndara gjithandej tabllosë. Skena më kyç pikturale shohim se është në qendër, me Akilin dhe Patrokliun e vrarë nga dora e kryetrimit trojan, Hektorit. Pakëz më djathtas në pikturë, e shohim Hektorin e vrarë pas karrocës. Prapa Akilit ulur e shohim turrën e druve, përgatitur për Patrokliun.
Disa Pikëpyetje rreth Homoseksualizmit të Akilit (Homerik)!
Senad Guraziu – Ars Poetica, T 2018, Sht 2022 – Komente
( …Homeri ia mvesh gjithë Greqisë “motivin” e një Helene të vetme, apo mos vallë motivin “helenistik” – do pyeste lexuesi i thjeshtë! Nëse Akili s’ishte “pederast”, siç pohonte Platoni dhe të tjerë kronistë, atëherë pse pra Platoni do thoshte diç ashtu, do ishte nonsens i madh për një Platon, do ishte paragjykimi më i madh platonik, mos vallë Platoni nuk e dinte prej nga vinte “frymëzimi” i Homerit… )
***
Që nga shkollarët e vjetër e deri dhe sot nga modernët nuk është e “qartë” pse Akili e donte Patrokliun aq shumë! Pse do t’bënte aq shumë për të, pse nuk i dhimbsej as jeta as hiçgjë për të? Pse do qante, pse do binte aq ulët, jo tashmë si një burrë, si një hero a si trim, por si një i dobët, i katandisur si mos më keq. Do tregohej shumë më i dobët sesa vetë Briseja, mbi trupin e pajetë të Patrokliut!
Homeri s’thotë asnjë fjalë që lidhja mes Akilit e Patrokliut të ketë qenë homo-erotike. Ama s’e fsheh faktin që me vrasjen e Patrokliut, Akili qe zemëruar tepër shumë, më “tepër” se ç’duhej. Ashtu-kështu kryetrimi s’kishte frikë nga asgjë, ishte trim i madh (njësoj si dhe Hektori në mbrojtjen e Trojës së vet). U desh vrasja e Patrokliut që Akili t’i “kthehej” luftës, thuase tashmë vetëm e vetëm që të hakmerrej për Patrokliun. Sipas Akilit njëri prej tyre duhej të vdiste, o Hektori o ai vetë. Dhe do ta ftonte Hektorin në një duel burrëror.
Akili e kishte si “paralajmërim” se duke u nisur në Trojë, do ta paguante me jetën. Kur do vdiste nuk dihej, por se do vdiste e dinte, orakujt (dhe vetë nëna Thetisa, perëndesha) ia patën bërë të qartë. Se mos vetëm Thetisa apo vetëm orakujt, madje dhe vetë kali i Akilit, Ksantosi, edhe ai mund ta “parashihte të ardhmën”, edhe ai mund të fliste. Perëndesha Hera ua pati dhënë kuajve të Akilit aftësinë për të folur. Ksantosi e pati “paralajmëruar” se do t’vdiste. Akili vetë i vdekshëm, mirëpo kuajt e tij të pavdekshëm, Ksantosi dhe Balosi patën ardhur në jetë nga Zefiri, mund të flisnin njësoj si Akili vetë. Mbase s’ishin dhe aq llafazanër por padyshim duhet të kenë patur fort “muhabet”.
Sidoqoftë, 10 vite duke luftuar si zemëluan, asgjë s’e gjeti Akilin. As Patrokliu nuk u vra, as Hektori as ai vetë. Ashtu-kështu (herdokur) do vdiste, andaj hakmarrja ishte tani pikërisht çfarë dëshironte pena e Homerit. Dhe do hakmerrej, do e vriste Hektorin, vrasësin e Patrokliut, princin më të lavdishëm të Trojes. Trupin e pajetë të të cilit pastaj do e tërhiqte zhagas lidhur për karrocën e luftës. Kryetrimi i Trojës s’e meritonte as një varrim të denjë, e meritonte poshtërimin dhe ngopjen e ego-difektit akilian, njësoj sikur do poshtërohej dhe Priami! Na del e çuditshme “trimëria akiliane” i dashur Homer, sepse trimat e atij kalibri janë shumë më të përmbajtur, zor se veprojnë ashtu.
Pse do u besoja shkollarëve të sotëm më tepër sesa bie fjala Platonit? Pse do kisha besim në panumër “shkrime” të shkollarëve modernë nëse shkrimet e tyre thjesht nuk janë bindëse? Mos vallë Platoni nuk e “njihte” Greqinë e asaj kohe! Mos vallë Platoni nuk e dinte prej nga vinte “frymëzimi” i Homerit! Vallë pse madje as industria e Hollivudit s’e përkrah mundësinë “homo-erotike akiliane” si vërtetësi?
Pse Platoni do pohonte ashtu – apo ndoshta thjesht ishte “objektiv” dhe i arsyeshëm, pse t’mos i besoj atij? Platoni mirë e dinte që pederastia ishte e zakonshme në Greqinë e Lashtë, dhe jo vetëm ai e dinte, – mendon autori R. Stone, “athinasit ishin shteti i parë grek i asaj kohe për ta përfshirë praktikën “homoseksuale” në shoqëri në një mënyrë strukturore” – shprehet ai.
Platoni thoshte se Akili dhe Patrokliu kishin marrëdhënie homo-erotike. Ndërsa mjaft shkollarë, botimet e Cambridge a të Harvard sikur na thonë “jo, xhufurraku Platon ishte ngatërruar, e kishte gabim”. Të njëjtën linjë e ndjek dhe industria e Hollivudit. Vallë kujt duhet besuar, kur madje s’është nevoja as për “studime” për ta patur të qartë dhe vetëm nga amforat se “pederastia” për të cilën fliste Platoni, praktikohej, ishte reale.
***
Ne lexuesit ordinerë s’duhet harruar që “epika homerike” pikësëpari ishte truk i perëndive, ishte truk “hyjnor”. Nuk ishte ndonjë truk i tokësorëve (i vdekatarëve). Psh. roli kryesor, roli më madhor që Homeri ia ishte “ngarkuar” perëndeshës Athina në “Iliadën” ishte që trojanët medoemos duhej të humbnin. Ky kusht homerik për Athinen dhe aq i vështirë nuk ishte, qëkur perëndeshë e mençurisë dhe e luftës. Homeri thuase e kishte parallogaritur, nëse balansi i fuqive hyjnore eventualisht të bëhej “pengesë”, atëherë Athina do duhej provuar të pamundurën. S’do i zgjidhte as mjetet, as veglat as magjitë, duhej gjithçka që grekët të triumfonin.
Akoma pa ia filluar (epikave iliadeske), sikur fillimisht na duhet t’i imagjinojmë zënkat e hyjnorëve, na duhet t’i sjellim në mendje zënkat e perëndeshave (ashtu-kështu çështje mitologjike). Ishin ngatërruar vetë triada e bukurisë hyjnore, gjithçka pati nisur nga ngatërresa mes perendeshave Hera, Athina, Afërdita.
Mitologjia greke, përveç perëndi për luftën, kishte madje dhe perëndeshë për sherret, për ngatërresat, mosmarrveshjet e për grindjet. Kështu që Erisa (pra si perëndeshë e sherreve që ishte) ua dha 3 perëndeshave një “mollë të artë”, një mollë të sherrit – siç ia thuhet figurativisht. Vetë Zeus Kryezoti do i niste perëndeshat tek Parisi i Trojes për të “gjykuar” (duhej pikërisht tek Parisi, as Zeusi vetë dhe asnjë nga zotat s’ishin gjykues aq të zotët, duhej Parisi).
Në rregull, do gjykonte Parisi, sipas tij perendesha e Dashurisë dhe e Bukurisë, Afërdita na ishte “më e bukura”. Por vallë pse t’mos ia qëllonte Parisi! Si do lajthitej kush se perëndesha e Bukurisë na ishte më bukuroshja! Si do lejonte Afërdita vetë që ndokush tjetër t’na ishte më e bukur sesa ajo vetë! Edhe perëndeshë e Bukurisë, edhe shëmtaraqe – e pakuptimtë, alogjike dhe për vetë mitologjinë (detaj mbase i lidhur me “konceptet”).
Sidoqoftë, si dhuratë për gjykimin e “drejtë” të Parisit, perëndesha Afërdita do ta bënte Helenën e Spartes, gruan më të bukur të botës të dashurohej në Parisin. Paçka se e martuar, e sidomos dhe e palumtur, deshe-s’deshe s’ke si i shmangesh as vullnetit të perëndeshës së Dashurisë. Adërdita dinte madje dhe të “dënonte” me dashuri – e përdorte vetë dashurinë si dënim. Bëhej shkaktare e vuajtjeve, e dhimbjeve, e intrigave, vrasjeve. Psh. nëpërmjet Fidrasë (ose Fedrasë), Afërdita e pati “realizuar” hakmarrjen e vet ndaj Hipolitit.
Anise ky mit i lidhur me perëndeshën s’është ndonjë “pasqyrim” i lavdishëm i femrës (i veseve joracionale, ego-istike femërore). Edhe perëndeshë, edhe merret me manipulime, me hakmarrje e me dredhira, hm! Hipoliti nuk e pati “zbatuar” dëshirën e Afërditës që të dashurohej në të (dmth. në vetë perëndeshën). Paçka se e bukur sa vetë Bukuria, paçka se vetë perëndeshë e Dashurisë, të gjitha fijet e “dashurisë” i mbante në dorë, gjithë shigjetat e Amorit i përkuleshin vullnetit të saj. Ja që ndonjë zemër djaloshare ngelet kryeneçe, nuk gjunjëzohet.
Afërdita do fyhej që Hipoliti nuk ndjente për të, por vazhdonte si ndjekës i devotshëm dhe virgjëror i Artemisës. Si dënim Afërdita do e “bënte” Fidranë të dashurohej në Hipolitin. Edhe Fidra ishte e martuar (njësoj si Helena… spartanja e bukur e Homerit). E cila pastaj, duke qenë e refuzuar dhe e fyer, do t’shpifte për Hipolitin, do i shkruante burrit të vet Teseut se ky e kishte dhunuar madje. Dhe dmth. tutje “refuzimin” Hipoliti do ta paguante me jetën e vet.
Për të gjitha shkaktare Afërdita, ama aq i bënte, siduket argëtohej me dhimbjet e me tragjeditë që i shkaktonte, s’kishte probleme me “ndërgjegjen”. Siç besonin grekët e lashtë (dmth. siç e dinte dhe Homeri) hakmarrja sjell dhimbjen, vuajtjen e po ashtu dhe tragjedinë.
***
Për Homerin e mirëfilltë autorial s’dihet gjë (se na ishte ndonjë bard i “verbër” merret më shumë si detaj ekzotik-mitologjik). Mirëpo thuhet se letërsia greke zanafillën e ka nga “letërsia antike greke”, e cila “antikë” koinçidon me kohën kur supozohet se pati jetuar Homeri, dmth. reth fillim-shekullit VIII pes. E qartë se “zanafillë” grekofilike aq e rëndësishme. Në Iliadën bëhet fjalë për ngjarje rreth 4-5 shekuj më të vjetra se koha e Homerit. Gjithsesi, nuk anashkalohet fakti se aq “larg” në kohë as shek. VIII, por as shek. XII, a XIII nuk janë.
Sipas Homerit, bota e vdekatarëve s’njihte femër më të bukur se Helena, vetëm perëndeshat ia kalonin. Dmth. botë për të cilën fliste Homeri. Në një skaj tjetër të botës ndërtoheshin piramida, kishte perandori babilonase, akadiane, mesopotamike, egjiptase… asgjë, Homeri s’kishte dëgjuar. Nëse kujtohemi se piramidat më të hershme qenë ndërtuar nga egjiptasit rreth shek. XXVII pes. Pra pothuaj 15 shekuj para Trojës, dhe ose 20 shekuj përpara Homerit.
Ky i “verbër”, ama duke i ndjekur konceptet mitologjike krijohet përshtypja sikur xha Homerit i pëlqente “verbëria”, mjegulla e errësira. Ja pse dhe Helena e tij na del diç si “miss universe”, më e bukura e botës. Sepse ishte bota që Homerit i pëlqente ta “njihte”.
Sidoqoftë, perëndesha Afërdita s’i pati hëngër fjalët e veta, Helena qe dashuruar, pikërisht siç pati premtuar. Qe dashuruar dhe Parisi, dhe gruan e huaj do ta merrte për vete, do ikte me të në Trojë (ashtu ia bënte shpesh dhe vetë Zeusi, dmth. në emër të dashurisë – sepse mbase thjesht koncepte, e qartë se i njihte Homeri “konceptet” mitologjike).
Pastaj të tjerat dihen, “epikalizëm” i thurur, i lidhur, i vargëzuar. Thuase hyjnorët zbaviteshin lart mbi retë e Olimpit duke parë “filma Netflix” të tokësoreve. Sapo e thamë më lart edhe vetë Afërdita “zbavitej” me manipulimet e veta. Aty-këtu zotat intervenonin secili për favoritët e vet, sipas qejfit e pëlqimit. Psh. Akili do ta vriste Hektorin, ama kjo pati qenë e mundur me ndihmën e perëndeshës Athina. Fuqinë Akili e pati marrë nga “mrekullia” që ia pati dhënë ta pinte perëndesha Athina. Ngjashëm siç ia bënte dhe Asterix-i i Galisë, kur i duhej për t’i grushtosur centurionët romakë.
S’është nevoja për “Avengers” (të Hollivudit modern) pasi analogjitë janë të pashterrshme. Të gjithëve na janë të njohura pakashumë “aventurat” e trimave simpatikë të Galisë. S’ishte tani as Homeri as Platoni, kësaj radhe thjesht një seri vizatimore, thjesht epikografi “strip-ike” nga i famshmi Albert Uderzo. Ekzaktësisht njësoj siç janë dhe “vizatimorët” e Marvel si parafrymëzime të industrisë hollivudeske. Ekzaktësisht njësoj siç janë dhe ato të DC Comics, të Disney… apo të panumër studiove vizatimore.
Uderzo do i ndiqte aventurat e një katundi të Galisë, do fliste për rezistencën e tyre kundër pushtimit romak, për kacafytjet me centurionët e me ushtarët e Cesarit, dikur… në vitet 50 pes. Dy kryeheronjtë e tij quheshin Asterix dhe Obelix (fare lehtë mund të quheshin dhe Akilix e Hektorix). Ushtria romake dhe as Cesari s’do kishin shans. Me ndihmën e një lëngu magjik Asterix-i i grushtoste me legjione të tëra. Magjia ishte diç si lëng sekret, përgatitur nga magjistari i fshatit, i cili quhej Panoramix (nëse s’gabohem).
Jo vetëm kryetrimat Asterix dhe Obelix por kushdo që ta pinte, lëngu do i jepte fuqi mbinjerëzore. Aspak më ndryshe, njëjtë… pikërisht me lëngun magjik të Athinasë edhe Akili do e vriste Hektorin. Tekfundit kështu pati rrëfyer xha Homeri, disa gjëra i sqaronte aq hollësisht. Për disa gjëra “legjendare”, për disa mite do shkruante mjaft detajisht, e për disa tjera gjëra (herë-herë kyç) thjesht s’ka patur dëshirë t’i “detajonte”.
***
Marrëdhënia mes Akilit dhe Patrokliut është një paqartësi për të cilën e rrahin mendjen gjithë shkollarët. Ishin këta dy luftëtarë miq apo dashnorë? Vëllezër (psh. nga nënash të ndryshme), kushërinj, shokë lufte, apo thjesht homoseksualë të dashuruar? Gjuha e Homerit është e paqartë, varësisht nga shkollarët që janë marrë me përkthimin, mirëpo terma të ndryshëm të greqishtes mund të përkthehen në mënyra të shumta, duke ndryshuar kështu (sipas pëlqimit e shijes së shkollarëve) kuptimin e saktë.
Sigurisht që s’mund të hidhet në “gjyq” vetë Homeri, pse Homer i dashur na ke shkruar kaq paqartë. Thuase na ishte duke shkruar ndonjë libër të shenjtë, ndonjë libër “omnipotent” i cili s’ka asgjë të përcaktuar por lejon panumër interpretimesh. Do ishte padrejtësi e madhe ndaj Homerit. Nuk fajësohet Homeri, natyrisht, por e qartë që gjuha e “Iliades” mund të interpretohet në shumë mënyra, sipas “kuptimit” në kokën e secilit lexues.
Për mua polemikat, debatet, studimet e kontradiktat e panumër shkollarëve sot nuk janë mjaftueshëm bindëse. Sipas meje, cilidokush si lexues do t’mund t’i shtronte pyetje të thjeshta Homerit, të “dialogonte” me logjikën e gjuhës iliadeske. Jo të niset lexuesi nga “gjykimet”, por thjesht t’i bënte pyetje të thjeshta Homerit.
Në rregull i dashur Homer, historia ka mjaft shembuj kur luftrat nisen për shkak të një femre, e gjithë Greqia qe trazuar për ta mbrojtur nderin. Ama kur një luftëtar i vetëm, kur vetë kryetrimi e braktis luftën, vallë si nuk u gjet pastaj një Helena për ta “bindur” që t’i kthehej luftës dhe mbrojtjes së nderit, pse duhej një mashkull?
Nëse një femër e vetme do t’ishte e mjaftueshme për ta bindur gjithë Greqinë të nisej me “1001” anije përtej detit dhe ta shfaroste Trojen, vallë pse s’u gjet një “Helena” tjetër pastaj që ta bindte një Akil të vetëm?! Nëse Akili s’ishte “pederast” siç insistonte Platoni dhe të tjerë “kronistë”, pse duhej një mashkull i dashur Homer, pse një Patroklius? Pse Platoni do thoshte diç ashtu, do ishte nonsens i madh për një Platon, do ishte paragjykimi më i madh platonik.
Homeri e kthen Akilin në luftë me “ndihmën” e Patrokliut, ama refuzon t’na e sqarojë “afërsinë”, marrëdhënien e saktë mes tyre. Homeri refuzon që t’i përshkruante si “homoseksualë”, askund s’e përmend një mundësi të tillë.
Mbase Homeri s’e kishte idenë që sot do t’kemi fusha mjaft interesante si vegla studimore, bie fjala semantiken gjuhësore, duke përfshirë gjithë nëndegët e saj, si psh. semantikën formale (aspektet logjike të kuptimit, të tilla si domethënia, referenca, implikimi, forma logjike etj.), semantikën leksikore (kuptimet e fjalëve, ndërveprimin e ndërlidhjen e tyre me fjalë të tjera), semantikën konceptuale (strukturën kognitive të kuptimësisë) etj. etj.
***
Në komentin tim, lufta e Trojes dhe “homeriada” në përgjithësi (duke qenë tepër e mbështjellur me mjegullën mitologjike) ndoshta s’mund të “komentohen” ndryshe përveç se me ironizime të thjeshta, qëkur fjala dmth. është për mitologji.
Sipas Homerit, ra një femër e bukur dhe do t’shembej e shfarosej një mbretëri e tërë, në rregull. Natyrisht, të gjitha janë të mundura. Burrat e gjithë Greqisë do t’udhëtonin drejt të panjohurës, aq larg për një femër dhe për nderin mbretëror. Homeri ia “mvesh” gjithë Greqisë “motivin” e një Helene të vetme (apo mos vallë motivin “helenistik” – do pyeste lexuesi i thjeshtë)! Mos vallë për Helenen bukuroshe gjithçka ishte në emër të “dashurisë”, Greqia do trazohej në emër të krenarisë dhe të “mbrojtjes” së nderit, apo gjithçka ishte vetëm si pretekst?
S’ka ardhur “gjithçka” vetëm nga Homeri, ama gjërat që i dimë rreth epikave të “Trojes” në dukje, ndoshta më së bukuri na i pati rrëfyer ai. Lufta kishte një dekadë tashmë që vazhdonte, pikërisht në vitin e fundit Akili do t’fyhej keq nga kryekomandanti, Agamemnoni. Shkaku, Briseja e bukur, robina “e dashur” e luftës së Akilit, tani për inat Akili s’donte të luftonte. Si mund të frymëzohesh për luftë (pas një dekade veç duke luftuar) nëse komandanti merret me të tilla padrejtësi. Mbase Akili s’kishte aspak faj, si “koncept” arsyetohet plotësisht hidhërimi i tij. Tekefundit kështu na e paraqet Homeri.
Do t’refuzonin të luftonin dhe burrat të cilëve u printe Akili (mirmidonët). Pra Akili qe “hidhëruar” fort me Agamemnonin (ky ishte diç si “mareshal” për gjithë ushtrinë greke). Anise 10 vite luftë (veç ishin bërë), sakrifica e mundime të medha, tani Akilit i pëlqente të fishkëllente me sytë kah qielli. Tashmë vërtitej poshtë e lart plazhit kot, i pëlqente të merrej me hiçgjë, më mirë të piqte shtalba sesa të merrte pjesë në betejat! Njëjtë dhe burrat pas tij, dmth. duke “protestuar” dhe mirmidonët.
Meqë Akili s’donte të luftonte, atëherë sipas Homerit dikush duhej, pena e tij do ta zgjidhte Patrokliun. Ky pothuaj i papërgatitur, pas 10 vitesh që lufta vazhdonte. Do t’nisej nga Greqia e përtejdetit në luftë, por thuase as pancir as helmetë me vete, do t’i huazonte nga Akili. Ose i kishte, por ja që ishin ndryshkur e vjetëruar nga mospërdorimi.
Nëse pati luftuar me shpatë, me shtizë a me topuz, se cila na ishte arma që e zotëronte më së miri Patrokliu, këtë detaj s’e dimë. Meqë Akili e kishte vullnetin përtokë, s’i duheshin tutje helmetat. Patrokliu thuase qëronte patate në kuzhinën e armades greke, s’dinte gjë për të asnjëra nga perëndeshat. Aq i “afërt” me Akilin, ama ja që perëndesha Athina s’do i ndihmonte me lëngun magjik!
Në rregull, Hektori s’do ta njihte Patrokliun nën armorin e Akilit. Patrokliu donte të shtirej një Akil zemërluan, thuase dhe pas 10 vitesh të çelikosjes me luftën kishte ngelur ende një djaloshar naiv, i njëjti Patroklius kur qe nisur! Do zhvillohej një betejë, nën udhëheqjen e Patrokliut beteja qe fituar nga grekët. Për fat të keq ai vetë megjithatë qe vrarë nga Hektori, anise ky i fundit do t’pandehte se kishte vrarë Akilin.
***
“Burimet e lashta nuk raportojnë, megjithatë, për atë çfarë shkollarët modernë kanë pohuar: se Aleksandri i Madh dhe miku i tij i ngushtë Hefastioni ishin dashnorë. Akili dhe miku i tij po aq i ngushtë Patrokliu ishin modeli legjendar për këtë miqësi, por Homeri në “Iliadën” kurrë nuk pati sugjeruar që këta të kenë patur marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin. (Ky pohim ka ardhur nga autorët e mëvonshëm.) Nëse Aleksandri dhe Hefastioni të kishin marrëdhënie seksuale, do t’ishte shkelje e shumicës së standardeve greke…” – [ Th. R Martin – “Alexander the Great: the story of an ancient life”, Cambridge Univ. Press, 2012 ]
Vallë për cilat “standarde greke” e ka fjalën autori Martin? Kur dihet që Aleksandër-Madhi me Hefastionin e patën vizituar madje dhe varrin e Akilit, ndoshta për ta “përkujtuar” lavdinë e tij të vajtimit si një i shkallmuar shpirtërisht e mendërisht mbi trupin e pajetë të Patrokliut. Vallë Aleksandri nuk e dinte që burrat e heronjtë aq të mëdhenj, gjysmë-hyjnorë siç ishte Akili, nuk qajnë ashtu?!
“Mund të thuhet me siguri që në tekstin e Iliades nuk ka dëshmi se Akili dhe Patrokliu ishin dashnorë…” – Robin Fox [ “The Tribal Imagination: Civilization and the Savage Mind”, Harvard Univ. Press, 2011 ]
E saktë, Homeri askund s’e ka thënë, sepse s’donte ta thoshte. Mund të shtrohet pyetja vallë pse s’donte ta thoshte Homeri, pse donte ta fshehte një detaj për kryeheroin grek? Sikur që mund të pyesim pse pra donte ta thoshte Platoni, pse ky donte ta shpaloste? Platoni mirë e dinte nga ku vinin “vargjet” homerike, e njihte mirë frymëzimin homerik.
U deshën me shekuj të “studimit intensiv të kulturës, fesë, letërsisë, gjuhës dhe artit të lashtë grek, për ta kuptuar studiuesit se mendësia e dikurshme greke funksiononte ndryshe nga mendësia e sotme. Andaj nuk mund të kuptohej saktë, as të imagjinohej saktë, as të interpretohej saktë diç e asaj kohe. Një nga shembujt e keqkuptuar të asaj kohe është pederastia” – mendon autori R. Stone.
“Në Greqinë e atëhershme – vazhdon ai, pederastia ishte një marrëdhënie mes një burri më të vjetër dhe një të riu. Kjo marrëdhënie zakonisht zgjaste shumë vite, por nuk konsiderohej domosdoshmërisht marrëdhënie të “dashuruarish” në kuptimin modern të fjalës. Burri më i moshuar (i quajtur “erastes”, dashnor), do t’merrte një djaloshar (të quajtur “eromenos”, i dashur) dhe do t’ia mësonte këtij djaloshi mënyrat e luftës, të politikës e edhe të seksit. Anise këta kishin marrëdhënie intime me njëri-tjetrin, kjo konsiderohej më tepër si një marrëdhënie edukative. Ata do t’praktikonin gjithçka që burrat duhej t’mësonin, e po ashtu do t’i diskutonin mënyrat e kënaqësive seksuale. Athinasit besonin se kjo lloj marrëdhënieje – të mësuarit e çdo aspekti të “vetes” nga një tjetër athinas, burrë i ditur e me përvojë – do t’krijonte, në thelb, një “kallëp” burrash të përsosur. Ishte diç e ngjashme marrëdhënia mes Akilit dhe Patrokliut? – pyet R. Stone, dhe përgjigjet: “Është e mundur. Është krejtësisht e mundur që Akili filloi si mësues i Patrokliut, e më pas u bë i dashuri i tij” – shkruan R. Stone.
“Që nga shek. V pes., natyra e marrëdhënies mes Akilit dhe Patrokliut, siç qe paraqitur nga Homeri në “Iliadën”, ishte çështje polemikash në mesin e studiuesve. Ishte marrëdhënia mes Akilit dhe Patrokliut pederastike, apo ishte thjesht miqësi, apo ndoshta shoqëri ushtarake? Në asnjë vend Homeri nuk e sqaron natyrën e marrëdhënies mes tyre. Për shkak të kësaj paqartësie, marrëdhënia mes dy heronjve ka qenë çështje e polemikave jo vetëm ndër autorët e lashtë, por dhe ndër studiuesit e sotëm. Kjo pasiguri solli polemika kontradiktore, por pikëpamja se ata ishin dashnorë ka mbizotëruar.
Në tragjedinë “Mirmidonët” Askilusi e paraqet Akilin si dashnor, duke folur me të dashurin, Patrokliun e vdekur.
Platoni nga ana e tij e vë në gojën e Fedrusit mendimin se Akili dhe Patrokliu ishin të dashuruar, megjithëse Fedrusi (ose Platoni – shën. im, sg), duke e kundërshtuar qëllimisht Askilusin, specifikon se Akili, që ishte më i ri sesa Patrokliu, ishte i dashuri rinor (eromenos – shën. im, sg).
Askinisi, në fjalimin e tij “Kundër Timarkusit”, e paraqet marrëdhënien mes Akilit dhe Patrokliut si një marrëdhënie fisnike, të ngrohtë, në kontrast me prostitucionin, për çfarë ai e akuzon Timarkusin. Në mbështetje të tezës së tij, Askinisi bazohet në shembullin Homerik, duke i dhënë tekstit një kuptim pederastik të miqësisë midis dy heronjve, për çfarë ai e citon gjerësisht tekstin e Iliadës.
Aluzionet e mëvonshme, Teokritusi, Martiali, Melagri dhe Lukiani pajtohen që ta paraqesin marrëdhënien mes dy heronjve si homoseksuale. Pjesa e vetme e provës për pikëpamjen e kundërt është ajo nga Ksenofoni, i cili e vë në gojën e Sokratit mendimin se miqësia mes Akilit dhe Patrokliut nuk ishte erotike në karakterin e vet.” – M S Morales & G L Mariscal – “The Relationship between Achilles and Patroclus According to Chariton of Aphrodisias” – The Classical Quarterly, 53(1), 2003
***