Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Vladimir Llakaj, një artist, një shok

 

Vladimirin, për shokët Ladin, e njoha në Firenze rreth vitit1996 nëse nuk gaboj. Ishin kohë të vështira emigracioni, kur ne, një grup shokësh shqiptarë, e mbushnim kohën duke punuar dhe duke u shoqëruar me njëri-tjetrin tek sheshi më i madh i qytetit me emrin: “Piazza Duomo”. Por nuk ishte vetëm kjo arsyja kryesore përse ne rrinim të gjithë bashkë. Arsyja kryesore e grupit tonë pse rrinim të gjithë bashkë ishte sidomos fakti që të gjithë ne djemtë e rinj që aspironim të bëheshim artistë, vinim nga licetë e artit apo Instituti i Lartë e Arteve, në Tiranë. Era e fortë e ndryshimeve në vitet 90, na fshiu nga toka mëmë dhe na degdisi gjithkund nëpër botë. Ne u rigjetëm fare rastësisht në Firenze.

Shumica nuk e njihte njëri tjetrin. Ndaj, na lidhi aty nevoja për punë, por aty, jo vetëm që u miqësuam shpejt e shpejt, por ftuam edhe miqtë dhe shokët tanë që i njihnim më parë, të na ndiqnin. Dhe ajo që e mbante gjallë grupin tonë ku bënte pjesë edhe Vladimiri ishte solidariteti, aspiratat tona për t’u bërë artistë dhe respekti që kishim për njëri tjetrin. Vladimiri, ishte një nga djemtë më të pjekur dhe të hedhur të grupit. Aq i sigurtë, i guximshëm dhe i kujdesshëm me shokët e tij, sa grupi, vërtetë nuk kuptohej pa të. Vladimiri dinte fare mirë se ç donte të bënte me jetën e tij, dhe kishte arritur në konkluzjone, të cilat ne akoma I kishim të paqarta. Natyrisht mbi ç’kërkonim të bënim në jetë. Darkave, atyre darkave kur mblidheshim për të ngrënë një Picë, të gjithë bashkë, dhe ku unë mungoja shpesh; -studimet universitare më merrnin shumë kohë-, gjendej gjithmonë mes grupit edhe Ladi, një nga djemtë më me zemër dhe karizmatik të grupit.

Kur e njoha, e kujtoj si tani, ishte i heshtur, i zymtë dhe rrudhte vetullat me një egërsi gati prej luftëtari. Jeta kishte plot probleme asaj kohe. Probleme që ne, fare të rinj dhe pa eksperiencë duhej ti zgjidhnim. Firence, ishte një nga qytet më të bukur në botë, por edhe nga më të shtrenjtët dhe indiferentët gjithashtu. Ladi, në pamje të parë dukej i zymtë, por kur flisje pastaj me të. Kur diskutoje, kur pije kafe dhe njiheshe, e kuptoje shpejt, se brenda tij fshihej një shpirt i madh. Një shpirt shumë i ndjeshëm artisti. Ladi kishte një zëmërgjërësi për të ndihmuar të tjerët, një pregatitje artistike fare të veçantë.

Ladi vinte nga Bolonja ku kishte mbrojtur diplomën për Akademi me një studim mbi veprën e Xhakometit dhe në qytetin e Firences, ku sapo ishte transferuar, – flas për vitet 1998 -2000, kishte edhe shumë probleme, për të zgjidhur. Vitet rinore në Firence, ishin vite të vështira, plot sakrifica por edhe gazmore dhe të mbushura me gjallëri. I gjithë grupi ynë, po përballej si me mentalitetin e vendalinjve, i cili na paragjykonte, por edhe me përpjekjet tona titanike, për të siguruar jetesën, me artin tonë. Ladin e kujtoj gjithmonë me një nostalgji të veçantë. Energjik dhe i heshtur, reflektues dhe i matur, Ladi kur kishim nevojë, ai na gjendej gjithmonë përkrah. Djali i mençur rreth të cilit përherë mbidheshin djem të tjerë dhe diskutonim për problemet tona të emigracionit.

Problemet tona nuk kishin fund. Nuk na jepnin shtëpi sepse ishim shqiptarë. Nuk na krijonin asnjë mundësi ekspozitash dhe na shihnin nga lart poshë. Pika jonë e takimit ishte veç Piazza. Ladi në atë kohë jetonte në një shtëpi po në qytet, bashkë me djemë të tjerë, kushërinj të tij. Ishte një shtëpi e vjetër, si gjithçka në Firence. Si e sajuar, dhomë mbas dhome, ku njëra nga dritaret shihte mbi çatinë e shtëpisë ngjitur dhe nga ku futeshin pa pushim disa mace bredharake të lagjes aty poshtë. Shpesh Ladi na ftonte për kafe dhe më kujtohet, na tregonte punët e Akademisë. Të cilën e kishte filluar në Aquila dhe kryer në Bolonjë.

Ishin vizatime energjike, plot dell. Vizatime që ndiqnin formën, tamam vizatime monumentale prej skulptori. Kujtoj se e vuante shumë atë gjendje tranzicjoni, ku ai, si gjithë ne, dëshironte të bënte krijimtari të mirfilltë artistike, por atyre viteve kjo ishte e pamundur. Dihet, skulptura është një zonjë e rëndë që cila ka nevojë për kushte. Nuk është si piktura të cilën mund ta bëje në çdo ambjent të improvizuar. Qoftë edhe në rrugë.

Darkave dilnim për qejf. Shpesh ngjiteshim mbi makinën e Ladit, dhe ia mbathnim në plazh. Apo darkave, gazmorë dhe problematikë, bënim shëtitje rrugëve të qytetit, ku bisedat, debatet, diskutimet për artin e “madh” na zhurmonin në kokë si zukamë bletësh. Aso kohe, e bënim artin më shumë me llafe se sa me vepra.

Mbas gati dhjetë vjetësh, ishte viti dymijë, Vladimirit, iu mbush mëndja të kthehej fare. “Nuk kam ç bëj këtu”, thoshte. “Nuk e duroj dot këtë vogëlsinë e këtyre. Më ngre nervat ky meskiniteti mizerabël i njerëzve në këtë vend”.

Ndaj, lodhur edhe nga problemet burrokratike, iu mbush mëndja dhe u kthye. Në atdhe, rreth viteve 2000, dukej sikur gjërat po merrnin për mirë. Më pas e kam takuar disa here në Tiranë ku rrinim gjatë duke biseduar mbi artin, duke kujtuar kohët e Firences, duke shkëmbyer ide dhe duke tokur gotat me verë. “E shikon”, i thoja. “Mirë bëre që u ktheve në atdhe. U bëre më i dobishëm këtu”!

Ndërkohë, ndiqja me kujdes dhe ecurinë e krijimtarisë së tij artistike. Bustet dhe skulpturat që ai i modelonte vit mbas viti, gjithnjë e më shumë shprehnin edhe anën më të thellë, më intime të shpirtit të tij krijues. Një ecuri e gjatë ndër dhjetvjeçarë. Një kërkesë artistike që nuk ka rreshtur kurrë. Në fakt, artisti, edhe pse nuk krijon përditë, ofiçina e tij krijuese, truri prodhimtar, është gjithmonë në punë. Ai elaboron, zgjedh, krijon ide, i shtyn ato tutje, i rimerr. Pret që të kuptojë nëse ideja ja vlen apo jo të marri formën e skulpturës.

Oficina intime e artistit, nuk mbyllet kurrë. Edhe gjatë gjumit, ajo rri hapur, në formë ëndërrash absurde, duke ofruar, që prej subkonshit, varjante të ndryshme, forma shprehje, tema sociale a intime, të cilat mund dhe duhet të jenë vlera universale. Dihet tashmë. Veç vlerat e vërteta njerëzore, të shprehura me gjuhën e formave në skulpturë, mund t’i rrezistojnë kohës. Këtë artisti skulptor Vladimir Llakaj e ka kuptuar fare mirë. Janë, pikërisht këto vlera universale, vlera të thella ku mbështetet çdo shoqëri, që Vladimiri ka hulumtuar, ka shprehur, na ka dhënë me skulpturat e tij, edhe tek ekspozita personale hapur në mars të këtij viti me titull: “My Loved Ones”. Aty hulumtohen vlerat e familjes. Familja pra, me universin e saj të shëndetshëm, të bukur, të përhershëm, na del këtu, si strumbullari dhe përçuesi i mirësisë, i civilizimit, i edukatës dhe i harmonisë në mbarë shoqërinë tonë.

Kjo ekspozitë personale ishte një arritje e madhe personale për artistin Vladimir Llakaj. I cili, jo vetëm që nuk i braktisi kurrë ëndërrat e tij rinore, por i shtoi ato, i kultivoi dhe i realizoj në jetë.

Tek shihja me Vladimirin punët e tij, kisha një ndjesi të dyfishtë. Nga njëra anë kisha emocionin e mirë dhe kënaqësinë e thellë që e shihja si artist të realizuar, por nga ana tjetër, duke kujtuar kohërat rinore dhe të vështira në Firenze isha i lumtur që e shihja në këtë pikë të jetës së tij.

Është e vërtetë që njeriu nuk i realizon të gjitha ëndërrat, dëshirat dhe aspiratat e tij në jetë, por edhe sikur të realizonte gjysmat e tyre, prap duhej të ishte i lumtur. Ndaj duke menduar nga ku dhe si e kishte filluar Vladimiri karrierën e tij si artist, kjo ishte simbas mendimit tim, një arritje shumë e madhe në jetën e tij krijuese. Më pëlqyen të gjitha punët që ai kishte prezantuar në ekspozitën e tij personale. Nga të cilat spikasnin bustet e fëmijëve dhe portreti në vaj i bashkëshortes së tij. Një ekspozitë intime, e ndjerë, e mbushur përplot me dashuri për familjen. Një ekspozitë e menduar dhe realizuar, gjatë kohës së pandemisë. Punë si “Busti i vajzës” i tonuar në dy ngjyra, është një kryevepër e mrekullueshme në minjaturë të artistit mik, me origjinë nga Fieri. Natyrshmëria e pozës, plasticiteti i formave, dashuria me të cilën autori ka modeluar figurën, flet qartë se sa e rëndësishme është për Vladimirin gjithashtu pulsioni familjar.

Duke u marrë me tema kaq intime dhe njerëzore, tema që na prekin nga fare afër, artisti don të evidencojë edhe një herë me mjetet e tij artistike se: dashuria themeltare dhe e përjetëshme e njeriut, mbetet përherë: gjiri i familjes. “Familja, shprehet artisti, është edhe bërthama kryesore e shoqërisë”. Aty, tek zjarri bubulak familjar, fshihen, në të padukshmen, të gjithë engjëjt e mirësisë njerëzore. Aty, tek perkujdesja për foshnjën, tek mirkuptimi me partneren, tek respekti reciprok, gjendet edhe sekreti më i madh; origjina e çdo suksesi.

Delikatesë, përkushtim, ëmbëlsi dhe intimitet, janë edhe simbas mendimit tim, fjalët çelsa me të cilat duhej lexuar edhe ekspozita e tij e fundit. Ndjesia e vizitatorit, është një ndjesi e mbushur me ngrohtësinë familjare, të një njeriu, të një babai, të një bashkëshorti, të një artisti të pjekur, i cili tashmë duhet të ndihet i realizuar në jetë si familjar edhe si artist. I uroj Vladimiri Llakajt suksese të mëtejshme.

 

Firenze, 30. 9. 2022.

Please follow and like us: