Albspirit

Media/News/Publishing

GJENERAL ET’HEM GJINUSHI, EMËR I SHQUAR I USHTRISË SHQIPTARE

(Në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes të gjeneralit të Ushtrisë shqiptare Et’hem Zenel Gjinushi, ish-partizan, ushtarak i mendimit të thellë gjeneralist, ish-deputet i Parlamentit shqiptar dhe kuadër i mendimit të spikatur gjeneralist, kontribues me vlerë në ngritjen e Ushtrisë Popullore shqiptare, nderi i Bashkisë së Tepelenës (pas vdekjes), labit intelektual me profil të klasit të lartë që la gjurmë të thella mirësie dhe mençurie).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Rrugëtimi jetësor i Et’hem Gjinushit është rruga e një atdhetari dhe patrioti të ndershëm që zemra e tij pulsoi me zemrën e kombit. Kontribuesit e ngritjes së Ushtrisë Popullore janë të shumtë, por një ndër bijtë e denjë të Tepelenës që rrezatoi mençuri dhe që punoi denjësisht në ushtrinë e re e sapongritur të palçlirimit ishte biri i Hormovës historike Et’hem Gjinushi. Ju besuan detyra nga më të përgjegjshmet dhe më delikate pas çlirimit të vendit. Pas çlirimit për një javë në dhjetor 1944, Br 24 S së bashku me Br 27S të Shkodrës, marshoi drejt Ulqinit dhe Tivarit dhe më tej veproi në Shkodër, Malësi të Madhe, Kukës e Shijak, ku u shpërnda në maj 1945. Megjithatë Et’hem Gjinushit si kuadër politik i formacioneve partizane nga më të voglat deri në formacionet më të mëdha i takoi që të shërbente në qytetin dhe rrethinat e Kukësit. Et’hem Gjinushit i takoi të kryente detyra fillimisht në veri të vendit dhe pikërisht në Kukës në organet e pushtetit të ri popullor nacionalçlirimtar të sapodalë nga lufta. Ai eci me kujdes në shtigjet plot të papritura të ringritjes ushtarake por edhe të ringritjes së shtetit. Në ato situata dhe shpesh me tensione dhe “punës si në rrethim”, për të çarë bllokadën, në një situatë kur mbrojtja ishte detyrë mbi detyrat si dhe kontrolli puntor-fshatar-ushtar, ndonjëherë bëhej edhe rrezik për figura të mëdha edhe pjesëmarrëse në luftë, kujdesi dhe vëmëndja, mençuria e përparimit në gradë, në mbajtjen me dinjitet të punës ishte e vështirë. Qëndrimi i drejtë dhe konseguent me ndershmëri dhe pastërti në punë bëri që si elitë e lartë ushtarake ti shpëtonte “fshesës së hekurt” që fshiu dhe dënoi mbi 400 ushtarakë madhorë dhe jo vetëm, me akuza të ndryshme. Ruajtja e ekulibrave dhe qëndrueshmëria ishte mjaft delikate kur po dënohej gjithë elita drejtuese e Ushtrisë. Dhe kjo është një meritë për të mbijetuar edhe përtej padrejtësive dhe skutave ku përgatitej goditja e madhe ndaj ushtarakëve më elitarë të ushtrisë. Por nuhatja dhe veprimi i mençur i Gjeneral Et’hem Gjinushit bëri që të shërbente vitet e fundit të karrierës ushtarake në  vitet 1975-1978 në detyrën e Shefit të Sektorit Ushtarak në Ministrinë e Ndërtimit.

Shqipëria dhe ushtria shqiptare e pasluftës

Shqipëria mundi që gjatë LIIB të ngrinte një Ushtri partizane Antifashiste Vullnetare Nacionalçlirimtare me 24 Brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata afërsisht me 45 000 luftëtarë dhe konsiderohet më e suksesshmja e ushtrive të pas 1912-s. Shqipëria ishte ndër më të goditurat nga pasojat e pushtimit, sikurse eshte pasojat e Luftës së Dytë Botërore ishin fatale për njerëzimin, ku rreth 62 milion njerëz humbën jetën, ekuivalentja me 2.5% e popullsisë së gjithë planetit. Në nëntor 1944 bashkë me forcat territoriale ajo arriti deri 70 000 vetë, një shifër përfaqësonte 7 % të popullsisë së vendit, ku edhe kuadri drejtues doli nga zjarri i luftës partizane. Por nevoja e riorganizimit lindi menjëherë pas çlirimit të vendit. Procesi i reduktimit dhe riorganizimit ushtarak zgjati shtatë muaj dhe përfundoi më 9 korrik 1945, kur u emërtua mha UNÇSH në “Ushtria Kombëtare” me 40000 vetë ndërsa në dhjetor të atij viti në 35000; më 1948 numëri zbriti në 27 000 ushtarakë aktivë, tashmë si ushtri e kohës së paqes.[1] Në kohën e krijimit të Ushtrisë Kombëtare shqiptare në korrik 1945, Et’hem Gjinushi vijonte të shërbente në Kukës. Shërbimi në ushtri në ato kohë ishte më shumë se mision  dhe një detyrë e rëndësishme që besimi dhe forca e entusjazmi i ringritjes së shtetit ishte në shkallën më të lartë në pikëpamje të mobilizimit mbarëpopullor. Duhet thënë se strukturat drejtuese në vitet 1945 deri më 1948 kishin edhe “këshilltarët” jugosllavë që “udhëzonin” për ngriten dhe stërvitjen e formacioneve ushtarake shqiptare. Viti 1959 është viti kur nga të gjitha strukturat politike u përzgjodhën disa ushtarakë nga më të mençurit e kohës dhe që ishin premtues për të kryer studimet në një ndër akademitë më prestigjioze politike të kohës sikurse ishte Akademia politike “Lenin”. Ishte koha kur “dashuria” shqiptare-sovjetike u rrit së tepërmi dhe bijtë e shqipërisë u arsimuan në shkollat më prestigjioze të ish Bashkimit Sovjetik, meqënëse në atë kohë bënim pjesë në një kamp të përbashkët më “Traktatin e Varshavës”, që u themelua më 14.5.1955 në Varshavë nga 8 shtetet europiane: Shqipëri, Hungari, RD Gjermane, Poloni, Çekosllovaki, Rumani, Bullgari dhe Bashkimi Sovjetik. (aktualisht tetë shtete në NATO). Ushtria shqiptare u rrit bashkë me kuadrot e saj drejtuese, të cilët duhet thënë se nga viti 1948 deri më 1961 studjuan masivisht në shkollat ushtarake sovjektike. Kjo bëri që ushtria të pajisej me armatim e tiknikë sovjetike: krijoi aviacionin më 1951 dhe më tej armën e Kimisë, shërbimin e Komunikimit, Zbulimin, FD, tanket, artilerinë, transportin ushtarak, logjistikën dhe disa shërbime të tjera që u riorganizuan plotësisht edhe si rezultat që Shqipëria ishte anëtare e Traktatit te Varshavës nga viti 1955 deri 1961, ndërkohë që më 1968 Shqipëria e denoncoi këtë traktat kur tanket ruse shkelën Pragën. Kthimi nga studimet si dhe emërimi në detyra të larta e Ethem Gjinushin bëri që ushtria shqiptare të kishte një kuadër të denjë për detyra nga më të lartat në dispozicion, për aftësi politike dhe ushtarake, për kurajo dhe ndershmëri e profesionalizëm në punë. Detyrat e kryera në vitet 1954-1956 shef në Drejtorinë Politike; 1956-1962 Shef i Drejtorisë së Kuadrit në MM; 1962- 1966 zvëndëskomandant për punën politike të Komandën e Flotës luftarake detare; 1966-1967 Komisar i Komandës së Njësive rezervë të ushtrisë; 1967-1972 komisar i Akademisë së Mbrojtjes (Akademia e Shtabit të Përgjithshëm “Mehmet Shehu”; 1972-1975 Inspektor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes; 1975-1978 Shef i Sektorit Ushtarak në Ministrinë e Ndërtimit; flasin shumë dhe qartë për një kuadër të përgatitur dhe që ka ditur të eci drejt në rrugën e profesionalizmit dhe shërbimit dinjitoz në strukturat ku kishte nevojë Ushtria Popullore. Ai shërbeu bashkë me shokë të tjerë plot përkushtim si me ushtarakë që shkruan histori suksesi sikurse kanë qenë: Spiro Moisiu, Mehmet Shehu, Petrit Dume, Beqir Balluku, Hito Çako, Dilaver Poçi, Arif Hasko, Halim Ramohito, Shefqet e Rustem Peçi, Rrahman Parllaku, Abdi Mati, Thoma Xhixho, Qazim Kapisyzi, Vehbi Hoxha, Vaskë Gjino, Abaz Fejzo, Sami Meçollari, Veli Llakaj, Muhamet Prodani, Gjin Marku, Bako Dervishi, Spiro Shalësi, Dali Ndreu, Zija Kambo, Todi Naço, Tahir Kadare, Hulusi Spahiu, Nexhip Vinçani, Teme Sejko, Halim Xhelo, Ibrahim Dervishi, Sulo Kozeli, Baki Starja, Sotir Filto, Muharrem Kokomani, Nuri Arapi etj. Et’hem Gjinushi edhe pse me gradën gjeneralmajor ishte njerëzor dhe komunikues me eprorët dhe vartësit, prandaj edhe nderohej dhe respektohej. Ai e priti me qetësi heqjen e gradave ushtarake  madhore më 1.5.1966, vit që përkon edhe me bërjen e ushtrisë më pak të kushtueshme dhe të lidhur me popullin për mos lejimin e krijimit të Kastës Ushtarake. Kështu bindja ndaj urdhërit ishte një veti e tillë sepse sikurse thoshte Napolon Bonoparti, “kush nuk di të bindet në ushtri nuk di të komandojë” u realizua nxjerrja e ushtrisë nga kazermat, heqja e sistemit të gradave dhe shpërndarja në çdo pjesë të territorit të Shqipërisë.

Komisari politik u vendos për të përfaqësuar vijën e partisë në komandat e të gjitha niveleve të Forcave të Armatosura dhe kështu edhe tashmë me spaleta të hequra Et’hem Gjinushi shërbeu me maturi dhe qetësi në katër detyra të rëndësishme nga viti 1966 deri në vitin 1978, si Komisar i Komandës së Njësive rezervë të ushtrisë; komisar i Akademisë së Mbrojtjes (Akademia e Shtabit të Përgjithshëm); Inspektor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shef i Sektorit Ushtarak në Ministrinë e Ndërtimit, periudhë që ndiqte me përparësi edhe çështjen shumë delikate që lidhej me fortifikimin e vendit, sepse çdo ndërmarrje ndërtimi dhe jo vetëm, kooperativë dhe ndërmarrje buqësore në Shqipëri kishte plan të posaçëm për fortifikimin.[2] Duke u marrë me fortifikimin në një sektor që Ministria e Ndërtimit, kishte jo pak përgjegjësi Et’hem Gjinushit ju desh të merrej me zbatueshmërinë e vendimit të Këshillit të Mbrojtjes nr.13, datë 4 Dhjetor 1974, në të cilin ishte parashikuar të ndërtoheshin gjithsej 201.175 QZP.[3] Et’hem Gjinushi shkëlqeu edhe në drejtim të organizimit dhe të drejtimit të punëve në të gjithë sektorët ku punoi veçanërisht në formatin politik, edhe atherë kur Ushtria Popullore e gjendur me dhe pa aleatë edhe athere kur numërikisht shkoi në përmasa deri në të papërballueshme nga shtetiti në mbi 61000 forca aktive, 260000 rezerviste dhe një numër i madh i Forcave Vullnetare. Ato u riorganizuan disa herë në njësi të përmasave dhe formave por dhe joeficente. Në fund të jetës së tij ndryshimet strukturore që po përgatiteshin për të shkuar në 22 divizione me 3 fronte, bazuar në konceptin e mbrojtjes pëllëmbë për pëllëmbë dhe që ushtria ishte shpërndarë në 2200 pika hapjese një dalje masive jashtë kazermave  bënë që ekonomia e shtetit të harxhonte shumë energji për ushtrinë joeviçente dhe jo efikase, duke bërë edhe gabime në ristrukturime e riorganizime masive. Por stërvitja dhe gatishmëria edhe në ato kushte mbahej si të thuash me shpirt nëpër dhëmbë. E migjithatë ajo plejadë e madhe dhe ajo makineri e madhe ushtarake në periudhën gjysëmshekullore të veprimit e kreu misionin e saj duke mos lejuar që të preket toka shqiptare në hapësirën administrative të saj dhe kontribues në këtë pikë padyshim ishte edhe një ndër bijtë më të mirë të Tepelenës gjenerali i shquar Et’hem Gjinushi. Idealet për ruajtjen e truallit arbëror sot janë ridimensionuar sepse Shqipëria është në një bllok tjetër e më jetëgjati i sigurisë ndërkombëtare në NATO dhe synon anëtarësim në BE, nga ana tjetër në këto tre dekadat e fundit është realizuar rritja e shkallës së ndërveprueshmërisë me partnerë strategjikë ndërkombëtarë. Brezi i gjeneral Et’hem Gjinushi e deshi me shpirt Shqipërinë dhe punoi me mish e shpirt për prosperitetin e saj. Kohët ndryshuan. Brezat ja përcjellin njeri tjetrit dhe për kontributin që Et’hem Gjinushi dhe që gjatë luftës, por dhe për periudhën e ngritjes dhe forcimit të ushtrisë shqiptare nderohet dhe respektohet për vlerat dhe meritat si dhe për shërbimin plot dinjitet dhe krenari në formacionet ushtarake në sektorët që e ka kërkuar detyra. Prandaj edhe nderimi dhe respektimi është plotësisht i ligjshëm. Kështu do të kujtohet përherë për atë çfarë i dha Atdheut në situatat më kritike të tij si në kohë pushtimi edhe në kohë të mgritjes dhe forcimit të Ushtrisë shqiptare sipas parametrave më cilësorë të kohës.

Jeta biografike e një atdhetari të denjë.

Et’hem Zenel  Gjinushi ishte lindur më 15 gusht 1922 në Hormovë të Tepelenës. Ai ka qenë ushtarak i shquar, pjesëmarrës me armë në dorë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjeneralmajor që ishte lindur në Hormovë të Tepelenës. Arsimin fillon në vendlindje, ndërsa studimet në Shkollën e Mesme në Vlorë, që e ndërpreu për arsye ekonomike. Në fillim punoi punëtor mirëmbajtjeje në rrugën Tepelenë-Gjirokastër dhe më vonë në qytetin e Vlorës bashkë me Perlat Rexhepin. U pranua anëtar i PKSH-së, që prej dhjetorit 1941), u aktivizua në njësitin gueril të qytetit të Vlorës dhe më pas kryetar i grupit gueril të zonës së Topalltisë (1941-1943). Ai ka qenë një nga drejtuesit e njësiteve guerile të Vlorës, ku në këto njësite guerile në Vlorë Et’hem Gjinushi ka një kontribut të rëndësishëm, ku në shumë aksione të guximshme është ndeshur me pushtuesit fashist. Në një prej lëvizjeve të kreut të LANç-it nga Tirana në Tragjas të Vlorës e shoqëroi atë dhe grupin drejtues më të Lartë të luftës nga Tirana në Tragjas të Vlorës, si një prej bijëve më të besuar të popullit antifashist. Nga 1 Maj 1943 deri më 7.5.1943 u caktua zv/komisar i çetës partizane “Halim Xhelo”, (Çeta Partizane “Halim Xhelo” ishte çeta e Mazhar, Drashovicës, Treblovë); nga 8.5.1943 deri më 20 korrik 1943 zv/komisar i batalionit partizan “Perlat Rexhepi”; nga 20.7.1943 deri më 30.8.1944 ishte komisar batalioni në batalionin e pestë dhe batalionin e parë të BrVS (prill-shtator 1944); nga 4.10.1944 deri më 29.11.1944, ishte komisar batalioni dhe më tej zvkomisar i Brigadës së 24 Sulmuese, që u themelua më 4.10.1944 në Bicaj të Lumës fillimisht me 560 partizanë dhe më vonë arriti në 1185 partizanë shumica nga Luma, Gora, Dibra, po edhe nga Shkodra, Lezha, etj..; kreu beteja të rëndësishme kundër pushtuesve, një formacion partizan që ka lënë gjurmë të ndritshme në vitet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, duke dhënë një ndihmesë të vlefshme në fitoren e lirisë, që e renditi Shqipërinë në fund të kësaj lufte të përgjakshme në krahun e fitimtarëve. Pseudonimi i tij gjatë luftës ishte “Goliku”. Pas luftës, ka qenë kandidat i Komitetit Qendror të Partisë dhe shërbeu denjësisht në ngritjen e Ushtrisë Popullore. Nga dita e çlirimit më 29.11.1944 deri më 7.9.1945 shërbeu si kuadër i pushtetit Nacionalçlirimtar në Kukës; nga viti 1945 deri më 1949 Komisar i rregjimentit dhe drejtor Politik në qarkun e Kukësit; 1949 deri më 1954 kreu Akademinë Politiko-Ushtarake “Vladimir Iliç Lenin” në Moskë; 1954-1956 ka qenë shef në drejtorinë Politike; 1956-1962 Shef i Drejtorisë së Kuadrit në MM, ku la gjurmë të thella profesionalizmi i tij në hartimin e dosjeve dhe krejt kartorekën e Ministrisë së Mbrojtjes, mbi bazën e së cilës punohet edhe sot në FA; nga viti 1962- 1966 zvëndëskomandant për punën politike të Komandën e Flotës luftarake detare; 1966-1967 Komisar i Komandës së Njësive rezervë të ushtrisë; 1967-1972 komisar i Akademisë së Mbrojtjes (Akademia e Shtabit të Përgjithshëm “Mehmet Shehu”; 1972-1975 Inspektor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes; 1975-1978 Shef i Sektorit Ushtarak në Ministrinë e Ndërtimit. Më 1978 ka dalë në pension. Mban 11 urdhëra, dekorata e medalje të ndryshme luftës dhe të shërbimit ushtarak. Gradat ushtarake i ka marrë: 24 Maj 1944 kapiten; 1947 Major; 1951 nënkolonel, 1954 kolonel; 1955 gjeneralmajor, gradë që e mbajti për 11 vite, pasi më 1 Maj 1966, u hoqën gradat në Ushtrinë Popullore shqiptare dhe që të gjithë ushtarakët vijuan të shërbenin pa grada deri sa doli në pension në moshën 56 vjeçare. Et’hem Gjinushi ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor në zonën e Levan-Fierit në disa legjislatura me radhë. Et’hem Gjinushi është shuar më 16 mars 1980, në Tiranë.

Bibliografi: Të dhënat janë marrë sipas dosjes personale në Kartotekën e Qendrës së Personel Rekrutimit, Dosja nr. 4661; Fjalori Enciklopedik ushtarak shqiptar, Prishtinë, 2021; Historiku i ushtrisë shqiptare, Tiranë 2012; Të dhëna nga institucionet ku ka shërbyer Et’hem Gjinushi në vitet 1956-1978; Botime të ndryshme të epokës dixhitale si dhe publikime të spektrit historik ushtarak nga autorë ushtarakë dhe jo vetëm; Zaho Golemi, Forcat e Armatosura në fokus arkivor, Tiranë, 20009; Bernard Zotaj, Zona e Parë Operative, Tiranë, 2003; Kronikë e ditëve të stuhishme, Tiranë, 1972; Burime nga arkivi familjar i famijarëve të Et’hem Gjinushit; Burimet të dhënash nga periodikët e publikimet në MM dhe në SHP, etj.

[1] UKSH prej 27000 vetë përbëhej nga MM, SHP, FT, FD, FA, FR dhe F.Territoriale.

[2] Fortifikimet e Luftës II Botërore: vija e fortifikuar fancez “Mazhino” me gjatësi 400km dhe e thllë 10-22km, me 5520 QZ; vija gjermane e fortifikimit “Zigfrid” me gjatësi 500km dhe thellësi 35-75km, me 16.000 QZ; vija filandeze e fortifikimit “Menerhejm”, me gjatësi 135km dhe thellësi 90km, me mbi 2.000 QZ; vija izralite e fortivikimit “Bar Lev” përgjatë kanalit të Suezit 80km e gjatë dhe e thellë 7-8km që kushtoi 238 milion $ etj.

[3] Në fakt u ndërtuan vetëm 161.878, mes tyre 824 QZ Kundërtanke nga 17.177 që ishin parashikuar, dhe jo 750.000 QZ, sikundër e kanë 5-fishuar. “Në 20 divizionet që kishte ushtria, të cilët kishin zonat e tyre të mbrojtjes (dy divizione ishin RKP), sasia e QZ do të ishte: 20×8000 QZ (për një zonë mbrojtje) = 160.000 QZ.

Please follow and like us: