Albspirit

Media/News/Publishing

Laura Olldashi: “Për kë bien kambanat”?

 

Nga larg dëgjohen kambanat e kishës. Ishte e dielë: dita që kisha vendosur të martohem.
Rrotullohem në krevat. E fundit fjetje vetëm. Nga nesër gjërat ndahen në dy. Jo vetëm gjërat por edhe unë. E njihja veten. Ajo, vajzë, më ishte futur në zemër. Kush do ta kishte menduar! Unë, djaloshi që më kishte pëlqyer të thithja gjatë lëngun e qershive, martohem.
Ngrihem me përtesë nga krevati. Në karrige mbështetur këmisha e bardhë e dhëndërisë. E kisha zgjedhur për palat e vogla që mbështeteshin njëra mbi tjetrën mbi gjokse dhe krijonin imazhin e zemrës që hapej dhe mbyllej nga kopsat. Paçka që ajo e kishte pasur këtë të drejtë, përpara se të blija këmishën. Kishte ditur t’i shkopsiste natyrshëm kopsat e lëkurës dhe të depërtonte në brendësi. Pastaj e kisha parë shpesh herë të hynte dhe të dilte nga unë, e mbuluar me gjysmat e mija që e ndiqnin pas.
Sa herë kisha dashur ta pyes: çfarë magneti kishte përdorur për thithjen e pjesëve të mia, ato më të mirat?
Por aq herë ajo më kishte qeshur me dhëmbët e bardha dhe mua më binin nga duart pyetjet.
Fus trupin në ujin e ftohtë të dushit. Dehjen e orëve që do vinin e freskoj përpara kohe. Përsëri ajo më hyn ndër sy. Tani do të jetë përpara pasqyrës dhe po kreh flokët e gjatë, të zeza. I mbledh në onde të vogla, të rrumbullakëta njëra pas tjetrës dhe krijon një varg lule që i zbresin në qafën e gjatë. Merr lapsin e zi dhe zgjat vështrimin e syve. Me rimel lakon qerpikët që rriten dhe prekin dëshirën time. Mbas një ore do të jem përballë saj dhe do të shqiptojmë në ajrin e akullte të mozaikëve të kishës, fjalën: “përgjithmonë”. Nuk trembem më nga kjo fjalë. Jam rritur tashmë.
Në të kaluarën i isha larguar historive që shkonin drejtë të “pafundmes”.
Në një botë që mbaron, në muret që zgjaten dhe bëjnë mijëra dritare mbi qiell, si mund të mos ketë “fund? Drithërohesha nga ideja që do të futeshin edhe tek vdekja.
Kurse me atë ishte ndryshe. Do të jetonim gjatë bashkë. Do ta zhvendosja vdekjen, sa herë të më prezantohej, për një tjetër kohë sepse do të kishim gjithmonë projekte të reja për të bërë.
A nuk është dashuria rifillim? Ashtu do të bënim të dy!
Fshihem gjatë tek peshqiri. Ajo do të jetë duke mbyllur mijëra susta të fustanit. Ja ku rrotullohet tani, provon lirshmërinë e lëvizjes së trupit brenda vellos së bardhë. Imagjinata ime mbështillet nën fustan.
– Prit mbrëmjen, i them vetes, mos u rrëzo tani!
Qesh, sepse rënia ime është kudo, e shtrirë me kohë, pa gjymtyrë që më ndihmojnë ngritjen.
Po kush dreqin kishte dashur të ngrihej?
Prek mjekrën disa herë. Loz gjatë me gishtat aty.
– Hajde t’i japim një brisk!
Fshij pasqyrën nga avulli i ujit të nxehtë. Shpërndaj shkumën në gjysmën e fytyrës. Filloj ritualin e përkëdheljes së vetvetes. Nga aty afër veshit zbres ngadalë tek çdo centimetër. Rruhem rrallë, jo vetëm sepse përtoj por ajo ma adhuron mjekrën. Kishte zona që i quante të saja. Ja kjo, për shembull, këtu në cepin e buzës dhe zgjas gjuhën për ta prekur. Pikërisht aty kaloj briskun me shumë butësi. Pastaj tendos qafën njëlloj si për përgatitjen e një operacioni. Por nuk e vazhdoj procesin. Nga fundi i pasqyrës, atje në cepin e saj më të largët, shikoj rrugën që zgjatej në fund, mbas kurrizit tim. E njoh. Është rruga e kishës. Pastaj shfaqet ajo: nusja ime. Fustanin e bardhë, në krah e shoqëruar nga i ati. Ecin të dy nën ritmin e muzikës së pianos. Dera e kishës hapet. Njerëzit e ulur në karrige. Petalet rozë fluturojnë mbi ato. Babai e lë në altar dhe largohet. Muzika ndalon.
Ajo qëndron në këmbë.
Përballë saj prifti jonë.
Unazat lëvizin për të gjetur prehje në fundin e gishtit. Kambanat e kishës ushtojnë fjalën: ”përgjithmonë”.
Përballë saj prifti ynë!
Përballë saj nuk jam unë!
Qielli çahet, ndërsa mbi faqen time rrjedhë gjaku.
Tetor 2022.
Please follow and like us: