Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: HERBARIUMI I SHIUT

 

 

rrebeshshiu i gushtit relievit të fushës e malit

mbi gjethe të kalbëzuara

pas shtatë orësh

mbushen me flegra të petëve të buta

çadra kërpudhash

ngrenë kokë

artileritë e rrezeve të forta

nuk i japin afat krenarie brishtësisë mbi tokë

 

*

shiu i gushtit përçon impulse

për barin, kërpudhat dhe kërmijtë

ku dhe kur i gjetën ato resurse

langoren e trupit tyre mbështjellë

nën një shtëpizë gëzhoje

zhguall që mbulon atë butësi ujore

brumë i butësisë i gatuar me përkëdheli vese

në një qenie lëvizëse me ngathtësi ecjeje robëruese

thjeshtësi e brishtësi dhe shpikje evolucionare

duhej armaturë llaç lëndë drusore e qeramidhe

përbërës tjerë të enigmës së kimisë

ngjyrë e piktorit të dheut e të barit

si kurajo e Adem Kastratit*

për veshjen e dizajnit të parzmoressë shtëpizës

arkitekturë dhe skulpturë pete e kërcores së pjekur

qenie cilës nuk i bëhet vonë

brenda arkivolit mbi shpinë prej rrathësh

nukrrëshqet krejtësisht  zbathur

zvarritet lehtë shinës prej rrëshirës

i prijnë antenat dy brirësh

cakut pa cak shtegtimesh

 

*

brirët sythe për prekje e ndijime

busulla kahesh e pikë-gjetjesh

të prirë drejt të së lëngshmes

çdo prekje vrazhdësie tkurrjee brirëve

dhe zgjatje me delikatesë paqësore e viktimës

deri tek i pari cak stacioni një këpucë e pa-mbathur

caku më i largët e preferuara ligatinë

kush e di e arrin a nuk e arrin

ja si i solli në këtë herbarium dheu

e pëlleshmja nënë e misteres

mbi e nën të nxehtën syprinë

të përzgjedhurit afat-shkurtë

por jo pa plëng e shtëpi

një krijesë naive mister brishtësie

në një sezon lagështie

që vetëm në motin e tyre

ligavecë zvarriten e vegjetojnë

dhe qesin kokën prej të vetmes dalje e hyrje

e vardisen në avuj stine

derë mbyllur të tjerëve

qetas rrëshqasin shinave të veta

rrëshirës së shtruar prej pështyme

kudo vete kulm shtëpie e arkivol mbi vete

trup e kokë gjithnjë me dalje të hapur

asnjëherë i kurthuar nën dry

enigmë e një harmonike

që hapet e  mbyllet pa tinguj

secila prekje i shfaq një sy

ëndrrën e një vere me shi

 

*

brenda gëzhojës rrumbullake

mbi shpinë e mban arkivolin dhe shtëpinë

athua  ndjen edhe ndonjë kënaqësi tjetër

pos çiftimit si zeje e vjetër.

 

*Adem Kastrati piktor unik, ngaqë “gurët me ngjyra të ndryshme i thërrmonte dhe i shtypte mirë, derisa bëhej llaç për ta përdorë” si ngjyrë.

                                                  

Gjilan, shtator 2022

 

Please follow and like us: