Albspirit

Media/News/Publishing

Autorë të njohur për poezinë e Skënder Sherifit

Hughes LABRUSSE: MIDIS EMRIT DHE ANONIMATIT

 

Dashuria që duhet rikrijuar, që duhet parë nga fillimi, që duhet shpikur. Uroj që të të dashurojnë çmendurisht, i shkruante Andre Bretoni vajzës së tij. Është urimi që Skënder Sherifi i drejton vendit të tij të lindjes, Shqipërisë. Te ”Arkan 17”2 , Breton na kujton se në rastin e misterit të Dashurisë ndodhemi përpara ”bërthamës së pathyeshme të natës”. Një mënyrë për të ndjerë e thënë që zbulimi i qenies njerëzore ka kufijtë e vet. Nga ana e tij Skënder Sherifi propozon një qasje të re, diçka sikundër zukatja e bletëve rrotull polenit. Loving Blues është një koshere që përbëhet nga të gjitha ato bletë punëtore që mbajnë emrin e një ylli të kinemasë. Skënderi i bën ato të vallëzojnë me ritmet e epokës dhe realitetit të sotëm. Lexuesit i duhet mjaft shkathtësi që të hyjë në valle. Në çdo hap ai është përcjellë sa nga një partner te tjetri, në shtjellën e rrotullimeve të pareshtura. Sigurisht, në hyrje të kosheres, Skënderi ne na beson çelësat për të depërtuar diku. Por na jep aq shumë se tufa e tyre në bie nga duart. Dhe nga ai çast duhet marrë guximi të futesh në atë ngrehinë pentagonale ku gëlojnë të gjithë figurantët e shfaqjes. Në të vërtetë të gjitha bletët janë po aq sa numri i grave që veprojnë në sheshin e xhirimit. Para çdo sekuence Skënderi u drejton atyre një shenjë puthjeje dhembshurie.

Dhe filmi nis e shpaloste nën një dritë fantazme. Me prozhektor në dorë Skënderi kthehet duke ndjekur gjurmët e veta, kthehet në vend dhe u flet banorëve për një univers që ata nuk e njohin. E gjitha kjo me qëllim që të shtyjë kufijtë e vargut dhe të imazheve. E gjitha kjo për t’i bërë të ndjeshëm për disa përvoja që ato nuk kanë mundur kurrë t’i njohin, bluzin, popin, hipitë dhe një prapavijë të tërë përpjekjesh poetike dhe artistike të shekullit të fundit. Dhe gjithçka zhvillohet sikundër në sytë e shndritshëm të yjeve të kinemasë, të thirrur në një proces, një gëlim ëndrrash dhe horizontesh të largët që rimerr jetë.

Sistemi që ndjek Sherifi është krejtësisht i përligjur, në kuptimin që e ardhmja gjithnjë ka qenë një kthim i të shkuarës, në një formë të modifikuar. Asnjëherë nuk bëhet fjalë për një të kaluar të ngjarjeve të përditshme, por për një zinxhir ngjarjesh të kufizuara në kohë, që janë më të vjetra se koha vetë. Arti ndjek rrugën e tij në një zgrip të paqartë e të pasigurt të asaj kohe që mbulon botën. Kjo është arsyeja që çdo vepër nuk përputhet me të vërtetën a të sajuarën, me të keqen a të mirën, me mëshirën a mizorinë. Ajo gjithnjë kërcen jashtë çdo kohe, as nuk vjetrohet e as nuk rinohet. Ajo nuk i përket as të dukshmes e as të padukshmes, edhe pse tiparet e saj fantomatike dyzohen nga një virtualitet teknik i të pashoq, pra, mekanik. Nën tendën tonë të xhirimit kinematografik, bletët dhe yjet tanë rrotullues shndërrohen në manekinë druri apo hije të fragmentizuara mbi një rodhan që Skënderi e bën të rrotullohet për lavdinë e Erosit dhe Kupidonit. Të gjitha risitë e djeshme, të krijuara në shoqërinë tonë në zjarrmi duhet t’u trashëgohen pa përjashtim brezave të rinj, mbi të gjithë atyre që kanë qenë më të mënjanuar. Kjo në kuptim mësimor, por edhe me kushtin e padiskutueshëm për të përkrahur imagjinatën por pa i ngatërruar nëpër këmbë praktika të kaluara. Mbi të gjithë ato janë të përshtatshme për t’u kapur pas ngjarjeve të ngutshme dhe iluzioni i pranisë. Në lidhje me mediatikën, arti nuk është i atypëratyshëm. I gjithë interesi për librin e Skënderit, përfundimisht, gjendet në këtë marrëdhënie poetike, aty ku kryqëzohen vargjet dhe idetë që ai shpërndan me to. Aty zbulojmë mënyrën e tij për të pranuar pa asnjë rezervë hapësirën e një modernizmi ku rrethanat njerëzore mbesin peng i hipertrofisë së tyre.

Zallahia dhe pështjellimi na kujtojnë më pak mëdyshjen e pagojë të brengosjes që karakterizonte Keatonin se sa jermin e rrëmujshëm, po të përdorim termat e Skënderit, të Marx Brothers. Përdorimi i skajshëm i emrave dhe fjalëve, thyen pa droje të rregullave të ekzistencës, me qëllim që të shpartallojë gjërat që mbahen si të sigurta. Strategjia e thikës me dy presa. Nga njëra anë është praktika e detyrimit, arti i shndërrimit në jashtëtokësor të galaksive të pafund. Por nga ana tjetër, edhe poezia vetë ndihet e tronditur, deri sa metamorfozohet në artet skenikë që u hapin rrugë swingut, rapit, slamit, atij mobilizimi të përgjithshëm e të përshpejtuar të formave të të shprehurit nga më të fundit.

Pjekurisë së pazëshme Skënder Sherifi i kundërvë goditjen e befasishme, hutuese, shpërqëndruese. Pastaj, në fund të fundit, Dashuria nuk mund të mëtojë tjetër veç të jashtëzakonshmes. Miqësinë e përzgjedhur të Montenjit. Atë të Pemës së filozofisë të Rajmond Lulit, pa triumf as magji. Atë që është akoma më e ashpër, duelin e Dashurisë të Tankredit dhe Klorindës, ndaj të cilit jam veçanërisht i ndjeshëm. Të dashurosh nuk do të thotë të jesh i dashur, joshës. Ajo është dhuna vetë në shfaqjen e saj më gjallëruese e ndonjëherë vrasëse. Love është ftesë t’i hysh rrezikut që të përshkosh provën e ankthit e pasigurisë, në atë labirint të pambarim, ku drita duket në fillim fare, thjesht në dedikimin që autori i bën gruas së tij, Besa Zhutës. Gdhendja e firmës përthyhet në anonimatin e saj.

 

Francë, 22 Nëntor, 2011

 

* Hughes LABRUSSE u lind më 21 qërshor 1938 në Francë – Shkrimtar (poet dhe eseist) është doktor i filozofisë dhe profesor nderi. Drejtor i koleksionit: ”d’Autres Lieux – ose Horizonte tjera” të shtëpisë botuese Franceze: ”C. R. L dhe l’Inventaire“. Autor i rreth tridhjetë librave, krijimtari poetike dhe studime mbi autorë të ndryshëm si Montaigne, D. Buzati, Jean Giono, Charles Baudelaire, J. L. Borges, Max Jacob, Maupassant, René Char, Philippe Soupault, etj., të botuara te ”Belin e Elipses”dhe gjithë ashtu në botimet e Simpoziumit ndërkombëtar prestigjioz francez në Cersisyla-Salle, që organizohet çdo vit, mbi autorët dhe filozofët e mëdhenj të kësaj bote.

 

 

Claudio POZZANI: VËLLIM BEFASUES DHE MAGJEPSËS!

 

Librin LOVE unë e përfytyroj si një tabelë të madhe të shndritshme ku me drita neoni janë shkruar germat e para të mbiemrave me të cilët mund të cilësojmë poezinë e Skënder Sherifit në këtë vëllim befasues dhe magjepsës: Lëbyrës, Origjinal, Vokal, Erotik. Në poemat e tij, mbi të gjitha, vërehet gjithnjë prania e një dielli të madh, verbues, përvëlues e shndritës në të njëjtën kohë, një burim drite, si një shpërthim i menjëhershëm, që duket sikur del nga strofat e tij, madje edhe te më melankoliket prej tyre. Ndodh edhe që të ndihemi në një mjedis diçka më me kreshta, që ndriçohet nga një dritë jo shumë e fortë, por po aq krijuese, që ka dalë drejt e nga ata prozhektorët e vegjël të sallave të vogla të Kinema Parajsës, së lagjeve periferike, ku një ëndërrimtar i përjetshëm shfaq ca filma të vjetër për dinozaurët e fundit që kishin pasionin e kinemasë. Sepse libri i Sherifit bën lidhjen e të gjitha epokave dhe është plot e përplot me ndjenja nga më të ndryshmet, me romantizëm, nostalgji, melankoli, me hove surrealiste dhe provokuese. Jetë e vërtetë që shpërthen ngado…

Shumë nga poemat e tij u kushtohen protagonistëve të historisë së kinemasë dhe kjo nuk është e rastit: vargjet e Sherifit janë plot imazhe, në ndonjë rast edhe një lloj rishkrimi i skenarëve apo personazheve të artit të shtatë, që e ka ushqyer, mbase më shumë se letërsia. Pa dyshim që poezia e tij është origjinale. Dhe kjo në të dy kuptimet: origjinale sepse përfshin brenda aq shumë ndikime (bile të shprehur me krenari në formë epigrafesh nga vetë autori) dhe që më pas i sjell në një shteg të ri dhe të kapshëm për të gjithë, për të na dhuruar atë tërësi të bukur e origjinale në fund. Në një kuptim tjetër sepse është një e shkruar e shumëfishtë që në nisje dhe që bëhet tejet moderne dhe aq aktuale në fund, nën veprimin e një pune të detajuar montazhi, një alkimi me gramatikë të veçantë që është e vetë autorit. Është një poezi shprehje e një momenti të caktuar dhe njëkohësisht pa kufij kohorë, e përzier e sintetike, me ngjyresa të ndryshme në shumë pike vështrime leximi, që e merr tharmin e saj në kujtesën kolektive të Njerëzimit për të nxjerrë nektar nga e gjithë kjo, për të krijuar markën e tij vetjake dhe figurën e tij stilistike. Vargjet e Sherifit tingëllojnë shumë mirë në faqet e librit, por ende më shumë ato janë bërë për tu shqiptuar apo kënduar me zë të lartë, sepse ato dalin jashtë kuadrit të ngushtë letrar, dalin tej kuadrit të librit. Ato duket sikur duan të hidhen jashtë palëvizshmërisë së faqes së librit, për tu shndërruar dhe marrë jetë së fundi në gojën tuaj, me një mënyrë rrëfimi pëshpëritëse apo duke bërtitur. Dashuria të cilës i këndon Sherifi është mbrujtur nga kërkesa e ngutshme e dëshirave të zjarrta, nga mjeshtëria e zotërimit të ritmit, herë i ngjeshur e herë më i shtendosur, sikur çdo poemë bart në vetvete lëvizjet e aktit të Dashurisë apo vajtje ardhjet e valëve të detit. Herë e fshehur midis rimave dhe herë më dukshëm erotizmi i autorit përputhet me një nga epigrafet që thotë: ”Erotizmi është atëherë kur imagjinata bën Dashuri me trupin”. Libri LOVE mbulon një periudhë të gjatë të jetës së autorit. Si rezultat kemi bilancin ose krizën e pesëdhjetëvjeçarit në divanin e poezisë! Sepse poezia e Sherifit njomë buzët në botën që e rrethon, sigurisht, por para së gjithash në jetën e tij, nga ku kemi atë dimension disi autobiografik. Falë dedikimeve të tij të shpeshta dhe aludimeve që bën për personazhe të ndryshme të ditëve tona e të kohëve të shkuara, ky art i një kohe të caktuar zgjerohet më tepër dhe bëhet edhe ai vetë protagonist i këtij vëllimi.

Kjo bën që ky libër të jetë sa një nderim për gratë e Dashurinë aq edhe për kulturën, artin dhe Krijimtarinë! Në panoramën e poezisë bashkëkohore evropiane, unë mendoj se me të vërtetë ky libër dhe autori i tij, zënë një vend interesant e të rëndësishëm, pa qenë nevoja të bëjë eksperimente të sforcuara a të panevojshme, që do t’i kishin ndërprerë ritmin dhe forcën rrëfyese. Përkundrazi, duke përdorur ritmet, metaforat, figuracionin barok dhe të gjitha mjetet e poezisë më klasike që bëhet, deri te ato më bashkëkohoret e shekullit tonë, dhe gjithçka më një masë të shkëlqyer që i lejojnë atij të mbetet në të njëjtën kohë i gjallë, plot jetë, i ndjeshëm, i thellë apo me humor. Nëpërmjet librit LOVE Sherifi mund të lexohet nga një publik i gjerë, nga ai që nuk është gjithnjë i pranishëm nëpër librari dhe qarqet letrare elitiste apo të mënjanuara. Për ta mbyllur, unë nuk mund të bëj tjetër gjë përveçse t’ua këshilloj me këmbëngulje lexuesve të rinj që do ta zbulojnë në gjuhën e tyre në Shqipëri. Përtej të gjithave, kjo vepër është po aq joshëse edhe në plane të tjerë dhe në pikë vështrimin kulturor. LOVE, pra, është edhe një instrument ideal dhe një mbështetje e mirë për të zbuluar mjaft filma e libra, piktorë e muzikantë, që të gjithë pjesë e artit dhe kulturës botërore dhe që kanë po aq univers dhe kryevepra, që kanë shënjuar kujtesën njerëzore, por që fatkeqësisht për ne, e mbi të gjitha për brezat e rinj, shpesh shkollat dhe universitetet harrojnë t’i përfshijnë në programet e tyre … Dhe kështu aq shumë gjëra të bukura, të mëdha e të shtrenjta për kulturën tonë evropiane dhe madje universale, nuk do të humbnin kurrë. Fat të mbarë librit LOVE në Shqipëri, një libër mahnitës, në lartësinë e Shqiponjës. Me dashamirësi nga kushëriri apo vëllai i madh i anës tjetër të detit.

16 Nëntor 2011

 

* Claudio POZZANI, u lind më 19 shtator 1961 në Gjenova të Italisë. Autor i disa librave me poezi, por edhe romancier dhe muzikant. Shumë prej teksteve të tij janë përkthyer në gjuhë të huaja. Ka marrë pjesë me performanca artistike në shumë Festivale Internacionale me poezi. Dy nga veprat e tij janë të botuara dhe në Francë, “Kate et moi” te botimet, ”La Passe du Vent” dhe ”Saudade et Spleen” te botimet ”Lanore“. Talenti i tij si poet është përshëndetur nga dramaturgu i famshëm franko-spanjoll, Fernando Arrabal.

 

 

Francis MATTHYS: LOVE – LEXOJENI ME ZË TË LARTË!

Babaxhan dhe i etur për gjithçka, pavarësisht nga një fëmijëri që për të nuk ishte si rrjedha e një lumi të qetë, Skënder Sherifi e njëson veten me marinarin e poezisë: ”Anija e dehur” e Artur Rimbosë, të cilin ai e adhuron që prej adoleshencës së tij. Tamam nga kjo adoleshencë e cila është mosha e Revoltës, ai ka ruajtur edhe sot e kësaj dite Flakën, Arratinë dhe Zemërimin e shenjtë. Siç e ka thënë Mishel Turnie (Michel Tournier): ”Çdo shkrimtar para së gjithash është një lexues”, Skënder Sherifi, para se të hidhet nga ana e tij, në atë çmenduri të ëmbël, që është të shkruarit, ai ka gllabëruar biblioteka të tëra, duke qëmtuar aty këtu të gjithë autorët që mund të gjente, duke ngërthyer kështu pa prehje, madje do të thoja, pa u nginjur universe të ndryshme të të gjithë librave aq kalonin nëpër duart e tij, si çdo autodidakt i denjë për këtë emër. Ja, pra që një nga veprat e tij kryesore, LOVE u përkthye në shqip! Ne nuk na mbetet veçse të gëzohemi bashkë me ata që do ta zbulojnë një vepër të tillë në Shqipëri (tre vjet pasi botimit të saj në Bruksel, në atë Tokë që e ka birësuar që prej një gjysmë shekulli). Ky libër I vëllimshëm, ku lulëzojnë Gra e Zjarre dhe që Skënder Sherifi e ka shkruar pasi bëri të pesëdhjetat, sikundër i zjarrti Fransua TRUFO, autor i të famshmit film ”Burri që deshte gratë”, tregon se edhe për të, gratë kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e tij. Jeta e vërtetë sikundër dhe jeta e ëndërruar te një poet janë njëra hija e tjetrës. I çmendur pas leximit, do të thoja unë … pa asnjë dyshim, por Skënder Sherifi është po aq i dhënë edhe pas kinemasë, teatrit, muzikës, arteve e krijimtarisë në tërësi…

Ai është i hapur ndaj gjithçkaje, i dashur nga të gjithë, kureshtar e i frymëzuar nga gjithçka dhe LOVE, kjo vepër monumentale, e ngjeshur dhe e pasur në referenca kulturore të të gjitha llojeve, na e provon një mijë herë një gjë të tillë! LOVE është një pyll i përflakur, një zemër me rrahje vullkani. LLAVË dhe LOVE: A nuk janë në fund të fundit dy fjalë binjake?

Sepse në venat e LOVE rrjedh Gjak, Verë dhe Vesë. Është një Diell që eksplozon (një përzierje e fjalës seks dhe foljes eksplozoj) midis duarve. Një mënyrë të shkruari me një lirizëm të pafre, sepse poeti nuk i bindet veçse vrapit të çmendur të shpirtit të tij, ashtu siç është i mbërthyer nga Marramendja e Pasionit të tij dhe Pulsioni e Lirisë që e udhëheq. Me librin LOVE autori i ”Oksigjen”, ”Në kohën e Meteorëve”,”Atelietë e ëndrrave”,”Pasion” dhe ”Treshes së Përjetshme” ne na dhuron një libër-oqean, një vërshim faqesh që janë sa thirrma e zemrës aq edhe thirrma e shpirtit, e që i thurin lavdi Dashurisë, erotikës, feminilitetit të përjetshëm nëpërmjet nderimit poetik që u bëhet femrave të panjohura, por edhe krijesave legjendare, të djeshmes dhe të të sotmes, që aq shumë na kanë bërë të ëndërrojmë apo që na bëjnë edhe sot të fantazojmë. Nga Brixhid Bardo te Sharon Stone, nga Ursula Andres te Sofi Marso, nga e magjishmja Suzi Solidor te bukuroshja Karla Bruni, që u bë Zonjë e parë e Francës! Dhe gjithçka, sikundër e thashë… me një lirizëm të forcës 10, të shkallës së Trupit të Bukur, si trashëgimtar shpirtëror i Beat Generation. Skënder Sherifi përdor të gjithë gamën e toneve, të gjitha nuancat e tastierës, rimën, ndjenjën, nuhatjen… nga moderato cantabile deri në fortissimo, me qëllim që brenda nesh të gjëmojë shtrëngata e përqafimit dhe që askush prej nesh të mos i shpëtojë Cunamit të Dashurisë, që i jep frymë … LOVE është një kënga e një përkëdhelësi yjesh … një kërkim i të pamundurës që është shndërruar në të mundshme nga magjia e poezisë… një opera e Dashurisë absolute dhe të përjetshme. Dhe si çdo Këngë, miqtë e mi, bashkëvëllezër dhe lexues shqiptarë, lexojeni ose këndojeni me zë të lartë! Kjo është mënyra më e mirë që unë njoh për të shijuar të gjitha ngjyrat, të gjithë muzikën …

Bruxelles, 15 Nëntor 2011

* Francis MATTHYS – Gazetar i famshëm, referencë absolute dhe i respektuar në mjediset kulturore, si kritik e specialist i letërsisë në gazetën e mirënjohur, elitare, belge frankofone e dyta në Belgjikë: ”La Libre Belgique”, që ka klasifikuar librin LOVE në listën e 10 librave më të mira gjatë vitit 2008 në Belgjikë, brenda një konkurrence të gjerë dhe të fuqishme, që i përfshin të të gjitha botimet letrare të atij viti (roman, tregim, ese, biografi, monografi dhe libra të vizatuara) në katër shtetet të Europës frankofone (Francë, Zvicër, Belgjikë dhe Luksemburg).

 

 

Jean Claude VANTROYEN: SI NJË PËRRUA!

 

Love, është vetë Skënder Sherifi I zhurmshëm si një përrua; i fuqishëm si një tren i gjatë që gjëmon, i revoltuar si një adoleshent, i pasionuar si një shkrimtar romantik i stilit të Viktor Hygosë apo Zherar de Nervalit. Madje, për të lexuar Love duhet të jesh i shoqëruar nga muzika e një romantiku tjetër francez, Hektor Berliozit, ai i “Simfonisë Fantastike”. Sikundër ajo, Love është historia e një pasioni, me stuhitë dhe qetësimin e saj, me livadhet e saj të paqta nën diell dhe peizazhe shkëmbinjsh të thiktë. Por edhe me fytyra Femrash, gjithnjë plot jetë, gjithnjë në ikje dhe duke i ndjekur pa prajë, sepse në këtë gjakim të pareshtur të Dashurisë, ka gjithnjë shpresë dhe bile, lumturi.

Love është vetë Skënder Sherifi. Një mënyrë e stuhishme të shkruari, që rrëmbehet e të rrëmben, që shkundet, që zien, që ikën tutje. Një lidhje e shkurtër fatlume, që u vë shkelmin të gjitha rregullave, të gjitha procedurave, që zemërohet e përkëdhel, që të cingëris nervat dhe të josh, që të merr në krahë e  të çon tutje, që shpie lexuesin në brigjet e zjarrta të poezisë për ta lënë aty duke dihatur, të hutuar, të kapur nga një valë emocionesh që të shtrëngon në trup, në grykë në kokë dhe që shpërthen papritur si një fishekzjarr ndjesish plot ngjyra.

Love, është vetë Skënder Sherifi.

Një tip që duhet njohur, vlerësuar, për të cilin fjala miqësi nuk është diçka pa vlerë, për të cilin Dashuria është e vetmja gjë që ka peshë në këtë jetë tokësore. Është dikush të cilit ke dëshirë t’i shtrëngosh dorën dhe ta shikosh drejt e në sytë që të buzëqeshin. Dhe mënyra më e mirë për të bërë këtë është të dëgjosh këngën e tij, është të lexosh urgjentisht librin ”Love”!

Bruksel, 4 Dhjetor 2011.

 

Jean Claude VANTROYEN – Gazetar profesionist belg, me reputacion të konsoliduar, kritik letrar, specialist për artin dhe spektaklet. Kryeredaktor përgjegjës i sektorit: Art e Kulturë – në gazetën më të madhe frankofone, numër 1 në Belgjikë: LE SOIR.

 

 

Pietro PIZZUTI: DASHURI E PËRJETSHME, KËTU E GJITHKUND!

Miq shqiptarë! Ju që mbani në duart tuaja Dashurinë e Skënder Sherifit, ”LOVE – in” e tij të përjetshëm, hovin e jetës së tij të pastër e të egër, të shkruar me fjalë shpërthyese, e të ngrohta, si të gejzeret e veriut: dhëmbshurohuni, hapni zemrën, delironi, jermohuni! Së fundi është kthyer në gjuhën tuaj libri i lumit mitik, libri i pluhurit të yjeve, libri i aromave delikate dhe parfumeve aq shumë të kërkuara të grave të kësaj bote dhe të asaj përtej, libri epik i heroizmave të heronjve të guximshëm, që nga erosi te vdekja, na përmbyt në verëra dhe eliksire sikundër përkëdheljet e zanave, për të na mbushur zemrën dhe shpirtin. Festival ndjenjash dhe emocionesh sublime, vërshim ndjenjash, ku çdo varg na lë shihen e një përthithjeje magjike, si një gjurmë puthjeje mbi buzë.

Së fundi, pra, është përkthyer që ju ta shijoni e të deheni me nektarin e shijshëm, pa e kuptuar se nga vjen, as nga se përbëhet kjo hare që nuk shprehet, që ju mbështjell nga njëra faqe te tjetra. Mos vrisni mendjen ta kuptoni! Është një magjepsje e gjallë! Mos u zgjoni! Mos kërkoni më tej! Përkundrazi, zhytuni në të! Dhe mbi të gjitha lexoni e rilexoni. Gllabërojeni këtë këngë të gjatë lirike, këtë himn Dashurie, me zë të lartë apo edhe pëshpëriteni, zhurmshëm apo në mënyrë sensuale, me gjallëri apo hutim, por në mënyrë të hirshme: këndoni, ulërini, slamoni, rraponi, lexoni këto poema dhe jepuni jetë! Për këtë janë bërë, për të dalë nga rreshtat dhe faqet e ngrirat të librit. Hidhuni hareshëm në to!

Faqet e LOVE janë edhe Kâma Sûtra poetike pozicionesh Dashurie në të cilat na fton poeti, si mjeshtër i zanatit, Skënder Sherifi ynë, unikë… Skënderi juaj, që ka thurur midis nesh e jush një rrugëkalim pasioni të pashtershëm dhe që e përtërit pa reshtje me çmendurinë e tij të të shkruarit, me gazmendin e tij frymëzues dhe përtëritës të gjithhershëm të ardhjes në jetë, sikur të rilindte në çdo libër të ri. Sikundër edhe në këtë libër, sa herë që na afrohet një heroinë e re, që është bërë e pavdekshme nga pena e tij, a më fort nga dora e tij që e drejton, e përkëdhel, i plotëson dëshirat. ”Love is divine, baby”.

Me një fjalë bëni atë që ne kemi bërë të gjithë, kur e kemi lexuar: kemi rënë në Dashuri, kemi ëndërruar e fantazmuar mijëra aventura ekzistuese e ngashëruese. Dhe kjo nga një yll te tjetri, nga një takim te tjetri, nga një takim i zjarrtë te ijët e bukura të muzës pasardhëse dhe në fund të fundit, ju do të ndjeni puplat t’ju mbijnë në shpatulla dhe në majat e çdo gishti, te kyçet dhe në gishtat e këmbëve. Pendë dhe pupla hyjnore, që të domosdoshme për të fluturuar. Së fundi mbyllni sytë dhe fluturoni edhe Ju! Welcome aty ku qëndrohet pezull në ajër! Është një jerm dashuror, një pasion i çmendur e i pashtershëm, pa fillim e pa fund… Nga autori ju jeni të ftuar të gjithë të zaptoni botën femërore. Marramendje të Dashurisë, puthje pa fund… Ajo Dashuri që shpërthen e derdhet gjithkund, e pandalshme, e pakontrollueshme… Një oqean erosi ju hap krahët! Valë më të larta se kurrë ju mbështjellin e ju përmbysin. Nuk mund të bësh gjësendi tjetër veçse t’i lësh të të marrin me vete, të pluskosh gjithkund në humnera të këndshme të romantizmit dhe të përmbytesh nga kënaqësia! Ju do të niseni në një udhëtim sublim për të përshkuar aq e aq vende sensualë, toka të mbjella dhe kopshte, pyje dhe bimësi ëndrrash, ju do të dilni në ishuj të magjepsur e irracionalë, do të kaloni buzë brigjesh fuqizuese dhe të domosdoshëm për jetën tuaj, në një botë përrallore, hipnotike, në shfaqje të papërfytyrueshme dhe në një imagjinatë të panjohur deri tani, dhe gjithçka e shprehur në një gjuhë hyjnore që do t’ju përtërijë trup e shpirt.

Bruksel, 26 Nëntor 2011.

Pietro PIZZUTI, dramaturg, belgo – italian i lindur në Romë në vitin 1958 – Aktor, autor, regjisor dhe përkthyes i njohur i skenës teatrale belge, me një karrierë 30 vjeçare në top nivel. Në figurat më të njohura të skenës dramturgjike bashkëkohore belge frankofone. Fitues i disa çmimeve kombëtare belge prestigjioze në tri disiplinat e ndryshme. Ka ndikuar në afirmimin dhe inskenimin në skenat belge të disa dramaturgëve italian bashkëkohor, duke i adaptuar dhe në gjuhën frënge për publikun frankofon. Konsiderohet edhe si mik personal i autorit që 30 vite në Bruksel.

 

Koen STASSIJNS: TSUNAMI I DASHURISË

 

Ka shumë kohë që kam treguar një interesim personal për botën shqiptare, e sidomos në aspektin kulturor e letrar, aty ku banoj dhe veproj unë, te pjesa Flamane e Belgjikës. Bile e kam pas botuar para disa viteve, në versionin e përkthyer flamandisht, një Antologji të Poezisë moderne shqiptare (“Lamento të një Zogu”) e mirëpritur nga lexuesit tanë. Dhe tani, fakti që do ta keni rastin për ta lexuar në gjuhën tuaj shqipe, këtë libër unik ”LOVE”, e cila është një referencë absolute në krijimtarinë tepër interesante të Skënder Sherifit më gëzon pa masë. Një fat për juve, e sidomos për rininë shqiptare, e cila kërkon me çdo kusht të hyn direkt në vallen e frymëve moderne, duke qenë e magnetizuar nga drita dhe pulsi artistik i Metropoleve të mëdha Botërore, në të cilat identifikohet, dhe në pasurinë e të cilave e projektojnë natyrisht vetën, pjesërisht me të drejtë, por sipas meje, edhe nganjëherë jo gjithmonë për arsyet e duhura. Por pikërisht te Skënder Sherifi ia vlen për tu ndalur, me një vëmendje maksimale, sepse ai vetë si person dhe si autor është një udhëkryq i shumë paradokseve dhe çudirave. Një befasi e përjetshme e pikur prej qielli nga Shefi suprem, i cili iu shpëton të gjitha kuadrateve dhe kornizave në të cilat kishim dëshiruar aq shumë ta mbyllim, ta përkufizojmë. Poeti u ikë të gjitha rrymave, shkollave, definicioneve, shpjegimeve, etiketimeve në të cilat neve kishim dashur ta fusim, për t’ia lehtësuar vetës punën, dhe për ta fiksuar dikund për gjithmonë, në një sirtar preciz letrar. Së pari, duhet thënë që është një autor super i talentuar dhe origjinal, pa pike dyshimi! Kemi të bëjmë këtu me një artist unik i lindur prej natyrës, një lloj Kali arab i races puro, specialist i garave të vaprimit nëpër hipodromet botërore, natyrisht i Poezisë në këtë rast. Nëse nuk më besoni, urdhëroni dhe binduni vetë, duke i lexuar analizat dhe komentet që ia kanë bërë veprës së tij, një numër autorësh të konfirmuar dhe prestigjioz sikur: Pierre Seghers, Jacques Izoard, Jean-Pierre Verheggen, Patrice Delbourg, Gil Jouanard, Hughes Labrusse, Jean-Marie Piemme, Claude Gudin, Pietro Pizzuti, Denis Lavant, Frédérick Dussenne, Albert Ayguesparse, Francis Chenôt, Alain Antoine, Luc Norin, Francis Mattys, JeanClaude Vantroyen, Jean-Baptiste Baronia, Guy Vaes, Alain Germoz, Ibrahim Rugova, Jusuf Vrioni, Edmond Tupja, Moikom Zeqo, e shumë të tjerë.

Shikoni pastaj se si e prezentojnë autorin, në Fjalorin francez LAROUSSE të Letërsisë Botërore, ku e konsiderojnë në 26 shkrimtar shqiptar më eminent të gjitha kohërave, në 7 shekuj letërsi (1400 – 2011) dhe më në fund, e kemi faktin që libri i tij LOVE në versionin original francez është përshëndetur dhe klasifikuar nga vetë shtypi belg frankofon në Top 10-tëshin e librave më të mira të krejt vitit 2008 në Belgjikë, por duke i inkluduar të gjitha botimet letrare në të gjitha zhanret në 4 shtetet e mëdha frankofone.

Të gjitha këto nuk mund të jenë të rastit, e pra pas kësaj: çka kemi për të shtuar? Skënder Sherifi: Njeri enigmatik, me siguri… shqiptar? Po pa dyshim, por jo sikur të tjerët! Jashtë vijave dhe klisheve të caktuara. Jashtë planeve dhe programeve të parashikuara. Ndoshta një shqiptar ekstra tokësor, i dalë nga një Film i Spielbergut ose Lucasit, në një zhvendosje ose mospajtim të plotë me itinerarin ose backgroundin e çdo Shqiptari që është rritur, edukuar dhe shkolluar brenda trojeve, pa dalë asnjë herë jashtë vendit të tij, ose thuaja jashtë Ballkanit. Por megjithatë, ngelet prapë shqiptar, dhe mjaft krenar mbi origjinën e tij, të cilën e afirmon kudo nëpër Botë pa asnjë pikë kompleksi, si një fakt natyral, diçka ordinere, por pa kompromise, duke qëndruar në esencën tij, siç është në realitet: anarkist, beatnik, hipik, bohem, surrealist, romantik, eksperimentist, lirik, epik, humorist, utopist, idealist … Duke i shprehur të gjitha këto variante të qenies së tij, me atë liri absolute, atë guxim marramendës, pa e njohur fjalën ”frikë” sikur malësorët e atyre Bjeshkëve të Veriut. Pakëz Sherif, pakëz Bandit, ndonjë herë edhe Piratë në shpirtin e tij të thellë: me atë ide, ”që duhet për të guxuar dhe për të tentuar çdo gjë”, dhe që nëse e vendosim: ”çdo gjë është e mundshme edhe sidomos e pamundshmja”. Pastaj nga kjo mund të dalë diçka e madhe, sublime dhe e papritur! Sepse ky Njeri është tmerrësisht alergjik ndaj modeleve të imponuara dhe logjikës kolektive! Belg? Patjetër pas një gjysmë shekulli në Bruksel, por jo sikur të tjerët. Prapë jashtë shinave, formateve dhe normave ekzistuese në këtë ”Plat Pays” të këngës gjeniale të Jacques Brelit. Por sikur edhe belgët, mjaft i frakturuar, i grisur, i qetë, me atë distancë shpëtimtare ndaj vetvetes, që nuk të lejon për t;u bërë pompoz dhe për ta marrë veten me tepër seriozitet, duke e ruajtur në çdo rast këtë humor e ironi ndaj vetës dhe botës. Francez? Po, me shpirt, për nga kultura dhe gjuha në të cilën është formuar dhe dashuruar tërë jetën e tij. Por jo sikur anëtarët e Hegzagonit me narcisizmin e tyre ekstrem. Duke e ruajtur në kundërshtim total me parisienët, nga një thirrje instinktive e thellë, anën e tij specifike ilire, ngase nuk dëshiron fare me u shkrirë dhe me humbur në anonimitetin e asimilimit dhe të fotokopjes së huaj. Do të qëndrojnë me çdo kusht dhe para çdo kujt, ai që është! Dhe tani e kuptoj që me këtë karakter, me këtë fuqi shpirtërore, me këtë talent, si do ta ketë bindur dhe përfituar miqësinë e Pierre Seghersit, që e ka pritur dhe ftuar me vite në shtëpinë e tij si anëtar i familjes, duke e admiruar si fenomen i rrallë, siç e pohon ai vetë në shkrimin e tij, dhe gjithë ato personalitete të famshme që i ka njohur e takuar herë pas here në Paris mes viteve 1976 dhe 1990.

Njeri i Botës, kozmopolit, i demultiplikuar, kurrioz dhe i etur deri në pafundësi… udhëtar i pa lodhshëm dhe i përjetshëm, yll që bie, kalimtar i madh… dhe që me shumë logjikë sipas meje është i destinuar për ta lërë një gjurmë jetëgjatë dhe të rëndësishme në konfigurimin e ardhshëm të literaturës shqiptare, duke ia dhënë një ndriçim dhe një perspektivë të re poetikës futuriste, gjë e mirë pritur natyrisht nga të gjithë gjeneratat e ardhshme në ndryshim dhe zhvillim të shpejtë.

Libri LOVE është dhurata ideale për t’ua ofruar me rastin e Shën Valentinit, të gjitha zonjave, grave, e dashnoreve tuaja, të gjithë atyre që janë tmerrësisht të dashuruar dhe që fantazojnë për Dashuri romaneske, dhe pasion të çmendur mbi rruzullin tokësor. Sepse më thoni: Kush mundet me ia shpreh më mirë se autori, gjithë Dashurinë e vetë femrave në një mënyrë aq të bukur, të fuqishme, prekëse, romantike dhe origjinale? Kjo vepër është me të vërtetë tepër speciale, unike, dhe nuk i ngjanë asnjë vepre tjetër, sa që çdo imitim e saj, duket i pamundshëm. Sepse në aparencë, në dukje të parë, jemi në letërsi, por jo çfarëdo letërsie? Ngase jemi të future direkt në fakt, në një skenar sublim filmi … në një film të François Truffaut, ”L’Homme qui aimait les Femmes” (Njeriu që i deshi aq shumë Femrat) ose në ”Qyteti i Femrave” të Frederiko Fellinit, ose në një film të Pedro Almodovarit, të Bergmanit, ose në filmat, ”A bout de Souffle dhe Pierrot le Fou” të Jean-Luc Godardit. Pastaj na propozohet një udhëtim nëpër 5000 vite histori, prej nga Egjipti antik i Faraonëve deri te kohërat atomiko-elektronike të Shekullit 21, duke i kaluar 5 Kontinentet Tokësore. Jemi pra në një udhëtim, delirium e fantazi përrallore, të zhytur këmbë e krye në stuhinë, në vorbullën, në syrin e ciklonit, të fundosur dhe të rrëmbyer nga një TSUNAM sentimental e erotik, i ngopur me pasion dhe Dashuri… Jemi të zhytur deri në ekstazë e në vdekje, por me një lezet të papërshkrueshëm, ngase nuk kemi asnjë mundësi për ti shpëtuar ose rezistuar. Pse? Ngase oqeane Dashurie dhe romantizmi derdhën mbi lexuesin e hutuar dhe të magjepsur, i cili bien në K.O, nga fuqia dhe origjinaliteti i paparë i gjuhës, lirizmi vezullues, inovacioni i metaforave. Kështu që nuk i mbetet rrugë tjetër përpos për t’u dorëzuar totalisht, duke iu lëshuar dëshirave dhe epsheve deri në fund. Me anën e kësaj vepre magjike, kremtojmë humbjen përfundimtare të vetvetës në Festën e orgazmës dhe të kënaqësive hyjnore.

LOVE është një homazh poetik madhështor i dhuruar botës femërore, dhe Dashurisë në përgjithësi, me të gjitha variantet e saj … por është gjithashtu edhe një himn fantastik mbi botën e arteve, krijimtarisë dhe kulturave planetare. Mund të konstatojmë në këtë libër, një mori informatash nga të gjitha fushat, një shumë referencash të panumërta, që dëshmojnë mbi background-in artistik e kultural të pa shoq, të autorit. Dhe çka është më e çuditshmja, është fakti që të gjitha këto elemente aq të ndryshme kombinohen me mjeshtri dhe artikulohen natyrshëm, në një harmoni globale të mahnitshme.

Por çfarë libri është ky?

Gjysmë poezi, gjysmë prozë, duke i integruar më se 500 citate nga autorët dhe dijetarët e botës, të cilët përfaqësojnë 5 Kontinentet ose kapitujt e veprës, dhe në prapavijën e fshehtë, të librit, kemi si në një tip eko-jehonë, në një lojë perspektive ose dialogu multi kulturor që i ofrohet lexuesit, i cili gjëndet papritmas para prezencës të 500 krijuesve botëror të fushave të ndryshme kinematografike, pikturës, muzikore, teatrale, fotografike, arkitekturale e korregrafike, të cilët e shoqërojnë poezinë e Sherifit. Tingëllon edhe ky fakt si një homazh respekti ndaj të gjithë këtyre emrave prestigjioz, që na kanë zbukuruar dhe pasuruar jetën tonë, me kontributin artistik të tyre. Nga një kremtim te tjetri, nga një festim te tjetri, kemi uruar Jetën e plotë, Dashurinë sublime njerëzore, Artin dhe kulturën tokësore… kemi hulumtuar botën femërore deri në të pamundshmen pikë, kërkuar alter egon ideale të shpirtit tonë…

Duke shpresuar që përkthimi i veprës është në nivelin e duhur, iu këshilloj miqësisht që mos ta vrisni mendjen për së tepërmi duke e analizuar, intelektualizuar librin LOVE jashtë mase. Përkundrazi, konsiderojeni si një takim privat Dashurie me partnerin tuaj… Qëndroni natyralë, të hapur dhe të predispozuar për çdo aventurë, lejojani vetes çdo mundësi surprize, shijoje gjuhën poetike me shpirt, me zemër, me shqisat tuaja, me anën emocionale, sensuale, fizike, e jo me trurin analitik të thellë. Vetëm në këtë mënyrë kjo vepër aq e habitshme, misterioze dhe magjike, me magnetizmin dhe fuqinë e saj, ka për t’iu prekur thellësisht në shpirt, ka për t’iu pyetur mbi veten, jetën tuaj sentimentale, ka për t’iu çelur rrugë dhe horizonte të reja dhe të papara në botën tuaj imagjinative, emocionale e poetike.

Këtë takim special me të panjohurën që ua propozon Skënder Sherifi, përjetojeni plotësisht e pa rezerva, dhe në asnjë mënyrë mos i ikni, sepse do të humbisni me siguri diçka madhështore e tepër të rrallë. Më këtë tip arti, do ta hapni një faqe të re në letërsinë tuaj shqiptare dhe unë konsideroj që e keni këtë autor si model i evolucionit të ardhshëm, me të gjitha pasuritë dhe përvojat shpirtërore e kulturore që i ka akumuluar gjatë jetës së tij. Urime për këtë libër LOVE në Shqipëri. Ju përshëndes me simpati dhe respekt, të nderuar lexues, ngase vendi i juaj më ka prekur dhe interesuar prej sa viteve.

Flandër – Belgjikë, 12 Dhjetor 2011

 

Koen STASSIJNS, lindur në vitin 1953 në Flandër – Shkrimtar i njohur flaman i Belgjikës, poet, autor i disa veprave, por edhe përkthyes (prej gjuhës frënge, gjermane e angleze në gjuhën flamane) ka përkthyer, redaktuar dhe botuar disa antologji poetike dhe sidomos një antologji të poezisë moderne të Kosovës dhe Shqipërisë me titullin: ”Lamento e një zogu”. Autori është anëtar i komisionit konsultativ këshillues pranë Ministrisë së Kulturës Flamane të Belgjikës dhe është nënkryetari i Sindikatës të Autorëve flaman të Belgjikës.

 

Geert Van ISTENDAEL: DY FJALË MBI LIBRIN LOVE

 

Pas një hyrje që rrjedh si një Lum – por iu lutemi shumë: zhytuni në të dhe leni valët që t’iu pushtojnë – Skënder Sherifi e fton Lexuesin në një udhëtim madhështor. Ah, çfarë udhëtimi! Është një ekspeditë e vërtetë, plotë surpriza dhe aventura të pa parashikueshme, një kalërim fort i shijshëm përmes Hapësirave dhe Kohërave, por edhe përmes të gjitha formave të shprehjes artistike, që civilizimet e ndryshme, prej antikeve e deri te këto bashkëkohoret e sodit, na i kanë vënë në dispozicion. Skënder Sherifi e bërë një gjiro gjigante përreth Europës, një rrotullim tjetër rreth Botës, prej nga urtësia e thellë e Indisë, deri te energjia e vrullshme e Amerikës, prej literaturës së madhe botërore, deri te imazhet më të mrekullueshme që na i ofron arti i shtatë kinematografik. Skënder Sherifi është Princi sharmant, Veziri i madh, Magjistari suprem, i dituri sublim, që na i dhuron të gjitha talentet e tij në shërbimin ekskluziv të Dashurisë, me shkronja të mëdha, ngase kështu e kërkon nderi i Aristokracisë për këtë ndjenjë aq fine dhe fisnike. Por pas një leximi të tillë, kam frikë që nuk na ngelet asgjë për të dëshiruar. Jo, jo … e kam gabim… absolutisht gabim! Përkundrazi ky libër është një nxitje fantastike, për t’i ndezur dhe ushqyer të gjitha dëshirat njerëzore! Dhe po e citoj me këtë rast dhe me plot qejf, fjalën e Poetit tonë të madh flaman, zoti Hugo Claus, ”Ruani dëshirën!”

Bruksel, më 26 Dhjetor 2011

Geert Van ISTENDAEL i lindur në Uccle (Bruksel) në vitin 1947- Shkrimtar flaman i njohur dhe figurë intelektuale shumë e popullarizuar e Belgjikës. Ka studiuar sociologjinë dhe filozofinë në Universitetin e madh belg të KU LEUVEN (Louvain). Ka punuar një kohë si specialist në kërkimet urbanistike në Fondin e Hulumtimeve Shkencore. Pastaj është bërë figurë publike e njohur duke punuar prej vitit 1978 e deri në vitin 1993, si gazetar dhe prezantues i lajmeve në Televizionin publik kryesor flaman të Belgjikës VRT-BRT, posaçërisht i specializuar në Politikën belge dhe gjermane. Ka botuar afër 20 libra, me Poezi, tregime, Ese, roman dhe libri i tij (ese mbi Belgjikën) me titullin: ”Labirintibelg” është bërë një best seller në Belgjikë me 13 ribotime. Po ashtu ka përkthyer në gjuhën flamane autorët e mëdhenj klasik gjerman si: Goethe, Heine etj. Ka marrë titullin ”Doktor Honoris Causa” në një universitet të Holandës. Kryetari flaman i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Bruksel, ”Kunsten Festival des Arts”. Kryetari i Pen-Klubit flaman të Belgjikës prej 2007tës deri në 2010, dhe tani Kryetar nderi. Anëtar i Akademisë Mbretërore të gjuhës dhe letërsisë flamane në GENT.

 

 

Freddy THIELEMANS: ALL YOU NEED IS LOVE!

 

Me Skënderin shihem rregullisht që prej tridhjetë vjetësh. Një lidhje që është më shumë se një miqësi. Sigurisht që Shqipëria, një vend që e njoh sepse e kam vizituar është shpesh e pranishme në bisedat tona. Skënderi më flet për qëndrimet e tij të fundit në Tiranë, për takimet me përfaqësues të politikës, zhvillimet e reja që arrin të kapë, e mbi të gjitha ai më njeh me pulsing e jetës kulturore shqiptare, për të cilën nuk mëdyshet kurrë ta shohë në raport me kulturën e vendit tonë. Nuk është zyrtare, por frutdhënëse. Skënderi është ambasador moral dhe shpirtëror i kulturës shqiptare për Belgjikën tonë frankofone. Në ëndrrat e tij (aspak utopike) Skënderi militon për integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Pse, a nuk është e njohur se Dashuria i kalon të gjithë kufijtë? Por përtej të gjitha këtyre që thamë, kur ne takohemi, veç prodhimeve lokale që më sjell (dhe që nuk do ta tregoj se cilat janë) ai sigurisht që më sjell edhe veprën e fundit që ka botuar. Nuk më mbetet veçse të gjej disa çaste të lira për ta përpirë dhe, më besoni, unë gjithnjë di ta organizoj kohën time të lirë kur është fjala për librin e fundit të Skënderit. Dhe ja, një përkthim i Love u shtohet risive letrare shqiptare. Love do t’ju marrë ju në një udhëtim përmes mitologjisë, nga një cep te tjetri i kontinenteve pa dallim race a zakonesh. Love do t’ju flasë e do t’ju troshisë në emër të Skënderit, të gruas së tij, të të gjithë grave të botës, të atyre që e kanë drejtuar në jetë, qofshin muzikantë, piktorë, poetë… të gjithë të mrekullueshëm. Wolu do të rimojë me tempullarët. Për Skënderin, Dashuria është një udhërrëfyese që eksploron të gjitha zonat e trupit, që qartëson të gjitha misteret dhe që vë të gjithë botën në një mendje. Tashmë është e pamundur të përcaktosh hartën e Dashurisë, dhe aq më mirë që ndodh kështu. Sapo që Skënderi ka një ide,  që shpesh rreh përqark kuptimit të jetës, të pasioneve të tij, ai nuk e lëshon më nga dora, ai e zbraz nga lënda e saj me një përrua fjalësh dhe atëherë kur ju mendoni se ai ka thënë gjithçka, ja pra që atëherë ai rifillon duke iu drejtuar subjektit të tij nga një kënd tjetër, dhe duke ia marrë edhe frymën e fundit, rrokjet e tij të fundit. Kjo për të treguar që një ideje të tillë ai i ka shkuar deri në thelb e ka përthithur në mënyrën më të jashtëzakonshme. I tillë është rasti i “Trio e Përjetshme”, ku qenia është shpërthyer në tre imazhe, në një kor, por i tillë është edhe rasti i Love ku gratë, Dashuria, pasioni, erotizmi janë shpalosur në rreth 530 faqe. Por me këtë të mos ju shkojë mendja që mua Skënderi më duket i lodhshëm. Përkundrazi. Adhuroj përpjekjet që bën dhe qëndroj lumturisht nën ortekun e tij. Por Skënderi është edhe një ritëm i caktuar, në bisedat me të ndjej urgjencën që vërej në shkrimet e tij, frenezinë 4 TRIO E PËRJETSHME – Vepër e S. Sherifit, Botimet ILAR, Mars 2011 – Tiranë, (shënim i A.P.). për të thënë gjithçka, pa reshtur asnjë çast, ai nuk e njeh mëdyshjen, ajo do të qe shenjë e një reflektimi, që rreh disi larg universit të tij. Në këtë pikë, por jo vetëm në të, ai i bashkohet familjes së ritmeve beat, Ginsbergut, , me të cilët shoqërohej… ai i përqaset asaj metodës së vetvetishmërisë shkumëzuese së të shprehurit që bën të flasë thelbin e shpirtit tonë. Abononu urgjentisht në librin “Love”! Nga Bashkia e qytetit të Brukselit, u shpreh një përshëndetje të nxehtë lexuesve shqiptarë që do të rendin me entuziazëm në: (All you need is) Love!

Bruksel, 14 Nëntor 2011,

 

* Freddy THIELEMANS, u lind në Bruksel më 11 shtator 1944 – Profesor i gjuhëve gjermanike (flamandisht, anglisht dhe holandisht), Anëtar i Partisë Socialiste belge frankofone. Në vitin 1999: zgjidhet Deputet në Parlamentin evropian. Kryetari i Bashkisë së Brukselit – kryeqytet i Belgjikës dhe i Europës prej vitit 2001. Tani në 2012: do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme për mandatin e tretë. Epikurist i pasionuar për historinë, artet dhe lexues fantastik i çdo tip literature. Personalitet me një kulturë të përgjithshme e artistike mjaft impresionante. Figurë e pa diskutueshme e peizazhit politik belg, me postin prestigjioz që okupon, siç mund të jenë edhe Kryetarët e Parisit, Londrës, Romës, New Yorkut. Mik personal i autorit që 30 vite.

 

Please follow and like us: