BELGJIKA, ATDHEU I DISA SHKRIMTARËVE TË MËDHENJ!
Albert NIKOLLA
Atdheu i shkrimtarëve të mëdhenj, si Georges Simenon, Nathalie Nothomb, Jacqueline Harpman, Pierre Mertens, Jean-Luc Outers, François Weyergans, Jean-Pierre Verheggen, Dominique Rolin, Marcel Moreau, Jean-Pierre Otte, William Cliff, Jacques Izoard e një plejadë të tjerë shkrimtarësh e artistë të llojllojshëm (film- këngë-teatër- libra të vizatuar), mjaft të famshëm aktualisht në fushën e tyre, bota i njeh dhe i llogaritë si francez (pasi që edhe një pjesë e madhe prej tyre veprojnë dhe jetojnë në Paris dhe në fakt i ka afirmuar vetë Franca, e jo shteti i tyre, siç do t’ishte më e logjikshme) porse duhet ditur që janë të gjithë fillimisht belgë. Dhe Belgjika, nuk i ka kursyer surprizat letrare as për Shqipërinë, duke gatuar tharmin poetik të belgo-shqiptarit Skënder Sherifit.
I konsideruar nga kritika frankofone si një shartim mes poeticitetit të Arthur Rimbaudsë, dhe eksperimentalitetit letrar të Nathalie Sarraute, Sherifi nuk ka nguruar ta pasurojë poezinë frankofone me gjetje poetike rebele, beatnik, ekzistencialiste, epike e lirike të tradicionit shqiptar, siç e ka përjetuar ai vetë në ritet Malësore, dhe dashurore që pa dyshim”e turbullojnë keq” kritikën dhe lexuesin.
Ky libër i përkthyer në shqip, si një dhuratë për rininë e talentuar shqiptare, dhe jo vetëm kaq, por për të gjithë shqiptarët me shije të vërteta letrare, duhet të lexohet si një model poezie moderne, por me themel në Antikitetin Egjiptian dhe Romak. Pikënisja e këtij libri poetik është qyteti “Dashur” i Egjiptit të lashtë dhe modeli i ndërtimit është ai i “Jetëve paralele” të Plutarkut. Sipas konceptit poetik të kohërave antike, poeti mund të bëj shumë jetë paralele. Dhe nisur nga kjo teori, Sherifi vendosi ”të bjerë në Dashuri me të Bukurat e Botës” dhe t’u kushtojë atyre poezi, si akti më sublim i një poeti, në emër të ekzistencës njerëzore.
Nisur nga këto elemente, gazetarët e seksioneve të kulturës së shtypit belg, e klasifikuan këtë vepër ndër 10 librat më të mirë që u botuan gjatë vitit 2008 (dhe ky ishte i vetmi libër me poezi në klasifikim). Duke iu larguar modestisë së shtirur, si përkthyes, por edhe si specialist i letërsisë moderne, mendoj që ky libër është më i bukuri poetik që ka mbërritur në letërsinë shqiptare, pas përkthimeve të Homerit, Eskilit dhe Shekspirit dhe i bashkohet poezisë së mrekullueshme shqiptare që u lëvrua nga Migjeni, Poradeci e Reshpja e që po modernizohet e bëhet edhe më e bukur me poezinë e Lleshanakut.
Le ta konsiderojmë pra edhe poezinë e Skënder Sherifit, si pjesë e gjenialitetit të poezisë sonë kombëtare.
Bruksel, Nëntor 2011.