Albspirit

Media/News/Publishing

Gil JOUANARD: NJË REAGIM MBI LIBRIN LOVE, TË “ALEKSANDRIT”

Aleksandri, emrin e të cilit ai mban, ishte maqedonas, pra, sipas gjasë, trakas. Skënderi është ilir. Ilirët, që si të tillë me të drejtë mbahen edhe shqiptarët (popull i Agut …) bënin pjesë te ata popuj që në periudhën e bronzit farkëtuan (në një farë mënyre në kuptimin e vërtetë të fjalës) atë që do të njihet më tej si qytetërimi keltik si edhe qytetërimin e njëhershëm dhe fqinj të dakëve. Popull i çuditshëm, që flet një gjuhë e cila nuk është sllave e aq më pak turke, në një univers të përmbytur nga dyndjet e sllavëve të jugut dhe i kthyer në pjesën më të madhe në fenë e pushtuesve turq. Popull i ulur ndenjur në shumë karrige që me të drejtë mund të deklarohej turko-sllavodako-greko-italian.
Një popull i sfilitur e munduar deri edhe në identitetin e tij. Dhe, dashje pa dashje poliglot, shumetnik për zakon, i çorientuar, sepse shigjeta e tij magnetike e ka humbur veriun, por pazgjedhur asnjëherë jugun. I tillë është populli i tij, i tillë është Skënderi, mbiemri i të cilit Sherifi, nuk ka të bëjë më shumë me marshallët e far west-it se sa me Sherifin e universit kulturor mysliman. E për më tepër për të ndjellë ca më shumë rrëmujë, njeriu ynë është bërë njëfarësoj gali belg, prej atyre që nga lumi Eskos e deri në atë të Somës dhe madje pak më në veri e pak më në jug, do të pështjellonin edhe legjionet romake, që edhe ato vetë ishin kozmopolite. Hata e hovarda. Skënderi është i pamat. I pashtershëm! Një Homer që do të kishte lexuar bitnikët dhe Cendrars, rapsodët dhe bardët, filozofët e mistikët të urtësisë orientale, poetët e lashtë dhe surrealistët valonë (belgë frëngjisht folës). I kredhur në librin e tij, lexuesi pyet veten nga ka hyrë dhe nga duhet të dalë. Të sjellësh ndërmend rrëfimin mitik të labirintit nuk është gjësendi e papërligjur. Por duke bërë këtë pyetje: Cili është Tezeu dhe cili është Minotauri? Pastaj cila Arjanë këmbëlehtë do të na japë ne fillin dhe cili do të na drejtojë në atë pafundësi lirizmi dhe sensualiteti, mitesh dhe vezullimesh?
Është e natyrës karstike apo ardene kjo poezi?
Duket se ajo është në të njëjtën kohë karstike dhe ardene. E bujshme e zë lartë, por edhe, skundër thonë xhaz-menët, ”e drejtpeshuar”. Është një stuhi, një uragan, jo mbi Kainin, por mbi treremëshin e argonautëve në çastin që po kalonin ngushticën për tu hedhur në aventurën e Bashkës së artë. Bizantine, pra dhe me frymë stepash, enigmë në trajtë mozaikësh dhe tërmet verbal. Duke mos ditur nga cila anë ta zësh, nuk e zë fare këtë poemë kaleidoskopike: e lëmë
vetën të na zërë ajo. E pamundur të gjesh pika orientimi. Por është shumë e rekomandueshme që ta lësh vetën të humbasësh. Kështu shpreheshin shamanët dhe xherahët, druidët dhe aedët afrikanë. Të duket vetja sikur ke rënë në një nga ato rrathët e dervishëve rrotullues, të cilët në vend që të shkojnë drejt një qëllimi të paqartë rrotullohen pafundësisht sikundër galaksitë, të dala nga aksi dhe në një orbitë të ndryshueshme. Tezeu gjeti Arjanën që t’i fliste, një Arjanë që në vend që t’i tregojë daljen, pështillet në një magji të pashpjegueshme. Nuk është Skënderi që do të kishte prerë nyjën gordiane: me të ai do të pështillej si me fashat e mumies Snefru, faraoni i Dashurit, i atij vend që mban emrin e perëndisë ilire të Dashurisë. Ju përmendet fjalën Love?
Vërtet gjësendi e dashur!

Paris, le 11 novembre 2011.

——————-

Gil JOUANARD, u lind më 11 dhjetor 1937 në Avignon (Francë) – Shkrimtar, poet francez i zbuluar dhe i mbështetur nga i madhi poet René CHAR, autor i 40 librave të botuara te Phébus – Verdier – Fata Morgana – Oswald etj. Në ‘1986, ka krijuar në Montpellier: Qendrën Regjionale të Letërsisë të regjionit francez Languedoc, Roussillon, si edhe Shtëpinë e Librit dhe të Shkrimtarëve, të cilën e ka drejtuar personalisht gjatë 20 vitëve. Udhëtar i palodhshëm, i dashuruar me kulturën, ka punuar si gazetar dhe ka bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar të Marseille, ashtu edhe me Festivalin International prestigjioz të Teatrit në Avignon.

Please follow and like us: